E Diel, 1 Nëntor 2026

Politika të zgjidhë shqetësimet e qytetarëve

Kryetari i PS-së, Edi Rama, zhvilloi dje një takim me përfaqësues të shoqërisë civile

Elbasan- Nga qyteti i Elbasanit, në një takim me përfaqësues të shoqërisë civile dhe biznesit, kryetari i PS-së, Edi Rama, ka kërkuar që politika e politikanëve të merret me çështjet që u përkasin qytetarëve, dhe jo për ato që i shërbejnë karriges apo interesave të tyre personale. “Tashmë duhet të ndryshojë botëkuptimi dhe mënyra sesi bëhet politikë, pasi ky bashkëbisedim që bëjmë ne sot është larg skenave të lojës së politikës së ngushtë, e cila ashtu si mund të jetë çudibërëse, nëse u shërben interesave dhe zgjidhjes së halleve të qytetarëve, ashtu mund të jetë shkatërruese, nëse këto interesa i nëpërkëmb”,- tha Rama. Në bisedën e zhvilluar me përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe biznesit, Rama ka dëgjuar mendimet dhe vlerësimet e pjesëmarrësve, të cilët kanë shtruar si nevojë konkretizimin e alternativës socialiste dhe përfshirjen e sa më shumë aktorëve në politikë. Gjithashtu, ai ka biseduar edhe për mënyrën se si mund të ketë gjithëpërfshirje në politikë. Pyetjes mbi mundësinë e bashkimit me kreun e LSI-së, Ilir Meta, Rama evitoi t’i përgjigjej, duke thënë se ishte në këtë takim për të dëgjuar mendimin qytetar larg politikës së Tiranës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›