Peligrinazhi i poezisë “Bajronët” e Evropës shtatë ditë shtegtim nëpër Shqipëri
Autori i Lajmit: Denisa Kona
Festivali Ndërkombëtar “Poeteka”, që ndjek shtegtimin e zogjve herë në ekuinoks pranvere dhe herë në ekuinoks vjeshte, (edicioni i shkuar nisi në 21 mars, ndërsa i fundit, në 22 shtator), në një balancë drite, si një ogur domethënës, shpëndau gjethnajën poetike nga Durrësi, Berati, Elbasani, e Tirana. Si përvit u mblodhën poetët, kritikët, përkthyesit dhe eseistët nga Ballkani dhe më gjerë rreth kësaj sofre poetike të një lloji të veçantë, shijuan poezinë në vendet më të rralla, në mes gurëve të lashtë, shkallëve të amfiteatrit romak te Durrësit, objekteve arkeologjike të muzeut, ndërtesave karakteristike muzeale si Etnografiku i Elbasanit dhe i Beratit, Muzeun Onufri, kalaja e Beratit, e vende të shenjta. Bukuria e vargut u shijua bashkë me bukurinë dhe mistikën e tokës së vjetër. Bajronët (Çajld Haroldët) e ditës sonë gjetën këtu jo thjesht një tryezë poezie, por një tokë poezie, gjetën shpirtra të ngjashëm, panë gjurmët e hershme të Krishterimit, lëvduan historinë kësaj copëze Evrope, edhe bukurinë e fshehur si perla në detin e trazuar të mbijetesës shqiptare. Peligrinazhi i poezisë ishte edhe peligrinazhi i njohjes me traditën dhe lashtësinë, ishte edhe një guidë kulturo-turistike.
Kulla e Babelit e... përmbysur
Një javë poezie si një përrua i nëndheshëm rodhi përmes mureve të vjetër, të Ilirisë. Poezia mesdhetare shtegtoi nëpër viset më të vjetra shqiptare, e mbarsur me mallin për të mbledhur të gjitha stërkalat ujore të saj, në një takim festiv. Njerëzit e letrave kishin nevojë të merrnin dhe të jepnin kumtin tek njëri-tjetri. Shkëmbyen emocione në një gjuhë universale, të dhënë si frymë, edhe pse tingëllimi i saj kishte të gjitha ngjyrat e gjuhëve të veçanta. Kulla e Babelit ishte zhvendosur në Durrës, por këtë herë simbolikisht e përmbysur; jo si simbol i mosmarrëveshjes mes njerëzve, por i marrëveshjes së tyre. Poetët nga Greqia, Spanja, Bullgaria, Italia, Portugalia, Kroacia, Maqedonia e vise të tjera të Ballkanit, pellgu i Mesdheut e më gjerë, recituan vetë vargjet e tyre, një eksperiencë e ofruar përmes “Poetekës”, ndoqën efektin tingëllues të gjuhës tek folësit e gjuhëve të tjera. Poezia ndihej poezi, edhe pa përkthimin. Me këtë rast, ata guxuan të provonin dhe të besonin, se prerjet lokale të gjuhëve nuk janë pengesë dhe nuk janë aq të rëndësishme, përpara faktit se gjuha njerëzore është një e vetme, është një harmoni, një shpirt, një formulë. Pastaj, kombinacionet e pafundme janë trille. Mesazhi ishte i qartë: Gjuha e përbashkët, unike e Njerëzimit është Poezia. Pikërisht ajo që luan me Fjalën! Përmes saj Ballkani mund të merret vesh më mirë.
Të thjeshtë e të gëzuar
Ishte një eksperiencë e veçantë të ndiheshe mes këtyre njerëzve, burra dhe gra, peligrinë të një soji tjetër, të mbledhur me synimin për të shpërndarë një lëndë tjetër, polenin e poezisë, për të ngjallur shpirtin e njeriut. Një mjedis organik, i shpenguar ishte ai i poetëve shumëkombësh. A thua se kishin shekuj miqësie mes tyre. Mos ishte magjia e poezisë kjo që të absorbonte? Sikur Ballkani të mundte të merrej vesh, kështu si poetët e tij! Mirëpo ai ka mbetur i parritur, një Piter Pan, sikurse u cilësua në një nga tematikat e ditëve të festivalit, në fëmijërinë e përjetshme të inateve. Arjan Leka ka vite që e ka ndjerë se Shqipëria kishte nevojë për këtë frymë në këto kohëra të rënduara nga proza bajate e politikës. Shqipëria por edhe Ballkani kishin nevojë për një festival poezie. Edicioni i pestë i Festivalit Ndërkombëtar të poezisë nuk ishte vetëm poezi, ishte edhe diplomaci. Poetët ndanë mes tyre shqetësimin se në marrëdhëniet kulturore dhe etnike mes ballkanasve ka mungesë dëshire për tu rritur dhe integruar realisht në Europën plakë. Ndërsa duke qëndruar tek vetë poezia, “Poeteka” mundësoi edhe dy Master Class për ato që quhen poezia tingullore dhe poezia vizuale, dy forma që janë më pak të lëvruara sesa poezia e shkruar, por aspak të reja. Sepse poezia përpara se të shkruhej e të lexohej, është vizatuar dhe këngëzuar. “Ballkon-Ballkan” me këtë projeksion ballkanik të realizuar nga Arian Leka dhe Tristan Sherifi nisi nata e parë e festivalit për tu mbyllur në ditën e fundit me revolucion ËEB në poezi. Ky festival është një vlerë për Ballkanin të cilën UNESCO e ka rikonfirmuar me mbështetjen e saj.
