E Diel, 1 Nëntor 2026

Administrata, shtohen 1195 punonjës

 

ADI SHKEMBI

Qeveria shton edhe 950 vende të tjera në administratë për punonjësit me kontratë të përkohshme dhe 245 me kontratë të përhershme. Dy muaj pas miratimit të vendimit të parë kur shtoheshin 1618 vende për këta punonjës, qeveria ka miratuar dje një tjetër vendim, duke e çuar numrin total të tyre është 2568. Nga këto institucioni që ka përfituar më shumë shtesa është Ministria e Brendshme me 562 punonjës.
Vendimi
Me propozim të ministrit të Financave, Ridvan Bode, Këshilli i Ministrave miratoi dje projektin për disa ndryshime në vendimin e muajit prill ‘për përcaktimin e numrit të punonjësve me kontratë të përkohshme për vitin 2009, në disa ministri dhe institucione qendrore’. Konkretisht, Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka kërkuar të punësojë 527 punonjës me kontratë të përkohshme për këtë vit. “Nga ana jonë është gjykuar që vetëm 113 punonjës plotësojnë kriteret e përcaktuara në vendimin nr. 1703, datë 24.12.2008 të Këshillit të Ministrave ‘për vendosjen e standardeve të shërbimeve dhe të veprimtarive sezonale/ të përkohshme për Ministritë dhe Institucionet qendrore. Këta punonjës janë kryesisht të profesioneve: 41 sanitare, 65 punëtorë të gërmimit dhe pastrimit të ekspeditave të Qendrës së Studimeve Albanologjike”, thuhet në relacionin e hartuar nga Ministria e Financave. Ministria e Drejtësisë ka kërkuar 30 punonjës me kontratë të përkohshme në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në qendër dhe rajone për shqyrtimin dhe përpunimin e dosjeve. Ndërkohë, Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit ka kërkuar të punësojë tetë punonjës, pesë prej të cilëve janë agjentë tatimorë në kapitaneritë e porteve në rrethe, ndërsa dy të tjerët janë punonjës të mirëmbajtjes në institutin e transportit dhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Ujësjellës-Kanalizimeve. Ndërkohë, Prokuroria e Përgjithshme do të ketë në organikën e saj pesë punonjës më shumë, kurse Autoriteti i Konkurrencës një punonjës më shumë me kontratë gjashtë mujore. Paralelisht me këtë vendim, në mbledhjen e djeshme u miratua shtimi i organikës për gjashtë institucione me 245 punonjës me kohë të plotë në total.

institucionet ku do shtohen punonjesit e rinj

Institucioni        Shkurt        Prill

Kuvendi            11        11
K. Ministrave        1        1
M. Ekonomisë        44        44
M. Bujqësisë        190        213
M. Punëve Publike     803        811
M. Financave        49        49
M. Jashtme        16        16
SHISH            40        40
M. Punës        83        83
Gj. Kushtetuese        2        2
INSTAT            378        378
A. Konkurrencës     1        2
M. Arsimit        -        113
M. Turizmit        -        22
M. Shëndetësisë    -        8
M. Drejtësisë        -        30
M. Brendshme        -        562
D. Arkivave        -        30
M. Mjedisit        -        140
Prokuroria        -        5
ATSH            -        3
KLD            -        2
K. Kontabilitetit         -        1
Të tjera            -        2

Total            1618        2568

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›