E Diel, 1 Nëntor 2026

Prish pazaret e drogës, merret peng 27-vjeçari, policia në kërkim të autorëve



Gjirokastër – Prishja e pazareve të drogës dyshohet të jetë motivi i një pengmarrjeje të ndodhur dy ditë më parë në qarkun e Gjirokastrës, ndërsa policia ka mundur të identifikojë dje autorët. Burime nga policia lokale thanë se dje në sallën operative të Komisariatit të Policisë Tepelenë ka ardhur një telefonatë nga një shtetas, i cili ka njoftuar se e kanë marrë peng disa persona dhe ndodhej në fshatin Luftinjë të rrethit Tepelenë. Menjëherë pas marrjes së telefonatës nga ana e forcave të policisë së Komisariatit është bërë verifikimi i kësaj telefonate. Forca të shumta të policisë të Komisariatit të Tepelenës dhe të Sektorit Kundër Krimeve të Rënda të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër kanë shkuar në fshatin Luftinjë, ku nga puna e bërë është bërë e mundur kapja e njërit prej autorëve, si dhe bllokimi i automjetit tip “Mitsubishi” me targa TR 0609 F, në pronësi të Kastriot Didës, me të cilin është kryer pengmarrja. Burime nga policia thanë se ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës kur Kastriot Dida, në bashkëpunim me Pëllumb Çaushin dhe Sali Vilën, kanë marrë me forcë në qytetin e Gjirokastrës, me automjetin tip “Mitsubishi” me targa TR 0609 F, shtetasin S. Ç., nga fshati Lazarat i rrethit Gjirokastër, duke e mbajtur për disa orë në një banesë në fshatin Luftinjë të rrethit Tepelenë dhe më pas e kanë lënë të lirë.
Nga veprimet e kryera rezultoi se motivet e kësaj ngjarjeje kanë qenë prishja e pazareve në trafikun e lëndëve narkotike midis autorëve dhe të dëmtuarit. Nga ana e specialistëve të Sektorit Kundër Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër është bërë ndalimi i 29-vjeçari Sali Vila, lindur në Përmet dhe banues në fshatin Çepunë të rrethit Gjirokastër, për veprën penale “heqje e paligjshme e lirisë e kryer në bashkëpunim”. Gjithashtu është ndaluar edhe pengu S. Ç., 27 vjeç, pasi akuzohet për veprën penale “moskallëzim të krimit”.
Ndërkohë që ideatorët e pengmarrjes, Kastriot Dida, lindur dhe banues në Tepelenë, si dhe kunati i tij, Pëllumb Çaushi, po nga Tepelena, janë shpallur në kërkim.

Goditi me pasqyrën e automjetit kalimtarin në rrugë, i shkakton dëmtime në kokë

Shkodër – Forcat e policisë kanë arrestuar në flagrancë 33-vjeçarin Ervin Xhaka, lindur e banues në lagjen “10 Korriku” të Shkodrës, pasi në vendin e quajtur Parku Industrial të këtij qyteti, duke drejtuar mjetin e tij tip “Volkswagen”, me targa SH 4859 E, ka ndeshur me pasqyrë të anës së pasagjerit 48-vjeçarin Agim G., i cili po lëvizte si këmbësor. Për pasojë, Agim G. ka pësuar dëmtime në kokë e ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore në Spitalin rajonal të Shkodrës, aktualisht jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor ka mbërritur menjëherë në vendngjarje ku ka kryer të gjitha veprimet e duhura procedurale e hetimore dhe materialet në ngarkim të Ervin Xhakës i kaluan Prokurorisë së rrethit për veprën penale të “shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”.

23 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›