Aleksandër Çipa
POETEKA, një komunikim tipologjik që çmoi shumëgjuhësinë
“Për kritikën letrare vazhdoj të mbetem skeptik”
“Takime të tilla që dalin nga monokombësia, janë takime që evidentojnë vlerën e pluralitetit linguistik,- thotë Aleksandër Çipa, një prej moderatorëve të këtij eventi.- Shumica e pjesëmarrësve të POETEKES nuk ishin njohës të gjuhës së njëri-tjetrit dhe është vërtet interesante mënyra e komunikimit të tyre: Të shijojnë poezinë në gjuhën e tjetrit. Ndoshta është thelbi universal i Poezisë ky, për të qenë mbi Gjuhën. Unë pata rastin të jem moderatori i një sesioni të Poetekës dhe më bëri përshtypje se një pjesë e panelit të poetëve i recituan poezitë e tyre në gjuhën amtare,. Dhe heshtja ishte absolute. Poeteka është një nga eventet kulturore, jo vetëm shqiptare. Është formësuar si event ballkanik”.
“Por a do të arrijë ajo ta bëjë poezinë më të afërt për publikun, a do të arrijë të forcojë kritikën dhe të përgatisë ato mekanizma, që të kemi më në fund një hierarki vlerash të “çertifikuara” që njerëzit të orientohen, të dinë se çfarë duhet të lexojnë? Aleksandër Çipa përgjigjet: “Janë disa nga vlerat që mund të numërohen për adresimin dhe vlerësimin e “Poetekës”. Së pari, është marketimi i pazakontë që po i bëhet letërsisë shqipe në tërësi dhe pse jo, edhe kulturës shqiptare në tërësi. E dyta, është një komunikim kaq tipologjik dhe aq më tepër në një qytet që e ka shtrirë perimetrin e vet përfaqësues. Mendoj se “Poeteka” është një guidë e vërtetë e pjesës së munguar të guidës së kulturës dhe letërsisë kombëtare. Përsa i përket pyetjes suaj për inkurajimin e kritikës, unë ende mbetem skeptik, ndonëse “Poetika 2009” në tiparin e vet i la një hapësirë këtij problemi që e ka gjithë komuniteti i kulturologjisë shqiptare”.
Më tej ai shton se vlera e kësaj veprimtarie ndërkombëtare lidhet jo vetëm me mënyrën se si mund të menaxhohet botimi i letërsisë shqipe, por edhe se si mund të qarkullojë në shumëgjuhësinë e saj, se si mund të negociohet për tu përcjellë në ente ndërkombëtare botuese dhe nga ana tjetër, mund të krijohet edhe një marrëdhënie e re me lexuesin, përmes dëgjueshmërisë.
Përshtypjet e tij si moderator për marrëdhënien e dyanshme të interesuar të poetëve, Çipa e përvijon kështu: “Konstatova edhe në komunikimet nominale që pata në ditët e Poetekës, se etja për komunikim dhe për njohje të poetëve të botës ishte e barasvlershme me etjen që kishin ata për të njohur poezinë dhe letërsinë shqipe. Edhe kjo është një vlerë autentike e kësaj veprimtarie. Poezitë që erdhën këtu, padyshim kishin tipologjinë dhe autenticitetin e etnitetit nga vijnë, por edhe universalen”.
“POETEKA”, një ndërmarrje si kjo, duket sikur kërkon ti japë zemër këtij lloji të drojtur të qenies njerëzore.” Me njërin nga moderatorët e një prej sesioneve e hapëm këtë diskutim, edhe pse nuk ishte pjesë e programit. Aleksandër Çipa përgjigjet: “Poetët nuk janë të drojtur, poetët janë soji i guximtarëve dhe në përgjithësi, ajo që lexohet si aparencë apo si pjesë empirike e njohjes, nuk qëndron. Sepse ata e sigurojnë ekzistencën së pari në mënyrën e tekstit të tyre. Ata e sigurojnë qenien përmes tekstit.
Berati dhe pikturat e Onufrit do të hyjnë në poezinë time
Një poet amerikan pranoi ftesën për të qenë mes poetëve të Ballkanit në ditët e edicionit të pestë të POETEKËS. Dhe aspak një anonim. I famshmi Tom Sleigh, një nga më të zëshmit mes qindra mijëra zërave të poezisë amerikane, njëherësh dramaturg, eseist dhe akademik që jeton në Nju Jork, autor i "Space Ëalk", "Far Side of the Earth", "The Dreamhouse", "The Chain", "After One" etj. takoi Dyrrahun, të cilin më parë e njihte turbull përmes një historie të shkurtuar. Dhe aty, në muret e tij, takoi të ngjashmit e Ballkanit të cilit i kishte lexuar vetëm përmes internetit.
Duke ardhur nga një familje prindërish që kishin një kinema lëvizëse, ai e dashuronte artin e interpretimit të fjalës dhe kjo gjë binte në sy edhe në mënyrën pasionale me të cilën e përdorte fjalën gjatë bisedave. Ndoshta edhe për këtë, referimi i tij ka qenë akoma më tërheqës, ndërsa Tom Sleigh lexonte esenë për poezinë ballkanike në përmbushje të temës “Si të zbulosh Ballkanin nëpërmjet poetëve të tij”.
Tom Sleigh është vlerësuar me disa çmime të rëndësishme. Më 2008-ën ai fitoi Kingsley Tufts Poetry Aëard, çmim 100 000 dollarë, Academy Aëard nga Akademia Amerikane e Arteve dhe Letrave. Edhe Shelley Aëard nga Shoqata Amerikane e Poetëve. Ai është drejtor i Hunter Colleges Master e Arteve të Bukura (MFA).Pak çaste para largimit nga Tirana, Tom Sleigh pranoi të na japë përgjigjet e pyetjeve tona spontane.
