E Shtunë, 31 Tetor 2026

Politika e jashtme dhe ekonomia



Politika e jashtme nuk po ka aq rëndësi në këtë fushatë zgjedhore.

Gjendja e rëndë ekonomike, kriza financiare dhe e huave e kanë kthyer garën presidenciale në SHBA në një përplasje për çështjet e brendshme.

Politika e jashtme që pritej të ishte një nga çështjet kryesore të fushatës – megjithëse jo kryesorja – tani duket se është ulur në ndenjësen e fundit.

Megjithatë, si analistët, ashtu edhe politikanët nga të dyja kampet, thonë se ajo është ende e rëndësishme.

Në fund të fundit, në këtë krizë globale ekonomike marrëdhëniet ndërkombëtare kanë provuar se janë kyç për t’i dhënë zgjidhje krizës më të fundit financiare.

Dhe çështja e luftës në Irak e Afganistan, me siguri që do të dalin në prominencë gjatë ditëve në vazhdim deri në zgjedhjet e 4 nëntorit.

Të dy kandidatët, senatori republikan John McCain dhe senatori demokrat Barack Obama, janë përplasur disa herë për çështjet e politikës së jashtme.

Ata janë përplasur për strategjinë në Irak, kanë mendime të ndryshme për bashkëpunimin ndërkombëtar për krizën energjitike dhe klimën.

Por, siç u vu re edhe në debatin e fundit televiziv, çështjet e brendshme dhe ekonomia eklipsuan plotësisht çështjet e politikës së jashtme dhe atë të luftës, që lidhet ngushtë me të.

Por pse ka ndodhur kjo?

Kandidati republikan në zgjedhjet për Dhomën e Përfaqësuesve në Kolorado, Ken Summers, thotë se njerëzit kanë tendencë të lexojnë gazetat dhe ekonomia ka qenë në fokus, çështja më e nxehtë politike.

“Megjithatë, nuk pritej që politika e jashtme dhe lufta në Irak të ishin aq kritike sa ishin dy vjet më parë”, - thotë zoti Summers.

Flloyd Cerily, që është një analist i pavarur i anketave të opinionit publik, thotë se sipas anketave të tij, politika e jashtme, madje edhe Iraku, kanë rënë poshtë si përparësi.

“Sigurisht që kriza ekonomike e ka bërë ekonominë çështjen kryesore në fushatë”, - thotë ai, por shton se suksesi i strategjisë së fundit amerikane në Irak, The Surge, ka sjellë një reagim të pakuptueshëm politik.

“Sa më e suksesshme ishte strategjia ushtarake në Irak, aq më pak mbulim nga media pati”, - thotë zoti Cerily.

“Sa më shumë që dilte në pah strategjia që zoti McCain ka mbështetur, aq më shumë kjo çështje është larguar nga rendi i ditës, duke mos i dhënë atij në njëfarë mënyre meritën që ai kërkonte që të merrte për këtë”, - thotë ai.

Ende e rëndësishme

Aktivistja demokrate, Butterspark Walk, që organizon anketa për demokratët, thotë se çështja e politikës së jashtme nuk është larguar ende, në fakt është e lidhur me çështjen e ekonomisë.

Ajo thotë që ekonomia amerikane është shumë e lidhur me atë botërore si asnjëherë tjetër.

“Ne duhet të rregullojmë shtëpinë tonë, sepse nëse nuk e bëjmë këtë, nuk mund të japim atë lloj udhëheqjeje qe ne kemi dhënë në të shkuarën”, - thotë zonja Walk.

Richard Hass, president i Këshillit të Marrëdhënieve me Jashtë në Nju Jork, republikan që ka punuar më parë në administratën e Presidentit Bush, thotë se kriza financiare e ka dëmtuar pozicionin e SHBA-së në botë, por shton se kjo nuk është e përhershme.

“Sado kohë që do t’i duhet ShBA-së të gjejë vetveten, nuk mendoj se ka ndonjë tjetër që mund të zërë vendin tonë”, - thotë ai.

“Ka shumë mundësi që ne po hyjmë në një periudhë historie rrëmuje, po të përdor një fjalë elegante, në njëfarë çorganizimi, pra, një kalim nga një botë e dominuar nga amerikanët në një botë ku fuqia po shpërndahet në shumë aktorë”, - thotë zoti Hass.

Roli udhëheqës amerikan

“Disa aktorë, - shton ai, - janë të përgatitur të luajnë një rol frutdhënës, por të tjerë nuk janë”.

Senatori demokrat, Geri Hart, këshilltar për politikën e jashtme në kampin demokrat, duket se ka një përshtypje pak më rozë për këtë gjendje ekonomike të rëndë dhe rolin e SHBA-së në politikën botërore.

“Unë shoh një situatë që mund të kthehet nga katastrofale në mundësi, ku një President Barack Obama thotë që gjendja është më ndryshe tani”, - thotë zoti Hart.

“Ne mund të luajmë një rol të ndryshëm tani dhe roli ynë është lehtësues, mendimtar krijues, ne ofrojmë mundësi dhe u themi të tjerëve të zgjedhin njërin nga opsionet”, - thotë ai.

Zoti Hart sugjeron që Amerika të marrë rol udhëheqës, duke propozuar një regjim rregullues botëror për të dalë nga gjendja e vështirë financiare.

Shqetësimet ekonomike po kombinohen me një botë në ndryshim dhe anketuesi Cerily thotë se kjo do të ketë një ndikim të rëndësishëm në sjelljen e votuesve.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›