Punët e vështira jo më shumë se 48 orë në javë
Punonjësit që janë të punësuar në punët e cilësuara si të vështira apo të rrezikshme, nuk duhet të punojnë më shumë se 48 orë në javë. “Punëdhënësi dhe punëmarrësi me marrëveshje dypalëshe për këto vende pune parashikojnë që kohëzgjatja maksimale javore e punës të mos kalojë 48 orë në javë, përfshirë në këtë kohëzgjatje edhe orët shtesë të punës”, thuhet në vendimin e miratuar dje nga qeveria. Në sajë të këtij vendimi, synohet që të mbrohet shëndeti i punonjësve, të cilët punojnë në punë të vështira. Ky projektvendim nuk ka efekte financiare për buxhetin e shtetit. Ky projektvendim u përgatit në mbështetje të programit politik të Këshillit të Ministrave, si dhe detyrimeve që burojnë nga marrëveshja e stabilizim asociimit BE-Shqipëri. Në nenin 97 të marrëveshjes është përcaktuar edhe detyrimi i përafrimit të legjislacionit shqiptar me atë të BE-së, ndër të tjera edhe çështjet e sigurisë dhe shëndetit në punë. Mbështetur në këtë detyrim të MSA-së në planin kombëtar të zbatimit të MSA BE-Shqipëri është parashikuar dhe kjo si masë legjislative në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë. Në projektvendimin e miratuar dje nga qeveria përcaktohet kufiri maksimal i kohëzgjatjes javore të punës dhe orëve shtesë mbi këtë kohëzgjatje për punët e vështira dhe të rrezikshme. Rregullimet e kohëzgjatjes javore të punës dhe të orëve shtesë nën këtë interval i janë lënë marrëveshjes ndërmjet palëve, pra kontratës kolektive apo individuale të punës.