-Mësojmë se ju keni ardhur që prej Neë York-ut në Shqipëri. Si ka mbërritur tek ju kjo ftesë për POETEKËN?
Kjo ndodhi falë një e-maili të Pirro Dollanit, që është përkthyes në Universitetin e Nevadës, nuk e njihja, por gjithsesi, ai më ofroi ftesën dhe unë thashë “YES” (po).
-Kishit dëgjuar për Shqipërinë apo qenë më përpara?
Ajo që dija për shqiptarët ishte nga letërsia klasike dhe historia klasike dhe dija diçka edhe për Enver Hoxhën. Por asnjë tekst të plotë për vendin tuaj.
-Ardhja në Tiranë është më shumë dëshirë, kuriozitet për të takuar dhe njohur poetët e vendeve të tjera apo kuriozitet për të parë Shqipërinë? Pra, ishte poezia apo turizmi i vendit, karemi?
E para ishte dëshira për të takuar të gjithë poetët ballkanas, edhe sepse Seamus Heaney, nobelist irlandez, e ka vlerësuar shumë poezinë e vendeve të Ballkanit. Dhe kur do të vendosja për të ardhur, Arjani më dërgoi listën e poetëve që do të ishin këtu, ku mes tyre ishte edhe poeti i mirënjohur slloven, Ales Debeljak, miku im që nuk e kisha parë prej kohësh. Atëherë vendosa që të vija. Dhe sigurisht që mes arsyeve ishte edhe që të shikoja Shqipërinë, vendin e Kadaresë dhe ti ikja Nju Jorkut (Neë York) ca ditë.
-Ju kishit lexuar ndonjëherë më parë ndonjë poet apo shkrimtar shqiptar, kishit patur ndonjë kontakt me letërsinë shqipe?
Patjetër që njihja Ismail Kadarenë, por aq njohje kisha për letërsinë shqipe.
-Kur patë Shqipërinë, imazhi që krijuat për të, i shkonte për shtat poezisë? Ishte kjo një tokë që mund ta prodhonte?
Unë kisha lexuar shumë në internet nga krijimtaria e poetëve ballkanas dhe besoj që ka poetë të mrekullueshëm nga këto vende. Sigurisht që Shqipëria nuk kishte pse të bënte përjashtim. Një zbulim tjetër i mrekullueshëm ishte edhe revista letrare “Alef” (Aleph), e cila është nga revistat më të këndshme që më ka rënë rasti të shoh.
-Nëse do të fitonit çmimin themelor, Unazën e POETEKËS...?
Nuk më intereson, nuk është problemi aty.
-Përshtypjet tuaja për njerëzit që njohët këtu?
.Nuk mund të flas për të gjithë shqiptarët, por për aq njerëz sa takova, kam mbetur i mrekulluar.
-Do të ndikojë kjo edhe imazhet e vizitave në poezinë tuaj?
Absolutisht po, do të ndikojnë. Njerëzit dhe vendet...Në një mënyrë do të futet fryma e këtyre kujtimeve që provova ngado që shkova.
-Nga të gjitha vendet që patë gjatë ditëve të POETEKËS nëpër Shqiëri, cili jua la gjurmën më të fortë?
Të gjitha më lanë një përshtypje të madhe, por sidomos vajtja në Berat dhe njohja me pikturën e Onufrit ishin një eksperiencë e jashtëzakonshme. Edhe Tirana, ku vizituam Galerinë Kombëtare të Arteve më la një përshtypje të fortë.
-Do të donim të dinim, a është i orientuar publiku amerikan për hierarkinë e vlerave të poetëve?
Në poezinë amerikane në këtë moment, ka shumë mënyra të shkruari dhe zërat poetikë janë padyshim të ndryshëm. Por 20 vjet më parë, para epokës së internetit, ishte shumë e vështirë të gjeje këtë tërësi poetësh për të lexuar, interneti e dhjetëfishoi njohjen. Tani është krijuar një lloj hierarkie që tregon se çfarë është e mirë, atë që është jo dhe aq e mirë dhe atë që është vërtet e keqe. Kjo hierarki tashmë nuk është opinion, por është e institucionalizuar. Ndërsa ajo që ka ndodhur pas epokës së internetit, është një hierarki e përmbysur. Tani ajo që po ndodh në Amerikë është një shumësi stilesh, llojesh, zërash, poetësh.
-Timbrika juaj, ngjyra teatrale e zërit dhe fuqia janë të dhëna për të interpretuar poezinë. Juve ju pëlqen ta deklamoni poezinë tuaj? Pra, jeni për artin e interpretimit ashtu si në antikitet kur poezitë nuk lexoheshin me mendje por recitoheshin?
Unë kam shkruar drama dhe patjetër që më pëlqen recitimi. Poezia duhet të lexohet me zë të lartë, përtej propagandës së vet, ekzagjerimit, por duhet të lexohet në tërësinë e vet.
Intervistoi Denisa KONA
Cvetanka Elenkova: Gjeta elementët e identitetit dhe zbulova intelektin shqiptar
Impresionet e poetëve miq ishin një gjuhë ala Dora DIstria. Poetja Cvetanka Elenkova nga Bullgaria duke falenderuar organizatorin Arian Leka për ftesën në këtë festival, tha se gjeti këtu një vend të mrekullueshëm me njerëz të mrekullueshëm. “Ne kemi parë shumë vende arkeologjike, kemi parë shuma panorama të këtij qyteti që më ka bërë të mendoj për njerëzit e hollë të tij dhe intelektualisht të ngritur, që kanë jetuar në këto vende. Unë pashë shenjën e kryqit në ballë të një burri që ka jetuar më parë, që më ka bërë të mendoj se ky është bartës i një elementi identiteti. Në një moment, duke dëgjuar këtu njerëzit të flisnin në një sërë gjuhësh të huaja mu bë se isha në Kullën e Babelit. Do të doja të thoja që axhenta e këtij festivali i ngjan pak kapitullit të Zanafillës, programi është i renditur Dita e parë, Dita e dytë... kur Zoti bëri këtë dhe atë dhe Dita e shtatë kur Zoti pushoi...”, komplimentoi ajo iniciuesin e këtij eventi.
