Berisha sot në Bruksel, dorëzon dosjen për anëtarësimin e Shqipërisë
Përmbyllet procesi i ndërlikuar i përgjigjeve për 2300 pyetjet e pyetësorit për vendet që aplikojnë për marrjen e statusit kandidat. Në një ligjëratë në panelin e fondacionit “Robert Shuman”, Berisha mban ligjëratën “Anëtarësimi i Shqipërisë po bazohet mbi meritën e reformave”
Kryeministri Sali Berisha nis sot një vizitë dy ditore në Bruksel, ku do të dorëzojë para autoriteteve më të larta të Bashkimit Evropian, përgjigjet e draftit të Pyetësorit me 4200 pyetje të Komisionit Evropian. I konsideruar si prova më e fortë në rrugën e integrimit, për të gjitha institucionet dhe qeverinë shqiptare, Pyetësori i BE, është shëmbëlltyra me e mirë për progresin e Shqipërisë vitet e fundit. Finalizimi i tij në kohë rekord, në vetëm 4 muaj punë intensive, duke u dhënë përgjigje specifike dhe të detajuar të gjitha pyetjeve të kërkuara nga kancelaritë perëndimore. Angazhimi solemn i qeverisë dhe ministrive të linjës, bëri të mundur konfirmimin e një standardi unik në rastin e Shqipërisë, porsa kohë vende të rajonit, i kanë vonuar përgjigjet e Pyetësorit nga 6 deri në 12 muaj kohë. Qeveria shqiptare, shpreson që brenda këtij viti, Komisioni Evropian, të hartojë opinionin përfundimtar, i cili do të bëhet publik brenda këtij viti, duke finalizuar kështu edhe dhënien e statusit kandidat në BE. Axhenda e kryeministrit në selinë e BE, në Bruksel Në vizitën e tij dy ditore në Bruksel, kryeministri Sali Berisha do zhvillojë një seri takimesh me përfaqësuesit më të lartë të Brukselit. Në objektivin kryesor të vizitës, dorëzimin e Pyetësorit, Berisha do të takohet fillimisht me Komisionerin për Zgjerim, Stefan Fule, të cilit do t’i dorëzojë volumin e përgjigjeve të draftit të pyetjeve, e më pas zhvillimi i një konference të përbashkët për shtyp. Gjithashtu, Kryeministri Berisha, në ditën e parë të vizitës në Bruksel do të jetë relator në konferencën “Shqipëria drejt Bashkimit Evropian, një rrugë mbi meritën” organizuar posaçërisht për Kryeministrin e Shqipërisë nga Fondacioni Robert Schuman, në të cilën do të marrë pjesë edhe zoti Joseph Daul, President i grupit parlamentar të Partisë Popullore Evropiane dhe mjaft përfaqësues të Parlamentit Evropian. Në ditën e dytë të qëndrimit në Bruksel, Kryeministri Berisha do të takohet me Presidentin e Këshillit Evropian, zotin Herman Van Rompuy, me Presidentin e Komisionit evropian, zotin Jose Manuel Barroso si dhe do të zhvillojë një takim e më pas një Konferencë për shtyp me Presidentin e Parlamentit Europian, Jerzy Buzek. Kryeministri Berisha prezanton në mbledhjen e Qeverisë materialin e përfunduar të përgjigjeve të pyetësorit, i cili do t’i dorëzohet nesër autoriteteve të BE Pyetësori, paraqet thelbin e gjithë zhvillimeve 20 vjeçare në Shqipëri Kryeministri Sali Berisha prezantoi dje, para anëtarëve të qeverisë dhe mediave, materialin përfundimtar të përgjigjeve të pyetësorit të Komisionit Europian për Shqipërinë, i cili nesër do t’i dorëzohet KE-së. Kreu i qeverisë Berisha se përgjigjet e paraqitura në 3854 faqe, që u korrespondojnë 2284 pyetjeve, përshkruajnë të gjithë përpjekjet e Shqipërisë dhe shqiptarëve në udhën e tyre drejt Bashkimit Europian dhe paraqesin thelbin e zhvillimeve 20 vjeçare të Shqipërisë. Kryeministri e konsideroi paraqitjen e përgjigjeve të pyetësorit një moment shumë të veçantë dhe të rëndësishëm në marrëdhëniet midis Shqipërisë, Komisionit Europian dhe Bashkimit Europian. “Kemi sjellë këtu, sot, përgjigjet për pyetësorin e Komisionit Europian për Shqipërinë, përgjigje të cilat janë paraqitur në 3854 faqe dhe u korrespondojnë 2284 pyetjeve. Siç e shihni, ky është vëllimi më i madh që kam pasur ndonjëherë në dorë, të cilin mendova t’ju paraqes juve, zotërinj ministra dhe mediave, para se ta nisim për në Bruksel. Ai përshkruan të gjithë përpjekjet e Shqipërisë dhe shqiptarëve në udhën e tyre drejt Bashkimit Europian, tërësinë e reformave, ligjeve dhe vendime të këtij vendi, mbi të cilat funksionon sistemi demokratik dhe ekonomia e tregut, pra, paraqet thelbin e zhvillimeve 20 vjeçare të Shqipërisë. Në përgjigjet e pyetjeve të pyetësorit të Komisionit Europian, natyrisht, janë paraqitur të gjitha arritjet e Shqipërisë, rezultatet e reformave të 20 viteve të marra së bashku. Paraqitja e përgjigjeve të pyetësorit përbën një moment shumë të veçantë dhe të rëndësishëm në marrëdhëniet midis Shqipërisë, Komisionit Europian dhe Bashkimit Europian”, u shpreh kryeministri. Duke shfrytëzuar këtë moment të rëndësishëm për vendin, Kryeministri Berisha ftoi opozitën për dhënë kontributit e vet në procesin e integrimit të vendit. “Në këtë proces, hapësira është e gjerë për kontributin e të gjithë faktorëve, të mazhorancës qeverisëse, të opozitës, të shoqërisë civile, të biznesit, të botës akademike, të rinisë, grave, pra, çdo faktor, çdo element i shoqërisë shqiptare, që ka bindjen e thellë se për shqiptarët, ky është projekti kryesor, duhet të angazhohet me të gjithë potencialin e tij, për të kontribuar”, deklaroi Berisha. Më pas, shefi i qeverisë, njoftoi nisjen e menjëhershme të përgjigjeve të pyetësorit, së bashku me kopjen elektronike të tyre, për në Bruksel. “Meqenëse korrieri, që do ta nisë materialin për në Rinas, ka përcaktuar një kohë të caktuar, ne po e nisim që tani drejt aeroportit. Bashkë me këtë material do të dorëzohet edhe kopja elektronike e përgjigjeve, me besimin më të madh se do të marrin vlerësim objektiv dhe të merituar nga ata që do ta shqyrtojnë”, tha Berisha. Ditën e nesërme kryeministri Berisha do të udhëtojë drejt Brukselit, për të prezantuar para autoriteteve më të larta të Bashkimit Evropian, Pyetësorin, mbi përmbushjen e kritereve për integrimin e Shqipërisë.
...