Licencat, qeveria shtyn me 6 muaj afatin për firmat e ndërtimit
Pas ankesave të ndërtuesve, qeveria ka vendosur që të shtyjë me 6 muaj afatin për marrjen e licencave të reja për kompaninë e ndërtimit. Sipas vendimit të miratuar në janar të vitit të kaluar, përcaktohej se kompanitë e ndërtimit kishin afat deri në dhjetor të vitit 2008-ë, për të kryer rikategorizimin dhe riklasifikimin e subjekteve juridike. Deri në muajin dhjetor të vitit të kaluar është arritur të kryhet ky proces sipas kritereve e procedurave të reja të kategorizimit dhe klasifikimit vetëm për 850 subjekte juridike që ushtrojnë veprimtarinë ndërtimore, të cilat përbëjnë vetëm 45 për qind të subjekteve që disponojnë licenca të vlefshme, sipas kritereve të mëparshme. Pjesa tjetër e subjekteve nuk ka aplikuar brenda afatit të përcaktuar nga qeveria. Në një situatë të tillë, qeveria vendosi që të shtyjë afatin e rilicensimit për ato kompani që nuk e kanë bërë një gjë të tillë ende. “Për të vazhduar procesin e rilicensimit edhe për ato subjekte, të cilat akoma disponojnë licenca të përfituara para hyrjes në fuqi të vendimit, në mënyrë që të mos penalizohen këto subjektet dhe të vlerësohen punimet e kryera nga ato në katër vitet e fundit, nevojitet që afati i këtij procesi të vazhdojë të paktën edhe gjashtë muaj nga data e miratimit të shtyrjes së afatit”, thuhet në vendimin e miratuar dje nga qeveria. Vetëm pak ditë më parë, në një deklaratë për media, ndërtuesit deklaruan se rregullorja e re e Ministrisë së Punëve Publike për licencimin e kompanive të ndërtimit, në vend që të vendoste rregull duket sikur i ka ngatërruar më shumë punët. Sipas tyre, rregullorja e re merr parasysh vetëm aktivitetin e bërë gjatë tre viteve të fundit nga një firmë ndërtimi, ndërkohë që ka firma që kanë mbi 10 vite që operojnë në treg. Sipas ndërtuesve, kjo do të thotë edhe humbje në vlerë monetare nga ana e këtyre shoqërive.