E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krimet e Rënda, hidhet shorti për dosjen për trafikim narkotikesh



Tiranë - Gjykata e Krimeve të Rënda përcaktoi dje me short kolegjin penal që do të gjykojë anëtarët e dyshuar të një grupi të trafikut të drogës nga Shqipëria në Greqi. Vetëm pak ditë më parë Prokuroria e Krimeve të Rënda përfundoi hetimet duke dërguar dosjen për gjykim me pretendimin se ka grumbulluar të gjitha provat e mjaftueshme. Dosja përfshin si të pandehur: Pajtim Hysllarin, Idriz Derxhon, Jetmir Madanin, Oljan Muçollarin dhe Leonard Luzin. Shorti përcaktoi që ajo të gjykohet nga një kolegj penal që do të drejtohet nga gjyqtari Idriz Mulkurti. Personat e lartpërmendur janë arrestuar në dhjetor të vitit të kaluar në Ersekë, kur po tentonin të kalonin përmes kufirit tokësor nga Shqipëria në Greqi, një sasi prej 35 kilogramësh Cannabis sativa, e cila u bllokua me cilësinë e provës materiale. Çështja ndaj tyre është hetuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila ka zbuluar se bima narkotike e bllokuar ishte blerë në fshatin Lazarat, Gjirokastër. Procesi ndaj pesë të pandehurve pritet të nisë së shpejti.

Gjendet drogë në tarracën e institucionit të edukimit në Durrës

Durrës – Policia gjen drogë në institucionin e edukimit në Durrës, në kërkim poseduesit e saj. Burime zyrtare nga Policia e Durrësit thanë se dje, në tarracën e një objekti (ofiçinë) që ndodhet brenda territorit të institucionit të edukimit Durrës, tre metra në anën perëndimore të tij, është gjetur nga punonjësit e policisë së këtij institucioni një sasi prej 11.05 gramësh bimë e dyshuar si bimë narkotike Cannabis sativa. Sipas policisë, lënda ka qenë e mbështjellë në një qese farmaceutike të tejdukshme. Ndërkohë që efektivat blu kanë kryer të gjitha veprimet hetimore dhe po punojnë për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësorë Durrës për veprën penale të “prodhimit dhe shitjes të narkotikeve”.

23 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›