E Diel, 1 Nëntor 2026

Politika shqiptare percjell urimet me te mira me rastin e festes

Drejtues të Tiranës zyrtare dhe diplomacia e huaj e akredituar në të kanë përcjellë mesazhe të shumta urimi për të gjithë besimtarët myslimanë me rastin e festës së Kurban Bajramit. 
Nishani: Kurban Bajrami shënon një moment solemn
Presidenti, Bujar Nishani me rastin e Kurban Bajramit ka uruar sot me një mesazh të gjithë besimtarë myslimanë shqiptarë kudo ku punojnë dhe jetojnë. "Përzemërsisht ju shpreh urimet më të mira me rastin e festës së shenjtë të Kurban Bajramit, ditë e cila shënon një moment solemn për çdo besimtar mysliman në shprehjen e cilësive më të larta të Islamit! Në këtë ditë të bekuar lutjet dhe falënderimet zënë vend në çdo sofër besimtari, ndërsa virtyte të bamirësisë, mirëdashjes, dhembshurisë dhe dashurisë për njerëzit, sidomos tek ata më në nevojë,  ringjallet tek secili qytetar”, shkruhet në mesazhin e urimit të Presidentit Nishani.  Në këtë mesazh, kreu i shtetit e ka cilësuar festën e sotme si një pjesë integrale të trashëgimisë shpirtërore të popullit tonë. “Me tolerancën dhe harmoninë ndërfetare që na karakterizon në shekuj, ne i përcjellim njëri-tjetrit urimet më të ngrohta e të ndjera për mbarësi, mirësi e begati në familje, në jetë. Ky është një tregues i përkushtimit tonë për vlerat më të larta njerëzore, çfarë na fisnikëron si popull, promovon mirëkuptimin dhe bashkëpunimin në shoqëri, si dhe konsolidon përpjekjet tona të përbashkëta për një të ardhme të ndritur, për një të ardhme, të cilën ne e shohim të projektuar si pjesë e familjes së madhe evropiane, tek e cila afrohemi me vlera dhe trashëgimi kombëtare dinjitoze. Paçi ngahera në familjet tuaja shëndet, gëzim, paqe, begati e mirëqenie!" thuhet ne mesazhin e urimit te presidentit”, thuhet më tej në këtë mesazh. 

Berisha: Shpreh nderim për udhëheqësit shpirtërorë
Nga ana e tij Kryeministri Berisha, në mesazhin për besimtarët myslimanë me rastin e kësaj feste, uroi që Kurban Bajramin e ardhshëm ta festojnë më mirë më të gëzuar me një fitore të re të merituar. “Uroj të gjithë besimtarët myslimanë por të gjithë besimtarët e tjerë të zotit këtë ditë të madhërishme të sakrificës për të mirën, ditën e Kurban Bajramit, ditë që i kujton çdo njeriu se sakrifica është themeli i të gjitha mirësive njerëzore dhe kombëtare. Ditën që frymëzon mirëkuptim, dashuri respekt dhe tolerance. Duke uruar gëzuar këtë ditë shpreh vlerësimin për udhëheqësit shpirtëror të komunitetit mysliman dhe të komuniteteve të tjera të cilët me një mençuri të madhe me një përkushtim të madh dhe besim të pakufishëm tek zoti po konsolidojmë visarin më të çmuar të kombit shqiptar tolerancën fetare e cila është dëshmi e një qëndrimi të pashembullt qytetar të besimtarëve shqiptarë. Uroj që Kurban Bajrami tjetër ta festojmë më mirë, më të gëzuar me një fitore të re të merituar”, u shpreh Berisha gjatë urimit të tij.  
Topalli: Kurban Bajrami ka në thelb sakrificën
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ka uruar sot të gjithë shqiptarët për festën e Kurban Bajramit. “Gëzuar festën e Kurban Bajramit për të gjithë. Kjo është festa sakrificës dhe e begatisë. Urimi shkon për të gjithë ata që sakrifikuan për këtë vend dhe bënë të mundur që vendi ynë të jetë i lirë. Me gjithë zemër uroj gëzuar festën e Kurban Bajramit. Është festa e humanizmit”, theksoi Topalli. 
Basha: Është zgjidhur çështja e pronësisë së xhamisë
Kreu i bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ka uruar sot të gjithë besimtarët myslimanë për festën e Kurban Bajramit.  "Dua të jap një lajm të mirë për të gjithë besimtarët myslimanë se është zgjidhur edhe çështja e pronësisë për ndërtimin e xhamisë. Është arritur edhe një marrëveshje me pronarët dhe kështu i hapet rrugë ndërtimit të xhamisë. Kjo është një festë e cila përkujton disa virtyte por unë dua të ndalem tek solidariteti njerëzor, për kujdesin për më të vegjlit, për më të moshuarit, për më të vobegtit.Kjo të jetë një moment reflektimi për të gjithë ne dhe për udhëheqësit politik të vendit që të shohin më shumë për interesat e vendit dhe jo interesave partiake”, vuri në dukje kryebashkiaku Basha.
Krerët politikë
Gjithashtu dhe kreu i FRD-së Bamir Topi ka uruar të gjithë shqiptarët për festën e Kurban Bajramit.  “Kjo është një ditë me një kuptim shumë të madh dhe mesazhi që jap sot dhe të gjithë ditët që do të vijnë është që logjika, arsyeja, toleranca të mbizotërojë mbi injorancën, arrogancën dhe mungesën e vullnetit. Uroj edhe njëherë gëzuar Kurban Bajrami dhe mirësi, begati dhe harmoni” u shpreh Topi. Një urim për këtë festë erdh dhe nga kreu socialist, Edi Rama. "I uroj të gjithëve gëzuar dhe posaçërisht të gjithë atyre që sot nuk ndihen mirë, që janë në spitale, që janë në fundin e muajit dhe s`kanë të ardhura dhe të gjithë atyre që kanë nevojë për dritë shrpese dhe për kurajo dhe ata janë shumica. Ashtu sikundër uroj që nesër të jetë më mirë dhe padyshim që do të jetë më mirë”, vlerësoi Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›