Myslimanet ne Maqedoni kremtojne Kurban Bajramin

Besimtarët myslimanë në Maqedoni sot kremtojnë festën e Kurban Bajramit, festa e dytë më e madhe myslimane pas Fitër Bajramit. Falja qendrore e namazit të Bajramit u bë në xhaminë e Mustafa Pashës në Shkup. Në festën e Kurban Bajramit respektin ndaj Zotit, myslimanët e shprehin me therrje të kurbanit. Me këtë festë kurorëzohet Haxhi, që është kushti i pestë i islamit, i cili është dëshmi për solidaritet dhe mirëqenie. Në emër të kryetarit të BFI-së mesazhin për këtë festë e përcolli Dekani i Fakultetit të Shkencave Islame, Faredin Ebibi. Ai tha se festa e kurban bajramit fton të gjithë besimtarët të jenë të arsyeshëm, të reflektojnë kthimin e sinqertë në parimet e Fesë Islame, të kultivojnë vlera njerëzore ndaj të gjithëve, me theks të veçantë ndaj të afërmve, fqinjëve dhe ndaj gjithë atyre që kanë nevojë.
Me rastin e festës së Kurban Bajramit besimtarët myslimanë në Maqedoni i ka uruar presidenti, Gjorge Ivanov, kryeministri Nikolla Gruevski dhe liderët e partive politike shqiptare. Presidenti Ivanov në urimin e tij ka theksuar se Kurban Bajrami është festë e solidaritetit dhe unitetit, festë e cila i potencon të gjitha virtytet njerëzore dhe festë në të cilën u zgjatet dora të gjithëve më pak të pasur. Në telegram urimin e tij drejtuar kryetarit të BFI-së, kryeministri Nikolla Gruevski shkruan: "Humaniteti dhe toleranca dhe të gjitha karakteristikat e mira te njeriu le të jenë përditshmëria e juaj, ndërsa zemrat e juaja le të plotësohen me vlerat për bashkëjetesë, mirëkuptim dhe unitet në vendin tonë”. Lideri i BDI-së Ali Ahmeti në urimin e tij shkruan se Kurban Bajramin e karakterizon pelegrinazhi, solidariteti, ndihma e ndërsjellë dhe shtrirja e dorës së miqësisë nëpërmjet të fuqizimit të besimit në Zot dhe në cilësitë e vlerat njerëzore. Të gjithë besimtarëve myslimanë festën e Kurban Bajramit ua ka uruar edhe lideri i PDSH-së. Në telegram urimin e tij thuhet : “Të udhëhequr nga fryma e kësaj feste të bekuar, të vazhdojmë të kultivojmë vlerat tona fetare dhe kombëtare për të ndërtuar një të ardhme me të ndritur për gjeneratat që vijnë pas”. Edhe Rilindja Demokratike Kombëtare ka uruar besimtarët mysliman për festën e Kurban Bajramit me dëshirën që kjo festë të sjellë paqe, dashuri dhe solidaritet.