Ndërsa poeti Francis Chenot nga Belgjika u shpreh se të shkruash për të justifikuar qenien në këtë botë, kjo mjafton. Ai bëri të ditur se në muajin nëntor do të dalë një numër me poetët e prezantuar të “Poetekës” ku ai është i ftuar për të përkthyer margaritarët e gjuhës shqipe, tekste të rralla jo vetëm nga forma por edhe nga përmbajtja.
Pjesë nga krijimtaria
SHKËNDIJË ELEKTRIKE BRENDA NESH
Midis kofshëve dhe qiellzës shtrihet një tel.
Një tel ku të gjithë organet qëndrojnë të varur si rrobat.
Pantallona me të dyja këmbët, korse, shami hundësh të përmasave të ndryshme.
Sapo fryn një shkulm ere, format shprishen dhe të gjitha bien poshtë.
Ky është një tel që përcjell energji, dhe në çdo skaj një gjuhëz e vogël.
Ndonjëherë, kur ndodh qark i shkurtër, fusha elektrike i nxjerr diçka jashtë përdorimit.
Ata hapin kapakun e sahatit elektrik mbërthyer në mur, shikojnë plumbosjen, dhe ti për këtë paguan.
Nëse nuk do të paguash, ta lanë telin të shtrirë përtokë.
DUA TË TË RRASKAPIT
Dua të të shter si një re blu
që sapo zbrazi gjithë shin që kish,
si një konjak i vjetër,
si kërmillit që i është thyer guaska, i cili e zbret gjithnjë
shumë ngadalë tatëpjetën,
si rroba që terren për shumë kohë në tel,
si duart me pulla (e rreshkura) të një plake,
dua të të rraskapit si një re blu që më rri mbi kokë, ndërsa pres
një dritë të kuqe dhe flladin e ngrohtë pranveror
të fryjë, e ta shkrijë dëborën, ti shoshitë gjethet,
dhe ne qëndrojmë ulur me bluzë të shkurtër në tryezën e kafenesë,
dua të të konsumoj si një copë mëlçi.
MAZOKIST
Sepse që të vegjël ne durojmë dhimbje. Ndoshta me përjashtim të dhimbjeve të lindjes, që nënat tonë provojnë. Ja përse dhimbjet e lindjes janë aq të forta. Gjersa lëvozhga e arrës të nxihet, derisa ajo të forcohet, derisa kurora të mos jetë më e gjelbër. Derisa të mos na i lerosë më gishtërinjtë. Derisa ti largohet ithtësia. Derisa të shkojnë shumë muaj, stinë, që dikush ta thyej arrën. Rënë pak më parë prej trastës të gjyshit. Sepse tani është thjesht një lëvozhgë – relikte e vërtetë, arra. Nga një metër e gjashtëdhjetë, tashmë është katandisur, thjeshtë gjashtëdhjetë. Ja pse ne jemi mazokistë. Brenda vetes.
STACIONE TË VEGJËL
Si hijet duhet të jemi, që shtrihen nën dritat e rrugës apo nën rrezet e diellit, që fillojnë prej shputës së këmbëve, por edhe prej së larti – vetë ne jemi drejtimi i vetvetes. Duhet ta ndajmë së bashku dritën veç mos u ndal, vazhdo. Jo fundi, po drejtimi është i rëndësishëm. Edhe kur ulemi nën hardhi, hija e larme e së cilës, kaq e ngjashme me tatëpjetën dhe muzgun, cicërimat, lehjen, duhet të jetë një gur përgjatë rrugës, ku ulesh e pushon. Sa histori jete dhe vdekje! Mbërritja është si ata stacionet e vegjël ku treni nuk qëndron më shumë se tre minuta.
Feride Palpeka
E kisha parandjerë sëmundjen time me poezinë
Jeton në Tiranë prej 20 vitesh, në fillim ka punuar mësuese. Pastaj, redaktore në shtëpinë botuese. Pas transferimit në Tiranë, gjatë kësaj kohe, ka ndjekur një kurs me shkëputje nga puna për gazetari dhe ka punuar në Këshillin e Lartë të Radio-Televizionit. Rruga e krijimtarisë zë fill me ciklin e parë me poezi të botuar më 1974-n. Që atëherë Feride Papleka ka botuar disa libra në poezi dhe në prozë me dhjetëra përkthime nga atutorë të njohur si Gide, Ëilde, Quignard e të tjerë si dhe me qindra kronika e shkrime. Që nga vitit 1996 bashkëpunon periodikisht me një revistë rajonale në Francë dhe paraqet herë pas here poetë shqiptarë të brezave të ndryshëm. Ka mbrojtur në Paris një DEA për fantastiken në veprën e Kadaresë dhe të Garcia Marquez dhe po mbaron një tezë doktorate për autorin e shquar bashkëkohor francez Pascal Quignard. Në Francë ka botuar librin poetik “Fleuve dHeraclite”. Përveç këtyre, Papleka ka gati për botim disa libra, midis të cilëve dy romane, një libër me tregime, një libër poetik për fëmjë , një libër me kronika letrare, një poemë si dhe disa libra me përkthime nga letërsia botërore. Ndërsa libri më i fundit i botuar është “Trëndafili i heshtur”. Poezitë e saj janë botuar në disa gjuhë të huaja. Poetja të cilën e takuam në Torën Veneciane në ditën e tretë të festivalit, pranoi të japë me kënaqësi këtë intervistë për gazetën.
