E Shtunë, 31 Tetor 2026

Politikanë pa lumturi, në një vend të lumtur

A shqetësohet kush në politikbërjen shqiptare për nivelin e lumturisë së shqiptarëve? Nuk e dëgjojmë asnjeherë fjalën “lumturi” në të përditshmen institucionale. Dukshëm, po të masësh tensionin që prodhon lufta politike pushtet-opozitë, është e qartë se jo. Palët përpiqen t’i hedhin sa më shumë benzinë zjarrit të urrejtjes dhe përgjegjëse më shumë se kushdo është shumica, pra, njerëzit që në pushtet kanë të shpërblyer si kuletën ashtu dhe egon e ambicjen. Agresiviteti duhet të shkonte në kahun e kundërt me realizimin e disa synimeve materiale (siç kapitalizmi mëson) dhe karriera politike, apo ajo që deri më sot është menduar si “arritje”, duhet të shërbente të rriste lumturinë personale të individëve. Por, a është e lumtur sot ajo pjesë e politikës që ka pushtetin apo ajo pjesa tjetër, që kërkon ta marrë atë? Nga çfarë shohim e dëgjojmë, mund të themi pa frikë se jo. Mirëqënia që kryetari i Partisë Demokratike mundi të realizojë për ndjekësit e tij duket se i ka çuar ata me siguri në realizimin e aspekteve materiale si: vila luksoze, makina të shtrenjta, veshje të fisme, por jo në atë më të rëndësishmen: lumturinë. Kjo dallohet lehtë përmes “armës” unikale që qëniet njerëzore kanë më të shtrenjtën e të shtrenjtave: fjalën. Fjala e burrave dhe grave që sot drejtojnë vendin është shumë e ngarkuar me negativitet, me keqqënie dhe situata është alarmante. Po sa e mbajnë në vëmendje lumturinë e njerëzve dhe opozita, ajo që kërkon të vijë në pushtet e të drejtojë sërish vendin? Agresiviteti është i dukshëm edhe aty, madje i shëmtuar dhe i pavend sidomos te fytyra të reja e femërore të angazhuara në të. Pra, kemi njerëz në politikë që nuk janë të lumtur ose të paktën, nëse të tillë janë, nuk e përcjellin atë përmes fjalës. Po shqiptarët? Në të vërtetë, vendet më të përparuara sot dhe ajka e ekonomistëve të Universiteteve më prestigjoze po kërkojnë një tjetër matës të mirëqënies së një populli, që s’është më tradicionali dhe i ftohti GDP. Happy Planet Index është pikërisht metoda që do t’i përkasë së ardhmes: një matës i nivelit të mirëqënies së popullsisë që jeton në të vetmin planet që kemi deri më tani të jetueshëm. Ky indeks mat në mënyrë të thjeshtë elementë objektivë: synimet në jetë, ekologjinë e sistemit prodhues dhe ata subjektivë: pëlqyeshmërinë e të përditshmes së çdo individi. Rezultatet janë nga më interesantet dhe në mediat shqiptare janë përcjellë përgjithësisht. Në vendet e para të popujve më të lumtur nuk janë shtetet me individët më të pasur, përkundrazi, vendin e parë e mban Kosta Rika, ndërsa Luksemburgu, me GDP më të lartë në botë (80.000 dollarë në vit për frymë) renditet nga vendi I 122. Po ku është Shqipëria? Ku janë shqiptarët? Lajmi është përcjellë si një gjë e pabesueshme: jemi në vendin e 54 dhe lemë pas në lumturi italianët, francezët, britanikët, japonezët, spanjollët, kanadezët, norvegjezët, danezët e me radhë vende të tjera që të gjithë i kemi zili. Sigurisht që sondazhi, matësi i lumturisë nuk është bërë në zyrat e kryeministrit dhe as në ato të opozitës. Eshtë bërë në individë të moshave, qyteteve e krahinave të ndryshme të Shqipërisë. Pra, me gjithë agresivitetin që përcillet e që bie përditë mbi njerëzit, ne shqiptarët, jemi popull relativisht i lumtur. Mendoni cfarë potencialesh ka një vend si Shqipëria po të kishte dhe politikanë të kënaqur e të çliruar nga ankthe të pasurive: një palë që jeton me tmerrin se do të humbë çfarë ka mbledhur e një palë tjetër, që jeton po me ankthin se po harxhon ato që ka grumbulluar më parë. Janë të dy të palumtur në një vend ku njerëzit shprehen se ndjehen mirë.
(Shkrimi eshte botuar sot ne Gazeta Shqiptare/balkanweb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›