Berisha: Diversiteti, meritë e demokracisë
“Shqipëria ka dalë nga bota e “hekurosur”
“Monopolin e së vërtetës nuk e ka asnjeri”
Kryeministri Sali Berisha ka dhënë dje vlerësimet e tij për demokracinë në vend duke e vlerësuar diversitetin e mendimeve si një nga meritat e demokracisë. Ai ka bërë të qartë se Shqipëria ka dalë tashmë nga periudha e hekurosur, epitet me të cilin ka etiketuar kohën e komunizmit. Në këtë kontekst kreu i qeverisë i ka cilësuar kritikat pikërisht si pjesë të diversitetit që sjellë demokracia. Këto komente ai i bëri vetëm një ditë pas fjalimit të ambasadorit amerikan në Tiranë Jon Withers, i cili ripërsëriti kritikat e tij për konfliktin mes dy ministrive dhe prokurorisë dhe disa projektligje të reja të qeverisë. Gjatë inspektimit të punimeve për ndërtimin e TEC-it të Vlorës, Kryeministri Berisha iu përgjigj dje interesimit të medias lidhur me rezervat që ka SHBA dhe BE, por dhe opozita. "Ne tashmë kemi dalë nga bota e hekurosur në botën e diversitetit. Dhe kjo është merita e demokracisë. Sigurisht që kritikat do të bëhen në diversitet, monopolin e së vërtetës nuk e ka asnjeri, as unë dhe as askush tjetër", - deklaroi z. Berisha. Por kreu i qeverisë atakoi edhe opozitën, duke i kujtuar asaj se është e vetmja që ekzekuton të vdekurit. Në bashkëbisedimin me punonjësit e firmës që po ndërton këtë TEC, Kryeministri Berisha i cilësoi ata si përfaqësues të njerëzve që ndryshojnë Shqipërinë dhe jo si pjesëtarë të mitingjeve që manipulojnë të vdekurit për qëllime politike. "Siç e shihni, kjo qeveri është e angazhuar në ndërtime universitetesh, autostradash, termocentralesh, parqe industriale dhe vepra të mëdha në të gjithë vendin. Përballë kësaj është opozita e mitingjeve për të ekzekutuar të vdekurit. Është makabritet i vërtetë. Uroj që ky kurs të ndryshojë vërtetë, sepse është në interesin më të mirë të vendit", - tha më tej Kryeministri.
Dy ditë më parë ambasadori i Amerikës, Xhon Ëithers shprehu shqetësimin për cenimin e pavarësisë së prokurorisë sipas tij nga përpjekjet dominuese të ekzekutivit. Në gjykimin e tij, Ëithers beson se shqetësimi i tij ka qenë i bazuar në realitet. “Kam shprehur shqetësime në lidhje me zhvillimet e fundit këtu në Shqipëri. Disa herë më kanë thënë, se shqetësimet e mia bazohen mbi keqkuptime të asaj çka ndodh këtu. Do të doja t’ua bëj të qartë atyre personave që, ne amerikanët, e dimë se si funksionon një sistem demokratik. Shqetësimet e mia dhe shqetësimet e qeverisë sime, nuk bazohen mbi keqkuptime. Ato bazohen mbi realitete”, - tha diplomati Ëithers. Berisha inspekton punimet e TEC-it të Vlorës Kryeministri Sali Berisha inspektoi dje punimet e ndërtimit të TEC-it të Vlorës. Sipas tij është "një projekt jetik për qytetin, bregun dhe të gjithë Shqipërinë". Në vijim të vizitës në qytetin e Vlorës, Kryeministri Berisha vlerësoi se punimet për ndërtimin e TEC-it të Vlorës po përparojnë me shpejtësi. Berisha pohoi se ky projekt jetik për Vlorën turistike, Vlorën industriale, bregun e Shqipërisë, por edhe për gjithë vendin po ecën me shpejtësi. Është vendosur gjeneratori dhe sipër turbina dhe kaldaja. “Pra, është një vepër industriale me një investim prej rreth 90 milion eurosh apo 110 milion dollarë", - tha Kryeministri Berisha. Ai i kërkoi përfaqësuesit të firmës ndërtuese që vepra të përfundojë në fund të muajit prill 2009, dy javë përpara afatit real të parashikuar, afat që përkon edhe me fillimin e fushatës elektorale. “Bashkia po vonon “Transballkanikun” Kryeministri Sali Berisha bëri dje të njohura arsyet e vonesës së rrugës transballkanike duke akuzuar bashkinë e qytetit e cila ka shmangur detyrimet e saj. Berisha vuri në dukje se ka një problem shumë serioz, pasi bashkia që nuk po merr përsipër të gjitha detyrimet që ka. Kryeministri evidentoi se qeveria ka lëvruar fondet për ndërtim ndaj shprehu habinë e qëndrimit indiferent të bashkisë. "Nuk e kuptoj këtë qëndrim. Qeveria ka dhënë të gjitha fondet. Në rast se do të vazhdohet me këtë qëndrim do të detyrohemi të përdorim prerogativa të tjera", - tha z. Berisha. Qeveria, 2.2 milionë dollarë për “Ismail Qemalin” Kryeministri Sali Berisha përuroi dje godinën e re të Universitetit të Vlorës nga ku premtoi investime në arsimin e lartë. Qeveria në këtë rast investon për shkollimin e të rinjve vlonjate 2.2 milionë dollarë. Gjatë ceremonisë së përurimit të godinës së re të Universitetit “Ismail Qemali”, Berisha theksoi se investimet e qeverisë në sistemin universitar në Shqipëri janë reflektuar më së miri në dyfishimin e numrit të studentëve në vitet e fundit. Gjithashtu, Kryeministri siguroi studentët dhe stafin drejtues se qeveria shqiptare do të mbështesë plotësisht zhvillimin e mëtejshëm të universiteteve të vendit, duke mobilizuar të gjitha resurset financiare të domosdoshme për të përmbushur këtë qëllim. “Dua të shpreh mbështetjen time të plotë dhe për të gjithë universitetet e vendit, t’u siguroj se qeveria do të mobilizojë të gjitha resurset financiare që do të jenë të nevojshme që ju të përmbushni me dinjitet misionin e madh të formimit të intelektualëve, specialisteve dhe ekspertëve shqiptarë në fusha të ndryshme”, - tha Berisha.