Politika shqiptare përshëndet votimin e Senatit Amerikan
Edhe gjatë ditës së djeshme kanë qenë të shumta reagimet përshëndetëse të politikës shqiptare ndaj votimit të Senatit Amerikan për ratifikimin e marrëveshjes së anëtarësimit të Shqipërisë dhe të Kroacisë në NATO. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cilësoi si një ngjarje të jashtëzakonshme për popullin shqiptar, për mbështetjen e dhënë nga Senati Amerikan, të cilit i shprehu mirënjohje dhe falënderim në emër të Kuvendit të Shqipërisë. “Kjo është një ngjarje e jashtëzakonshme për kombin shqiptar. Kjo është një arritje e madhe për të gjithë shqiptarët. Dëshiroj me këtë rast t’i përcjell në emër të Kuvendit të Shqipërisë, mirënjohjen më të thellë Senatit të Shteteve të Bashkuara, i cili në unanimitet votoi që Shqipëria të bëhet pjesë e Aleancës së Lirisë”, - tha Topalli.
Kreu i PS-së, Edi Rama, i shprehu gjithashtu falënderime Senatit Amerikan për votën pro anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Rama tha se procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO është vonuar si rezultat i politikës së vjetër, ndërkohë që ai shprehu krenarinë për kontributin që dha PS-ja dhe politika e saj e re në këtë proces. “Nga ana tjetër, jam krenar që në këtë proces, Partia Socialiste ka luajtur rolin e saj. Përmes këtij roli, ka bërë të mundur që politika shqiptare të shprehë atë konsensus që ka populli shqiptar për përkatësinë tonë në familjen euroatlantike dhe për anëtarësimin tonë në NATO. Ky është një anëtarësim që duhet të ishte bërë kohë më parë, nëse politika shqiptare të ishte pasqyrë e aspiratës dhe vetëdijes së popullit shqiptar për në NATO. Nëse kjo ndodhi me vonesë, është përgjegjësia e politikës, partive politike, ashtu si kundër është nga ana tjetër edhe një arsye për të qenë krenar, që si një lokomotivë në jetën politike shqiptare, Partia Socialiste në opozitë luajti një rol historik për ta garantuar 100% këtë proces”, - tha Rama. Votimi është përshëndetur edhe nga LSI-ja, e cila e ka cilësuar atë si një ngjarje shumë të rëndësishme në rrugën e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Por Edmond Haxhinasto, kreu i KDK-së së LSI-së, theksoi gjithashtu se “ky votim kërkon një rritje të përgjegjshmërisë politike të kësaj qeverie për të realizuar të gjitha ato reforma që janë vënë si kusht për anëtarësimin tonë në NATO, e veçanërisht reformën zgjedhore dhe transparencën për ngjarjen e Gërdecit”. Reagime përshëndetëse ka pasur edhe nga Partia Republikane, e cila falënderoi qeverinë amerikane dhe popullin amerikan për kontributin e tyre për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.
29 Shtator 2008