E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raporti i INSTAT: Bie rritja ekonomike në tre muajt e fundit



Ervin KOÇI

Gjatë tremujorit të dytë të këtij viti, ritmet e rritjes ekonomike janë ngadalësuar dhe ka rënë ndjeshëm konsumi nga qytetarët. Shkak për këtë është bërë thellimi i krizës ekonomike në vend, gjë e cila tashmë pranohet dhe nga institucionet shtetërore. Sipas specialistëve të Institutit të Statistikave, për këtë periudhë rritja ekonomike tremujore ka qenë 1 për qind, kundrejt 1.6 për qind që ka qenë ky tregues në tremujorin e parë të këtij viti. Degët e ekonomisë që pësuan dhe rënien më të madhe në këtë tremujor ishin industria dhe tregtia me -6,3 dhe -3,2 për qind. Ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, INSTAT-i konstaton një rritje të ekonomisë në masën 5.3 për qind. INSTAT-i konstaton një ecuri pozitive në sektorët e post-telekomunikacionit, shërbimeve, ndërtimit dhe bujqësisë. Ndërkohë që industria dhe tregtia kanë shënuar rënie gjatë tremujorit të dytë të këtij viti respektivisht me 6.3 për qind dhe 3.2 për qind. Në këtë tremujor degët që kanë pasur rritjet më të larta ishin post-telekomunikacioni me 18,1 për qind, shërbimet me 15,9 për qind dhe ndërtimi me 9,8 për qind, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2008.

Konsumi

Shqiptarët kanë ulur ndjeshëm konsumin e mallrave të qëndrueshëm si pajisjet elektro-shtëpiake, blerjet e riparimet e makinave, veshjet e këpucët, bëhet e ditur nga të dhënat e grumbulluara nga Instituti i Statistikave. INSTAT publikon çdo tre muaj indeksin e volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë, ku të dhënat e shitjeve krahasohen me vitin bazë 2005. Sipas këtyre të dhënave, në periudhën janar-mars të këtij viti, u shënua hera e parë në shumë vite që shitjet me pakicë shënuan ulje. Në tremujorin e dytë, situata u përmirësua disi, por volumi i shitjeve mbetet ende në të njëjtin nivel me qershorin e vitit të kaluar, pra me rritje zero. Indeksi i përgjithshëm i shitjeve me pakicë shënoi në qershor kuotën 174.2 (viti 2005 = me 100), shifër kjo në të njëjtin nivel me vitin e kaluar. Në tremujorin e parë indeksi pati rënë në 156 për qind. Sipas indeksit, goditjen më të rëndë e kanë vuajtur tregtarët e pajisjeve të ndryshme shtëpiake, të cilët shënuan një rënie prej gati 40 për qind të shitjeve në tremujorin e parë, ndërsa në tremujorin e dytë, megjithëse shitjet u përmirësuan, mbeten ende larg nivelit të zakonshëm. Indeksi tregon se biznesi i dyqaneve që shesin artikuj të përzierë, ku përfshihen ushqimet, pijet duhani etj., kanë realizuar një biznes të zakonshëm në tremujorin e dytë, pasi qenë përballur me rrije të lehtë, por gjithsesi të qëndrueshme në tremujorin e parë. Edhe farmacitë nuk kanë raportuar ndonjë rënie të shitjeve gjatë kësaj periudhe.

Shitjet

Rënia e shitjeve me pakicë në mallrat që nuk i përkasin konsumit të përditshëm lidhet edhe me kufizimin e kredisë për konsum nga bankat gjatë kësaj periudhe. Kështu, shumica dërrmuese e bankave ka kufizuar apo ndërprerë tërësisht kreditimin e shumave të vogla për familjet, kredi që zakonisht shkojnë për të mbuluar blerjet e mobilieve apo pajisjeve elektro-shtëpiake, si dhe makinave. Akoma më të goditur duket se kanë qenë dyqanet e veshjeve dhe këpucëve. Blerjet e shqiptarëve të këtyre mallrave kanë qenë gjatë këtij viti në pikën më të zezë në shumë kohë, gjë që ka shtyrë edhe shumë tregtarë të kësaj kategorie të ndërpresin aktivitetin e vet. Lajmi i mirë është që në tremujorin e dytë, shitjet me pakicë duket se po ecin drejt stabilizimit dhe rënia e shitjeve në tremujorin e parë duket se u shkaktua gjerësisht nga paniku dhe pasiguria që krijuan lajmet për krizë. Indeksi i shitjeve me pakicë përdoret si referencë për të parë ecurinë e fuqisë blerëse të popullatës së një vendi. Në Shqipëri, shitjet me pakicë kanë shënuar rritje të fuqishme gjatë viteve të fundit, gjë që ka treguar për rritje të fuqisë blerëse të shqiptarëve. Sektori i shitjeve me pakicë punëson rreth 50 mijë vetë në të gjithë Shqipërinë, ku shumica dërrmuese janë të vetëpunësuar me aktivitet biznesi të vogël.

7 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›