Ndihma ekonomike, 70 mijë familje parashikohet t’i shtohen skemës deri në 2013-n
Deri në vitin 2013 parashikohet që në skemën e ndihmës ekonomike në vend të përfshihen rreth 70 mijë familje. Vetëm gjatë vitit 2008 janë hequr nga kjo skemë mbi 5 mijë familje, të cilat nuk plotësonin kriteret për ta përfituar këtë ndihmë. Drejtori i Shërbimit Social Shtetëror, Mihal Naço, shprehet se mangësitë e ligjit dhe moszbatimi nga njësitë vendore i udhëzimeve të pushtetit qendror sjellin abuzimet që bëhen në këtë skemë. “Kemi hequr nga skema e ndihmës ekonomike 5700 familje, të cilat e përfitonin në mënyrë abuzive ndihmën ekonomike. Të gjitha njësitë vendore kanë probleme me pastërtinë e skemës së ndihmës ekonomike. Kjo ndodh se në pushtetin vendor masat që ne propozojmë nuk zbatohen, sepse ka një boshllëk ligjor”, - shpjegon Naço. Sipas tij, përveç rishikimit të numrit të përfituesve nga skema e ndihmës ekonomike, parashikohet dhe një rritje e tarifës që qytetarët marrin çdo muaj.
27 Shkurt 2009