E Shtunë, 31 Tetor 2026

Politikanët dhe politikanucët

Politikanët dhe politikanucët…; të dy palët janë pjesë e politikës sonë prej vitesh. Politikanët i kanë të stabilizuara idetë e veta; politikanucëve u mungojnë ato. Këta (politikanucët) veprojnë sipas rrethanave: hedhen herë në një parti, herë në tjetrën. E ndryshojnë lëkurën shpejt. Ndërrimi i librezave, s’do të thotë bash asgjë për ta. Qëllimi i tyre s’ka qenë e s’është avancimi i politikës. Po cili, pra, atëherë? S’është pyetje që do kohë, për t’ia gjetur përgjigjen: librezat i ndërrojnë pa përtesë, për të qenë dikushi në fshat, në lagje, në qytet, në kryeqyetet, në Kosovë, në Shqipëri. Madje, dikund më pati rënë të dëgjoja se politikanucët ia mësyjnë politikës për të qenë dikushi edhe te gratë e veta… Para sistemit plural (në ish-sistemin komunist) politikanucët nuk mund t’i ndërronin partitë, se s’ua lejonte sistemi as andej, as këndej kufirit. Në pamundësi të akrobacionave partiake, i servilizoheshin herë njërit e herë tjetrit udhëheqës komunist. Pas 90-shit, kur komunizmi mori fund në Kosovë e Shqipëri, politikanucët i ndërruan partitë si Don Zhuani gratë ( Besa edhe në këtë aspekt janë mjaft aktivë). Politikanucët u shumëfishuan sidomos pas luftës. Mjeshtër të vërtetë janë këta. S’bëjnë zë fare deri në një momen. E cili është ky moment? Kur ua merr mendja se partia e tyre ka filluar ta marrë tepozhzen, japin dorëheqje, për t’u bërë “disidentë”. Kështu “rejtingohen”, për të kërkuar rastin t’i ngjiten partisë tjetër. Dhe shpesh s’kalon as një muaj, kur lexon e dëgjon se kanë gjetur aranzhmane të tjera partiake! Tash madje, për inate që kanë liderët ndaj njëri-tjetrit, i ngrisin politikanucët sa më lart në hierarkitë e partive të veta. Për shkak të këtij inati, jeta e politikanucëve po bëhet gjithnjë e më me përspektivë…
E politikanët? Këta janë njerëz me karakter. Njerëz me ide të qarta; janë pjesë e një subjekti, deri kur të binden se koncepti i tyre politik, nuk përputhet me atë të partisë. Atëherë japin dorëheqjen. Po dorëheqja e tyre s’është si e politikanucëve. Politikanët nuk kalojnë në parti të tjera, por i rikthehen profesionit të vet të mëparshëm. Kthehen aty ku kanë punuar më parë: ose në gazetari, ose në arsim, ose në shëndetësi, ose në ekonomi…; kurrmë s’bëhen pjesë e strukturave partiake. Të këtillët janë disidentë të vërtetë. Politikanët, prandaj, e avancojnë politikën, kurse politikanucët e degradojnë. Sa e sa politikanucët kanë parakaluar në skenën tonë politike deri më tash! Sa të duash. Madje kanë marrë vota në zgjedhje më shumë se politikanët, edhe pse të gjithë e kemi ditur se janë politikanucë!!!
Kosova e Shqipëria kanë nevojë për njerëz të ndershëm, që kanë ndërgjegje për veprimtarinë e tyre politike. Atje e këtu duhet t’i përkrahim vetëm politikanët. Politikanucët duhet t’i shpiejmë në “muze”, për të marrë shembull vizitorët se si nuk duhet t’i qasemi politikës…

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›