SHBA: Bisedime teknike, kur Serbia të kuptojë se statusi i Kosovës është çështje e mbyllur
Ambasadori amerikan në Kosovë, Kristofer Dell, ka ripërsëritur qëndrimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës se statusi i Kosovës është çështje e mbyllur, duke tërhequr vëmendjen Qeverisë së Serbisë që mos të insitojë për negociata të reja që kanë të bëjnë me statusin dhe integritetin territorial të Kosovës. “çdo kohë është e përshtatshme për bisedime mes Kosovës dhe Serbisë, si dy vende fqinje, dhe një dialog për çështje praktike. Këto bisedime, mund të zhvillohen mes dy shteteve në atë moment kur Qeveria e Beogradit do të kuptojë se dialogu për statusin e Kosovës, integritetin territorial dhe ndarjen e saj nuk do të jenë në tavolinë e bisedimeve. Duke folur për strategjinë e veriut të Kosovës, Ambasadori Dell është shprehur se ajo ka mbështetjen e plotë nga SHBA-të dhe ka marrë përkrahje edhe nga përfaqësuesi i OKB-së, por, “duhet të kemi të qartë se nuk mund të zbatohet brenda natës, pasi që, gjërat në atë pjesë të Kosovës, për 10 vjet kanë ecur mbrapa. Ndërsa, lidhur me qëndrimin e Ambasadës Amerikane ndaj udhëheqjes së Komunës së Vitisë, që ka të bëjë me decentralizimin, respektivisht kundërshtimin e krijimit të Komunës së Kllokotit, Ambasadori Dell nuk dha ndonjë sinjal për zbutjen e qëndrimit amerikan ndaj institucioneve komunale të Vitisë, duke u shprehur jo i kënaqur me veprimet e udhëheqjes komunale. “Problemet dhe mosmarrëveshjet që i kemi me Komunën e Vitisë janë më të thella se ai i kundërshtimit të procesit të decentralizimit. Ata me qëndrimin e tyre dhe veprimet e deritanishme kanë minuar Planin e Ahtisarit, gjë që nuk më bënë të ndihem mirë dhe i kënaqur. Dorëheqja e zv/kryetarit të Komunës së Vitisë është një veprim shumë i mençur dhe në kohën e duhur, pasi që kurrë nuk është vonë të bëhet përmirësimi i gabimeve”, ka thënë Dell. Në konferencën për media të Ambasadorit amerikan, Kristofer Dell, që u mbajt në Kllokot, ishte i pranishëm edhe Kryetari i Komunës së Kllokotit Sasha Mirkoviq, i cili ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës më shumë angazhim në zbatimin e procesit të decentralizimit.
Edhe pas njohjes së 66-të, konfirmohet se GJND-ja ka ndikuar tek bllokimi i njohjeve/Mbretëria e Suazilandit është shteti i fundit që ka bërë njohjen formale të Republikës së Kosovës, duke e rritur numrin e njohjeve në 66. Megjithatë, zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme pranojnë se procesi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë ka pasur ndikim në procesin e njohjeve. Zyrtarët në Ministrinë e Punëve të Jashtme (MPJ) kanë thënë se këto ditë mund të ketë shtim të numrit të njohjeve ndërkombëtare për Kosovën. Albana Beqiri, zëdhënëse në këtë ministri, konfirmon se nga kontaktet e vazhdueshme që MPJ ka me përfaqësuesit e shteteve të ndryshme, por edhe me ambasadorët e Kosovës, ka sinjale për njohje të reja. Por, siç thotë ajo, procesi i Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë ka bërë që të ketë vonesa në këtë drejtim. “GJND-ja ka ndikuar në stagnimin, ta quaj kështu, të njohjeve. është një fakt, të cilin ne e kemi potencuar edhe më herët dhe e kemi pranuar vazhdimisht. është një numër shtetesh, që pret opinionin këshillëdhënës për të marrë vendimin”. “Ne vazhdimisht ju kemi potencuar se kemi sinjale për njohje të reja. Ne nuk kemi nxituar asnjëherë dhe nuk ka qenë në natyrën e Ministrisë së Punëve të Jashtme që të deklarojë njohje paraprakisht, pa ndodhur ato zyrtarisht”, thotë Beqiri.
Por, përfaqësues të partive opozitare dhe analistë për çështje politike vazhdimisht kritikojnë institucionet, përkatësisht Ministrinë e Punëve të Jashtme, duke thënë se kjo ministri nuk ka një strategji të duhur për lobim. Analisti Ardian Arifaj thotë se përveç numrit jo të mjaftueshëm të njohjeve, është shqetësues edhe fakti që Kosova mungon në forume të ndryshme ndërkombëtare. “Shumica e vendeve në botë sot po e presin vendimin e GJND-së, për të vendosur pastaj se a do ta njohin pavarësinë e Kosovës apo jo. Për ne është shqetësuese se, përveç njohjeve për Kosovën, po mungon edhe debati për Kosovën. Nuk është duke u folur aspak nëpër forumet ndërkombëtare”. “Kam frikë se për këtë, një pjesë të madhe të përgjegjësisë e kemi ne këtu në Prishtinë, sepse nuk po angazhohemi mjaft që të lobojmë“, shprehet Arifaj. Albana Beqiri hedh poshtë deklaratat se Ministria e Punëve të Jashtme nuk është aktive sa i takon çështjes së lobimit. “Ne mund t’ju themi se Ministria e Punëve të Jashtme e ka pasur prioritet lobimin që nga themelimi i saj dhe do ta ketë prioritet deri në momentin që ta kemi njohjen e fundit”. “Për vetë rëndësinë që ka procesi i njohjeve për Kosovën, Ministria e Punëve të Jashtme, edhe pse nuk është ministri e lobimit, e ka prioritet lobimin. Tashmë e kemi pakëz më të lehtë, kemi 20 ambasadorë, të cilët, ndër aktivitetet kryesore të tyre, kanë edhe lobimin”, thekson Beqiri. Por, Avni Arifaj konsideron se aktiviteti i ambasadorëve të Kosovës është i limituar, pasi që, sipas tij, lobimi i tyre varet nga Prishtina dhe strategjia. “Ambasadorët kosovarë i presin instruksionet nga Prishtina. Nëse Prishtina nuk ka një strategji, atëherë është shumë vështirë për ambasadorët”, thotë Arifaj. Kosova, deri më tash, është njohur nga shtetet më të fuqishme botërore, ndër to: Shtet e Bashkuara të Amerikës dhe 22 vende të Bashkimit Evropian.