E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rekuiem për krimet komuniste



Teksa disa fanatikë të diktaturës po kremtojnë 100-vjetorin e lindjes se Neronit shqiptar, Enver Hoxhës, do të ishte mirë të risilleshin në kujtesë disa prej masakrave të tij të pangjashme:

- Të ekzekutuar burra: 5557 persona

- Të ekzekutuara gra: 457 persona

- Të dënuar politikë burra: 26768 persona

- Të dënuar politikë gra: 7367 persona

- Të çmendur: 308 persona

- Të internuarit janë aq shumë sa është e pamundur t'i nxjerrësh përafërsisht e jo saktësisht.

- Të varurit, nuk dihen

- Të zhdukurit, nuk llogariten.

Për të kuptuar fytyrën e komunizmit shqiptar, do t’ju lexonim vargjet e mëposhtme:

Enver-Koçi pa një ëndërr /Shqipninë - nuse, Titon – dhëndërr / N'nj'i shpi t'bukur, n' nji shpi të gjanë/ Që nga Beogradi deri në Tiranë.

Ka me mijëra deklarata dhe dëshmi për mizoritë e diktaturës, por unë do të ndalem në dy prej tyre.

Deklarata e oficerit të Sigurimit, Naum Bezhani:

Unë i nënshkruari Naum Bezhani, oficer sigurimi, deklaroj si më poshtë.

Gjatë veprimtarisë sonë janë përdorur këto tortura:

1. Jeleku (tortura më e tmerrshme).

2. Kamxhiku prej druri.

3. Lënia pa bukë dhe pa ujë për ditë të tëra.

4. Elektroshoku derisa u binte të fikët.

5. Hedhja në qafë e zinxhirëve me peshë të rëndë.

6. Lidhja me duar prapa në dritare, në dru të varur në lartësinë sa të preknin majat e gishtërinjve.

7. Thyerja e kockave dhe ndukja e mishit me darë (e përdorur pas dënimit të Shefqet Bejës dhe të tjerë).

8. Kripë në gojë.

9. Stimulim varjeje ose pushkatim.

10. Tortura morale për familjen. Në Shkodër, për të thyer rezistencën e Dulo Kalit, në dhomën ngjitur me të çuam dy vajza të burgosura dhe dy të burgosur; ato bënë sikur gjoja ishin vajzat e tij që i kishin prurë atje për t'i çnderuar.

11. Futja kokëposhtë në një fuçi me ujë.

12. Fekale në gojë. Një herë Myftar Tarja e bëri këtë ndaj një toptanasi.

Deklaratë e kapiten Lefter Lakrorit, oficer i Sigurimit:

"Në atë kohë ishte zhvilluar gjyqi i deputetëve dhe si u dha vendimi për të gjithë ata që u dënuan me vdekje, jemi ngarkuar t'i torturojmë për të nxjerrë ça kishin. Naum Bezhani, Siri Çarçani dhe unë. Shoku Nesti shkoi me komandantin në jug. Në vend të tij ishte Zihni Muço. Gjithë materialin që nxorëm nga ata e mbajta unë derisa erdhi Nesti (Kerenxhi) dhe për gjithë elementin që implikohej janë zhvilluar hetime. Aty ka pasur edhe anëtarë të partisë që implikoheshin dhe janë survejuar. Më kujtohet Shefqet Musaraj, Mark Ndoja dhe të tjerët s'më kujtohen edhe nga deputetët që s'janë të organizuar. Materialin të dënuarit e kanë shkruar me dorën e tyre, ku edhe sot e kanë në dosje".

Vendimi i gjykatës i dhënë më 27 shtator 1947, ishte si më poshtë:

- Me varje: Shefqet Beja, Sulo Klosi dhe Riza Alizoti

- Me pushkatim: Sheh Selim Karbunara, dr. Enver Sazani, Selim Kokalari, Selaudin Toto, Muhamed Prishtina, Paolo Sgiatti, Irfan Majuni, Tefik Deliallisi, Hysen Shehu, Beqir Çela, Abdyl Kokoshi, Pertef Karagjozi dhe Agathokli Xhitomi.

- Me burgim të përjetshëm: Ramazan Tabaku, Gjovalin Vlashi, Foto Bala, Ram Marku.

- Me 20 vjet burg: Rustem Sharra, Xhevat Xhafa dhe Shefki Minarolli.

- Me 15 vjet burg: Sulo Konjari.

Por gjyqet dhe krimet nuk u ndalën këtu, shqiptarë të ndershëm u vranë ose u burgosën pa faj për hir të miqësisë shqiptaro-jugosllave, shqiptaro-sovjetike, shqiptaro-kineze, shqiptaro – kozmopolite etj.

- Dënohet grupi i patriotit Riza Dani. Me pushkatim: Riza Dani, Faik Shehu, Islam Radovicka, Uan Filipi, Hilmi Hipi, Syrja Selfo dhe Hasan Reçi; me burgim të përjetshëm: Kosta Boshnjaku, Isuf Hysenbegasi, Mestan Ujaniku, Nexhmi Ballka, Ivzi Kokalari dhe Demir Kallarati; me 20 vjet burg: Adem Prela, Arif Gjyli dhe Bexhet Shehu; me 15 vjet burg: Halit Gjoleka dhe Kamber Backa.

- Një ndër provokacionet komuniste të "serisë" ishte edhe gjyqi kundër klerit katolik të Shkodrës, me pretekstin e fshehjes së armëve. "Ne, Hys Zaja, prokuror publik i prefekturës Shkodër, urdhëroj ndalimin…". Në Shkodër numëroheshin 10 burgje, ndërsa sipas furnizuesit të bukës, duhet të ishin 17. Ishin kthyer në burgje Kuvendi i Françeskanëve, ndërtesa e Jezuitëve, shtëpitë e tregtarëve, Prelës, Pogut, Ulqinakut, përveç burgjeve të njohur si Burgu i Madh, Burgu i Gestapos, Burgu i Prefekturës…

"Ishim shumë të dënuar me vdekje në një dhomë”, - dëshmon Rakip Meta. Ja lista:

Hafiz Dërguti (pushkatuar) Engjëll Deda, Rrok Mirashi, Mikel Koliqi, Mark Hasi, Ndue Suma, Mark Harapi, Karlo Serreqi, Agostin Ashiku, Marjan Prela, Alek Baqli, Zef Pllumi, Filip Mazreku, Frano Kiri, Anton Luli, Gaspër Suma, Injac Gjoka, Jak Zekaj, Lekë Dredhaj, Ciril Cani, Mëhill Cani, Bonat Gjecaj, Tomë Laca, Nikollë Shelqeti, Gjon Karma, Mëhill Karaj, Donat Kurti, Leon Kabashi, Pjetër Gruda, Pal Dedaj.

*Ish-i burgosur politik dhe vëllai i poetit të pushkatuar, Vilson Blloshmi.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›