-Pasi kemi lexuar një pjesë të mirë të poezive tuaja, na vjen tju pyesim rreth një date: Çfarë ka ngjarë me ju më 7 janar 2002, që e kujtoni si nisjen e jetës së dytë?
Atë ditë jam bërë operacion dhe jeta pas operacionit është jeta ime e dytë. Unë kisha një tumor në tru, në kokë... Fqinjërova pak me vdekjen që në momentin që u zbulua tumori në kokë time e derisa u bë operacioni, reanimacioni, klinika e riaftësimit. Unë humba të folurit, humba të ecurit, të shkruarit, humba shumë gjëra që i fitova dalëngadalë. I kam shkruar edhe një ditar në Paris “Jeta ime e dytë”...
-Duke lexuar poezinë tuaj, thashë me vete: “Kjo është e çmendur apo si? Çpunë ka kjo me vdekjen?
Pse e sjell rrotull?” Çfarë kërkon që të thotë, mos e ka alegorike?” Tani çdo gjë është e qartë.
Jo, nuk është alegorike, është e drejtpërdrejtë, unë fqinjërova me vdekjen.
-Ju thoni diku tjetër: Pashë në kube, shkronja dhe figura dhe thashë: “Jam gjallë”. I patë vërtet? Dhe çfarë ishin këto: Endërr, imagjinatë poetike apo imazhe me sy hapur?
Janë vizione të vërteta, i kam hedhur edhe në disa vizatime.
-A ishin vizione që vinin nga sëmundja në tru apo vizione poetike?
Nuk di ta shpjegoj këtë gjë, por shumicën e vizioneve kur jam përmirësuar, ato që i mbaja mend edhe ato që i shikoja në kohën që isha mirë, i kam hedhur në vizatime me ngjyra. Kubenë e kam parë në gjendje zgjuar vërtet. E kam parë në momentet pas narkozës gjysmë zgjuar dhe gjysmë vdekur, por edhe në kohën që kam qenë mirë dhe e kisha kaluar këtë fazë. Unë kisha vizione me sy hapur.
-Pra, edhe pas operacionit, truri juaj vazhdonte të punonte intensivisht por duke projektuar në një formë tjetër, një realitet të padukshëm
Po, kështu është. Që në momentin që më doli narkoza, truri im filloi të ndërtojë një realitet tjetër dhe prandaj e quajta jeta ime e dytë.
-Ty të qetëson apo të shqetëson mënyra e të menduarit ndryshe?
Më pëlqen, nuk më shqetëson. Mënyra e të menduarit ndryshe është një pasurim, bashkimi i të menduarit të dikurshëm me të menduarin e ri. Sigurisht, kjo nuk ishte një përmbysje, por ka njëfarë ngjitje mendimi. Ndoshta është bërë pak më i thellë, pak më filozofik, më melankolik. Po kjo mbase nuk vjen vetëm prej sëmundjes që kalova, mbase vjen me moshën, mbase vjen me leximet.
-A ka ndikuar sëmundja dhe tronditja prej saj në poezinë tuaj?
Sigurisht që ka ndikuar në poezi dhe në tërë vizionin e jetës. Është një përvojë që ndryshon shumë gjëra themelore dhe duhet të arrihet kjo përvojë që njeriu të ndryshojë.
- Ndoshta edhe të bëhet poet. Por nuk urojmë që poetët të kalojnë nga kjo rrugë...
Unë librin e parë e kam nxjerrë në 74-n, por kishte një ton tjetër. Gjithçka që shkruhet, pas përvojave të tilla të rënda, është një gjë tjetër.
-Në këto momente të vështira të jetës, ju keni intensifikuar krijimtarinë, apo këto përsiatje poetike kanë ardhur si refleksione më pas, apo janë parandjenja, telepati të poetit të shkruara më parë (thonë që parandjejnë poetët)? Cilit moment i kanë përkitur?
Ka edhe poezi të shkruara më parë. Unë nuk di se si ta shpjegoj këtë. Unë nuk dija fare, që isha e sëmurë. Isha, por në fakt, nuk e dija që kisha tumor në kokë. Përpiqesha të gjeja se çfarë kam, diçka që më shqetëson. Dhe kam shkruar një tregim të botuar në revistën “Mehr Licht” dhe në fund të atij tregimi përshkruaja atë skenë që më ndodhi një vit më vonë, kur më doli narkoza pas një dite operacioni që zgjati nga mëngjesi në darkë. Tregimi ka tjetër gjë; unë zgjohem nga ëndrra.
-Thonë se shkrimtarët nuk e kanë frikë vdekjen, luajnë me simbolikën e vdekjes, e sjellin afër, e provojnë, e kalojnë, e tejkalojnë...Në këtë rast, ka qenë një trill apo ka qenë telepati, sinjale që vinin nga brenda trupit tuaj?
Të them të drejtën, frikë nga vdekja njeriu ka, kur nuk e ka kaluar këtë përvojë. Ndërsa pasi je përballur, nuk e ke më frikë. Mua tani më duket si një ngjarje e natyrshme që do të vijë në një moment të caktuar. Por njoh krijues të tjerë, që e kanë frikë vdekjen.
-Por, a do të thotë kjo, se duke mos e pasur frikë vdekjen, jetën e do më pak?
Jo, absolutisht, mbase tani e dua më shumë, jetën, e çmoj më shumë pas kësaj që kam kaluar. Frika nga vdekja dhe dashuria për jetën nuk janë kontradiktore.
