E Diel, 1 Nëntor 2026

Dule: “Berisha përçau PBDNJ-në, nuk mund të bashkëpunojmë me të”

Kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, e akuzoi dje kryeministrin Berisha për diversion brenda partisë së tij. Gjatë fjalës së mbajtur në Kongresin e Jashtëzakonshëm të PBDNJ-së Dule tha se Berisha përçau partinë e tij duke sjellë largimin e disa anëtarëve të saj. Sipas Dules, ish-anëtarët e PBDNJ-së u larguan për qëllime përfitimi personal duke u joshur nga pushteti. Më tej, gjatë fjalës së tij, Dule tregoi arsyet pse PBDNJ-ja nuk mund të vazhdonte bashkëpunimin me Partinë Demokratike dhe arsyet që e çuan këtë parti të bashkëpunojë me Partinë Socialiste. Gjatë Kongresit të djeshëm ishte i pranishëm dhe aleati i ri i Dules, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama. Gjatë fjalës përshëndetëse Rama theksoi nevojën për hapjen e kutive të votimit për të denoncuar manipulimin e bërë në zgjedhjet e 28 qershorit. Ndërkaq, edhe Dule e cilësoi domosdoshmëri zbardhjen e manipulimeve të bëra gjatë zgjedhjeve, ndërsa pranoi se PBDNJ-ja nuk mori në këto zgjedhje aq sa kishte parashikuar.
Akuzat
Kreu i PBDNJ-së, gjatë fjalës së tij, tha se shkaqet kryesore të mbledhjes së Kongresit të Jashtëzakonshëm janë zgjedhjet e 28 qershorit, situata paszgjedhore dhe sfidat që e presin në të ardhmen. “Duhet pohuar qartë dhe prerë se PBDNJ-ja nuk arriti objektivat e veta elektorale në zgjedhjet e 28 qershorit. Jemi këtu për të marrë përsipër përgjegjësitë për këtë humbje”, - deklaroi Dule. Ai i ka cilësuar sulmet e PD-së ndaj PBDNJ-së si sulme të një shteti partiak. Sipas tij, pushteti i Partisë Demokratike e ndëshkoi këtë forcë politike me shkarkime të mbi 60 punonjësve të PBDNJ-së në administratë, gjë që solli çarjen me PD-në, kjo edhe sepse, sipas Dules, partia që ai drejton nuk merret me përçarje dhe qëllime të vogla. “Është e papranueshme për misionin tonë që të bëhemi parti satelite e çfarëdo partie, në çfarëdo pozicioni me pushtetin është ajo, prandaj ndërpremë bashkëpunimin me Partinë Demokratike”, - shpjegoi ai.
Humbja
Duke pranuar humbjen në zgjedhje, ai tha se gjithsesi, procesi i 28 qershorit nuk ishte i ndershëm, transparent e demokratik. Ne fjalën e tij Dule arsyetoi ndarjen nga koalicioni me Partinë Demokratike për dy shkaqe. Presioni i demokratëve për të krijuar struktura paralele në PBDNJ dhe pamundësia për të qëndruar në një koalicion me çamët. Dule theksoi se Partia për Bashkimin e të Drejtave të Njeriut ka në parim të saj vlerat europiane dhe nuk mund të pranonte që të ishte në të njëjtin koalicion me parti që nuk i kanë ato në bazë, por udhëhiqen nga armiqësitë e vjetra dhe kundërshtojnë aleatët tanë të drejtpërdrejtë që na kanë ndihmuar në procesin e integrimit në Bashkimin Europian. “Ne nuk mund të vazhdonim më këtë bashkëpunim sepse PD-ja u përpoq sistematikisht që në vitin 2007 të krijojë brenda PBDNJ-së struktura drejtuese paralele. Pati edhe një arsye tjetër po kaq të rëndësishme. PBDNJ-ja, duke qenë me bindje të qartë europiane, nuk mund të pranonte të ishte në kuadrin e një koalicioni me forca të tjera politike që asgjë të përbashkët nuk kanë me frymën europiane; me forca politike, në thelbin e programeve të të cilave është armiqësia, e shkuara, të cilat sot e kësaj dite, në mes të Tiranës, jashtë Ambasadës së BE-së, kërkojnë që të mos ecë procesi i integrimit nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre të mbështetura në objektiva fantazmë”, - tha Dule.

21 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›