E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia vijon kërkimet për arrestimin e Albin Kurtit

Policia po vazhdon kërkimet për arrestimin e liderit të lëvizjes “Vetëvendosje” Albin Kurti, i cili akuzohet nga EULEX-i për dhunën e shkaktuar në demonstratën e 17 shkurtit të vitit 2007. Derisa policia po kërkon Kurtin, përfaqësuesi i Bashkimi Evropian në Kosovë, Pieter Feith i ka bërë thirrje atij të dalë para drejtësisë e cila është vënë në ndjekje të tij.

“Me sundimin e Ligjit nënkuptojmë se çdonjëri duhet t’i përgjigjet drejtësisë për veprimet e tij. Gjithashtu në këtë rast edhe Albin Kurti duhet të përgjigjet për atë se çfarë ka bërë. Nga këndvështrimi im është e pa pranueshme për një qytetar të përgjegjshëm të shkaktojmë dëme të mëdha tek pjesëtarët e policisë si në rastin e së hënës, ku disa pjesëtarë të policisë janë lënduar nga një akt jo i përgjegjshëm”, tha Pieter Feith, shef i ICO-së.

As Feith e as Qeveria e Kosovës nuk dënuan dhunën e ushtruar një ditë më parë nga policia ndaj aktivistëve “Vetëvendosje” ndërsa e cilësuan si të papërgjegjshëm reagimin e pjesëtarëve të kësaj lëvizje që nuk lejuan policinë të arrestojnë Kurtin.

“Policia e Kosovës ka detyra zyrtare, është institucion jashtëzakonisht i rëndësishëm, relevant, i cili ka përgjegjësi për sigurinë publike dhe ata kanë ndërmarr këtë veprim bazuar në kompetencat e tyre. Ndërsa nuk është çështje e qeverisë për ta komentuar se a është bërë më efikasitet të plotë apo është ndërmarr ashtu si duhet ky veprim, kjo është çështje e cila ndërlidhet edhe me vlerësimet që do të bëhen në ditët e ardhshme edhe brenda vet policisë”, u shpreh Memli Krasniqi, Zëdhënës i Qeverisë së Kosovës.

Ndërhyrja e policisë për të arrestuar Kurtin është dënuar nga Këshilli kundër procesit gjyqësor ndaj Albin Kurtit dhe Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut ndërkohë Ushtruesi i Detyrës i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Behar Selimi ka urdhëruar që të bëhet një analizë për situatën e krijuar gjatë ndërhyrjes së policisë, për të konstatuar nëse veprimet policore ishin në pajtim me instruksionet e dhëna që arrestimi i personit të kërkuar nga Gjykata të behet në rrethana dhe kushte të sigurta për qytetaret, për policet por edhe për vete personin e kërkuar.

Bul Salihu

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›