-Diku ju thoni: “Magjia ka pushuar së jetuari”. Kjo më kujton fjalët e gjyshërve se mrekullitë nuk ndodhin më në ditët tona si në kohën e Krishtit dhe Muhametit. Ju shkruani nga keqardhja për të kthyer përmes poezisë këtë mrekulli të munguar sot?
Magjia nuk është më, sepse është larguar fëmijëria, Parajsa e Humbur, jo vetëm për poetin, për çdo njeri. Por poeti e ruan më shumë fëmijërinë, i rikthehet asaj parajse.
-Ju besoni tek magjia dhe tek cila lloj magjie?
Unë nuk besoj fare tek magjia. I besoj shpirtit të njeriut, poezisë, të bukurës. Por jo tek magjia, në kuptimin e vërtetë. Por tek magjia si diçka poetike.
-“Trëndafili i heshtur”, “Lumi i Heraklitit”, “Engjëlli i vdekjes”...Të gjithë emërtimet e cikleve tuaja poetike mbajnë një dyfjalësh esencial. Çnisje është bërë shkak?
“Lumi i Heraklitit” ka marrë shkas nga bindja filozofike e Heraklitit, që jeta është si një lumë.
-Në ciklin “Lumi i Heraklitit” vargjet janë të mbushura më figura mitologjike dhe të gjitha kohët i shkurtoni, i vendosni në qendër. E shkuara, e ardhmja bashkohen në të sotmen. Ju keni një qëndrim metafizik mbi botën?
Gjendjet poetike të krijojnë këtë gjendjen metafizike të kohës, të pakohësisë apo të gjithëkohësisë.
-Ju e ngacmoni antikitetin. Aty duket sikur i kërkoni të gjitha simbolikat, të gjitha përgjigjet për të sotmen. Pse pikërisht tek antikiteti? Pse nuk i kërkoni tek e sotmja përgjigjet, për habinë filozofike që e tundon poetin?
Sigurisht tek Antikiteti, sepse e sotmja është një periudhë shumë e shkurtër, Antikiteti është një kohë e gjatë shumë e pasur. Zhytja në antikitet është njëlloj lehtësimi, çlirimi shpirtëror. Aty janë të gjitha mësimet. Gjithë bota e sotme është ndërtuar nga ajo filozofi. Po të shohësh veprën e Platonit, ato tema që ka kapur ai në kohën e tij, pak a shumë gjithë filozofët modernë po ato tema trajtojnë, edhe pse në mënyra të ndryshme.
-Poezia juaj lëviz nga mitet, tek gjërat e thjeshta të përditshme, tek ato vajzat e vogla që kalojnë rrugës me hapat kumbues, me këmbët si kambana të vogla etj. Janë ndjesi prej mësueseje?
Prej nëne dhe mësueseje. Bukuria e botës është nëna. Por ajo nëna ka qenë vajzë e vogël. Unë jam për kultin e gruas, që nuk ekziston për fat të keq. Nëse dikush del e mburret se çfarë veprash ka bërë, unë them se fëmija është vepra më e mrekullueshme. Nuk krahasohet asnjë vepër e asnjë burri me këtë. Kjo është një mrekulli.
-Unë mendoj se natyra ia ka dhënë këtë cilësi për të cilën gruaja nuk ka meritë personale dhe nuk e ka zgjedhur vetë. Ajo nuk e bën dot ndryshe këtë punë
Nuk e kam tek akti i lindjes thjesht. Por tek mëmësia që ajo mëkon. Askush nuk mund ta japë. Mëma është një metaforë universale. Eshtë një mesazh për çdo burrë, sepse edhe kur bëhët baba dhe plak, nëna për të mbetet burimi i tij.
-“Unë zgjohem me një dëshirë vrastare të gjurmoj të kaluarën, të zbuloj burimet e mia identitare”...Çfarë e shtyn poeten të kërkojë rrënjët e saj? Gati-gati duket si një qenie e një lloji tjetër
Për njeriun është e rëndësishme të dijë nga vjen, ku shkon. Përndryshe, jeta do të reduktohej në gjëra të thjeshta. Kjo mënyrë për të kërkuar rrënjët, origjinën e jetës i jep asaj sens...
-Zoti i ka dhënë njerëzimit disa përfaqësues- filozofë, poetë, shkencëtarë që të kërkojnë secili me mjetet e tij, rrënjët e veta
E respektoj këtë mendim, por unë mendoj se tempulli i Zotit është zemra e njeriut. Njeriu është mbi gjithçka, mund të bëjë gjithçka. Për mua nuk ekziston Zoti.
-Po ajo kubeja me gërma, që juve ju është shfaqur si vizion, një vizion tempulli, nuk ju ka bërë që të ndryshoni në këtë pikë?
Jo, mbetem tek fuqia e mendjes dhe e zemrës së njeriut. Unë atij i besoj. Edhe mirësinë atje duhet ta kërkojmë.
“Në gadishullin ballkanik ku bën pjesë Shqipëria, gratë vetëm kohët e fundit e kanë fituar të drejtën që gjatë mijëvjeçarëve e kanë patur vetëm burrat, të drejtën e rrëfimit poetik. Ky libër është një konfirmim i bukur i kësaj të drejte.”
-Duke qenë poete jobesimtare, (kjo nuk do të thotë se jeni ateiste), kjo sikur kontraston me metafizikën tuaj. Sepse ju në poezi e vini njeriun në qendër të botës dhe koha humbet vetveten. Mirëpo pakohësia është vetëm në vizionin biblik. Ndërkohë që metafizika nuk është në stilin e të menduarit racional për botën.
