Mbaron dimri, nis kontrolli për gazin
Me mbarimin e stinës së dimrit, Ministria e Energjetikës ka nisur një kontroll për mbylljen e pikave të paligjshme të tregtimit të gazit. Brenda tre ditësh, të gjitha pikat e tregtimit të gazit në kryeqytet që janë të paligjshme dhe që ndodhen në afërsi të pallateve do të mbyllen. Duke e konsideruar situatën alarmante, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ka nisur aksionin. Pas pikave të gazit, do të mbyllen edhe pikat e paligjshme të karburanteve. “Ky aksion është parashikuar të mbyllet brenda tre ditësh. Pas Tiranës operacioni do të vazhdojë në qytete të tjera të vendit, si Durrës e Shkodër, e më pas do të vazhdojmë edhe me impiantet dhe instalimet e furnizimit me naftë të automjeteve. Situata është shumë e vështirë, ka pasur një bum të krijimit të këtyre pikave ilegale të cilat janë shumë pranë zonave të banuara e kërcënojnë çdo ditë jetën e njerëzve“, tha zv/ministri i Energjetikës, Neritan Alibali. Sipas tij, nga informacionet e mbërritura, konstatohet se situata më emergjente rezulton të jetë në përpunimin dhe tregtimin e Gazit në Tiranë, si dhe në disa qytete të tjera të mëdha të vendit. Është konstatuar se procesi i transvazimit të GLN (gazit të lëngëzuar të naftës) nga bombola në bombol, duke bërë mbushjen e tyre në pika shitje e ambiente brenda zonave të banuara, pa lejet përkatëse, është i pasigurt pasi nuk ka asnjë element sigurie teknike, është proces i pakontrolluar.