Teatri Kombëtar: Duam status të veçantë
Teatri Kombëtar është bërë zyrtarisht pjesë e Unionit të Teatrit Evropian Konvencional. Pas një votimi unanim në Asamblenë e Përgjithshme, mbajtur më 22-23 maj në Dresden të Gjermanisë, drejtori i TK-së, Kristaq Skrami, ka nënshkruar anëtarësimin. Edhe më parë nga ky institucion ishte lajmëruar ftesa. Në një konferencë të djeshme për shtyp, drejtori Skrami e ka quajtur këtë si një ngjarje të rëndësishme për gjithë teatrin shqiptar. "Ky nuk është fryt vetëm i regjisorëve, aktorëve dhe stafit aktual. Është meritë e një pune 66-vjeçare të Teatrit Kombëtar nga shfaqja e parë në të fundit", ka thënë Skrami. Më tej, ai ka renditur një sërë përfitimesh dhe detyrimesh që rrjedhin nga ky anëtarësim. TK-së i duhet të paguajë 5500 euro në vit, të marrë pjesë dy herë në vit në Asamblenë e Përgjithshme të ETC ku diskutohen projektet dhe propozimet për vitin e ardhshëm dhe duhet të plotësojë standardet artistike që kërkon kjo organizatë. Duke e konsideruar si një anëtarësim kulturor të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, Skrami ka theksuar se "anëtarësimi në këtë rrjet thyen jo vetëm barrierat artistike. Veç shkëmbimit të vlerave përmes turneve, pjesëmarrjes në festivale, një nga pikat e rëndësishme janë bashkëprodhimet dhe qarkullimin e vlerave të regjisorëve, aktorëve dhe faktorëve të tjerë që janë aktiv në realizimin e një vepre teatrore". Por menjëherë pas kësaj eksperience të parë, nxitur edhe nga përvoja e teatrove të tjerë, drejtori i TK-së është shprehur se do t‘i bëjnë kërkesë Kryeministrit Berisha për të përfituar status të veçantë. Kjo gjë nënkupton shkëputjen si institucion i varësisë nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe vënien nën kujdesin e drejtpërdrejtë të Kryeministrit. "Kjo ishte një ide që erdhi pas diskutimeve që bëmë edhe me aktorë të tjerë të Teatrit Kombëtar. Shpresojmë të merret parasysh", thekson Skrami. Por duke ditur që tashmë jemi në prag të fushatës elektorale, ku 28 qershori mund të vendosë ose jo ndërrimin e pushteteve, mbetet që Teatri Kombëtar t‘i gëzohet hëpërhë vetëm anëtarësimit. Teatri i Tel Avivit ishte një tjetër anëtar që iu shtua Unionit të Teatrit Evropian Konvencional bashkë me teatrin tonë. Përfaqësuesve të të dy vendeve u është dashur të bëjnë një panoramë të zhvillimeve dhe qëllimeve të teatrove të tyre. Sipas Skramit, ishin përgatitur materialet për një paraqitje të plotë të Teatrit Kombëtar, përfshi këtu DVD pak minutëshe me disa nga shfaqjet më të spikatura dhe një katalog i përgatitur enkas për këtë rast me materiale fotografike dhe historike. Më parë, sekretari i përgjithshëm i ETC-së dhe drejtues i teatrit kombëtar "Marin Sorescu" në Kriove të Rumanisë, bëri një vizitë në teatrin tonë ku ndoqi nga afër dy shfaqje, përkatësisht "Trojanët", vënë në skenë nga regjisori grek Theodhorolulos dhe "Filumena Marturano" me regji të Albert Mingës. Sipas Skramit, ai kishte vlerësuar këto shfaqje, sidomos lojën aktoriale. Meqenëse flitet për shkëmbim vlerash, drejtori i TK-së mendon se programi i përzgjedhur deri më tani është përfaqësues. Por është i qartë që në një vlerësim krahasues me teatro të tjerë anëtarë, mbetet shumë për t‘u bërë. "Sigurisht që ne nuk mund të krahasohemi me vendet shumë të zhvilluara. Por ky është një hap i parë që do të na vejë përpara përgjegjësive për të përmbushur standardet e kërkuara", thekson ai. Gjithsesi, sipas tij, ai vë në dukje se pavarësisht bashkëpunimeve dhe shkrirjes së vlerave, ky union respekton identitetin e çdo teatri dhe vendi pjesëmarrës. Drejtori Skrami dhe regjisori Adonis Filipi, në të parën mbledhje të Asamblesë së Përgjithshme për ta, kanë marrë pjesë në diskutimet që kanë rrokur projekt-propozimet për krijuesit e rinj dhe audiencën e re, projekt-propozime mbi inkurajimin e stimulimin e projekteve të përbashkëta ndërmjet anëtarëve, shkëmbimin e përvojave mes regjisorëve, aktorëve, dramaturgëve, si dhe projekti për stimulimin e krijuesve(regjisorë, aktorë) të rinj të përfshirë në projekte konkrete, si dhe stimulimin e aktoreve protagoniste femra në projektet artistike etj.