Metafizika është poetike tek mua, nuk është puna se më mungon racionaliteti. Dhe nuk e shoh metafizikën të lidhur me Zotin, me religjionin. Poeti bën njëfarë zhvendosjeje në kohë, nuk është ajo koha reale. Natyrisht, ka edhe poezi të angazhuar që shkruan për probleme të realitetit dhe këtu koha është po ajo.
-Në fakt, përballja e realitetit që ndërton poezia me realitetin që percepton njeriu në përditshmëri i përngjan përplajes së dogmës mesjetare për Tokën si të palëvizshme në pakohësi me zbulimet e dietarëve që pohuan lëvizjen. Mirëpo ky ishte një keqkuptim i madh, sepse ka të bëjë me sistemet e ndryshme të të menduarit. Brenda sistemit të vet, çdo gjë është e drejtë, bëhet e gabuar kur interpretohet me sistemin tjetër...
Po koha një marrëveshjë është. Ajo përbëhet nga ngjarjet, ato e formojnë. Po të mos ishin ato, as koha nuk do të qe, dot nuk do ta masnim.
-Një varg tjetër që e shkëputa nga ju: “E padukshme mes të gjallëve, unë jetoj një tjetër botë”. Nga buron ky vetëpërjashtim, vetizolim?
Ka momente. Trishtimi është pjesë përbërëse e jetës së njeriut, ndonjëherë nuk e dimë përse jemi të trishtuar. Mund të jetë një objekt shumë i thellë, ai që e shkakton dhe nuk e di njeriu. Nuk e kam fjalën për lumturinë konkrete.
-Çfarë ju shtyn ju, poetët, të shkruani: Nevoja për të filozofuar, nevoja për tu mbrojtur nga diçka e panjohur e vrazhdë, nevoja për të komunikuar me kode fjalësh për të shërbyer si apologji, apo për të thënë diçka që nuk arrin të thuhet ndryshe?...Apo çfarë tjetër mund tju nxisë, kur auditori i poezisë thuajse mungon? Dhe ju prapë nuk ndaleni.
Unë do të përdor një fjalë të shkrimtarit turk novelist, Orhan Pamuk i cili thotë: “Shkruaj që të jem i lumtur, se jam i palumtur” Në fjalimin e tij me rastin e marrjes së çmimit “Nobel”, ai e ka zgjeruar këtë ide, por do të shtoja se poezia është një mënyrë për të mos e ndjerë kohën, për ta larguar vdekjen, (unë e kam larguar njëherë, por sigurisht që ajo është në përgjimin tonë).
-Lexuesi i poezisë është shumë i rrudhur: Ku qëndron faji- tek ekonomia, tek menaxhimi, tek kultura e popullatës, tek vetë krijuesit, tek shkolla jonë?
Faji është nga pak tek të gjitha këto. Edhe shoqëria nuk ka një program të veçantë për kukturën, nuk ka një lloj tregu për poezinë, nuk ka promovim të poezisë së mirë. Lexuesi nuk orientohet. Bashkë me poezinë e mirë botohet edhe poezia e dobët. Ka shumë botime jocilësore, ndërkohë që jo gjithçka që shkruhet, duhet të botohet. Dhe kështu krijohet njëlloj kaosi në mendjen e lexuesit. Duhet të matet shumë ai që boton. Nuk mund të botosh direkt një roman apo vëllim me poezi, pa botuar më parë disa cikle, diçka të shkurtër në prozë. Është një lloj kolaudimi, po përdor një fjalë teknike e të huaj, edhe pse nuk i kam qejf. Por duhet të bëjë njëfarë kolaudimi.
-Kjo që thoni ju na e çon mendjen tek kritika letrare, sepse gjithkujt që shkruan, i duket e mirë ajo që nxjerr nga dora, por dikush duhet tia thotë sa vlen. Pa pasur një kritikë të tillë, nuk mund të orientohet publiku që nuk ka kohë fizike të kuptojë se kush vlen dhe kush jo. Dikush duhet tia bëjë gati leximin e përzgjedhur.
Në të vërtetë, kjo gjë mungon tek ne.
-A është “Poeteka”, koha, vendi, hapësira, eventi i duhur për të orientuar njerëzit se këta janë krijuesit, apo krijuesit janë edhe përtej, jashtë “Poetekës”?
“Poeteka” është një ngjarje poetike shumë e rëndësishme në këtë zbrazëti. Ajo përuron vlera brenda dhe jashtë atdheut. I bën një prerje sinkronike dhe njëkohësisht na jep mundësi të dëgjojmë drejtpërdrejt zërin e disa poetëve që është një gjë shumë e mirë, njihemi edhe me poetë jashtë Shqipërisë.
-Por mua, ajo zbrazëtia nuk më iku tërësisht, sepse i pashë poetët të mbyllur brenda një kubeje ku publiku ishin vetë ata. Ndërkohë që poezia duhet të dalë jashtë krijuesve...
Por ajo do të transmetohet, kalon zinxhir, do të kalojë tek disa të tjerë e me radhë.
-Nëse ndalim një urban dhe njerëzve të përzgjedhur kështu në mënyrë rastësore, u japim falas të lexojnë një vëllim me poezi, sa prej tyre mendoni se do të lexojnë?
Shumë pak. Por problemi është se mungon edhe organizimi. Unë, meqenëse kam shkuar pak më shpesh në Francë, atje bëhet njëlloj afrimi. Atje, edhe në kabinat e metrosë shkruhen vargje poetike, nëpër stacione, në mënyrë që udhëtari edhe nëse nuk e ka mendjen tek poezia, i shkon syri atje duke qëndruar. Janë disa forma që i afrojnë njerëzit tek poezia. Sigurisht në Paris lexojnë më shumë, edhe pse poezia ka një lexues të përzgjedhur.
- Poeti është egocentrik, veten e konsideron gjithnjë më të mirë e më të rëndësishëm se bota që e rrethon. Bota është vulgare, ndërsa ai veten e vendos jashtë saj, e kthen poezinë në një lloj piedestali për vetë poetin. Nuk e di në u ka rënë në sy të tjerëve, mirëpo mua hera-herës më revolton kjo gjë. I shoh poetët herë si adoleshentë të rrëmbyer dhe herë si 6-vjeçarë egocentrikë. Mos ndoshta është një mur ky mes poetit dhe publikut?
Problemi është se ka një lloj mospërfilljeje për kulturën në tërësi, për poezinë është pak më e madhe, sepse ka qenë gjithmonë. Por poeti në kohën që shkruan, jeton një jetë tjetër çështë e vërteta, krijon botën e tij dhe kjo është në qenësinë e poetit.
-Cilat janë hapësirat më të gjera fizike, që ju keni parë dhe ju kanë ridimensionuar?
Kur kam qenë në Kinë, në forumin e katërt botëror të gruas, ishte një hapësirë gati planetare. Kisha dalë në Ballkan deri në Shkup dhe Maqedoni, pastaj dhe deri në Paris. Por të shkosh në Pekin, është një gjë e jashtëzakonshme.
-Besoni se ka vende mitike ku njeriu shkrihet me natyrën dhe përmbys perceptimet përmasore, krijon vizione të tjera për realitetin? Thonë se e kanë provuar...
Po patjetër që ka dhe i besoj. Ka vende mitike, kam lexuar edhe për njerëz që befas janë bërë shkrimtarë, poetë apo udhërrëfyes ose rrëfyes të përvojës së tyre jetësore duke kaluar momente të jashtëzakonshme dhe parë vende të jashtëzakonshme.
-Cilin vend në botë do të donit të vizitonit?
Indinë. Kam lexuar, kam parë emisione, por nuk e kam patur kontaktin real me këtë vend. Më duket një gjë e paimagjinueshme, një popullatë aq e madhe, një hapësirë aq e madhe ku përzihen fe të ndryshme, pasione të ndryshme, pra është një vend vërtet shumë i çuditshëm.
-Në çfarë rruge e shihni të ecë poezinë shqipe këto vite? Çfarë elementesh ka marrë, ka absorbuar dhe çfarë ka nxjerrë nga vetja?
Poezia shqipe ka prirje të reja sepse komunikimi me botën e jashtme i ka dhënë hapësirë të gjerë. Por duhet të shmangë provincializmin, arkaizmin, fjalët e tepërta, detajet që nuk kanë lidhje me ato domethënie universale.
-A lundron në ndonjë rrymë të caktuar poezia e sotme shqipe apo nuk ka një prirje të tillë?
Ka përzierje të rrymave të ndryshme me klasicizmin që kanë kaluar nëpër botë prej kohësh.
-Nëse mund të flasim për një tranzicion poezie, e shihni këtë si moment pozitiv apo dëmtues? A ngjason poezia jonë me ndonjë poezi tjetër, me poezinë ballkanike përshembull dhe si pritet nga lexuesi i huaj?
Sigurisht, është pozitiv, sepse do të vijë një moment që do ta kalojë. Janë disa poetë që janë përkthyer në Ballkan, Europë. Brezi i ri sigurisht që është shkëputur nga fryma tradicionale, konservatore, nga arkaizmi, nga rëndesa. Ka poetë që kanë arritur të komunikojnë.
Intervistoi Denisa KONA
DITAR I KUJTESES
Me 7 janar të vitit 2002,
Vdekja erdhi drejt meje si një ortek.
Një yll ra nga qielli.
Megjithë ekzistencën time të humbur,
Shpirti im cikte një dashuri të pafund
Për nuk e di çfarë,
Ndoshta një hije ka ecur me mua
Në errësirë.
Nuk më kujtohet se çfarë më tha,
As se çfarë i thashë,
Toka dhe qielli ishin trazuar
Në një dritë shkëlqimtare,
Kishte aty një gropë të thellë
Gati për të më gllabëruar,
Askush tjetër nuk e kupton.
Unë përpiqesha të dilja,
Por në këtë çast,
Kur isha e shtrire si e vdekur,
Pashë në kube shkronja dhe figura.
Pra, kisha filluar jetën e dytë…
TI JE E VËRTETA
Vështrimi yt
Jashtë kësaj bote,
Duart e tua, fryma jote,
Fjalët e tua ikanake,
Seksi yt si lule hyjnore,
Hija që të mbështjell
Magjia jote e lumtur,
Gjithçka më megjeps te personi yt.
Ti je e vërteta: Toka që rënkon,
Qielli që derdh një ëndërr kalderoniane.
Ti je scribi i dhimbjes,
Koha që arratiset,
Dëshira e një jete që kërkon të rilindet.
HUMBJE
Im atë ka vdekur,
Bashkë me të dha shpirt
Një pjesë e jetës sime,
Kur isha e vogël dhe ekzistoja në sytë e tij
Bebe me mish të trëndafiltë
Dhe me tinguj të pakuptueshëm,
Që ishin muzikë,
Ashtu si thoshte ai,
Kur fliste për Dikurin.
Ai kishte në kujtesën e tij
Të qeshurat e mia të pafajme,
Fjalët e mia të pashpjegueshme,
Kukullat e mia,
Pyetjet e mia kohë e pakohë,
Lotët e mi pa shkak
Dhe druajtjen time legjendare.
E gjithë kjo ka humbur,
Në frymën e tij të fundit,
Kur bota iu përmbys
Dhe unë pashë si në pasqyrë
Veten time të dikurshme,
Që nxitonte drejt humbellës.
THYERJA E MADHE
Gjatë ekzistencës sime,
Në kohën që sjell gjumin,
Kishte ca ëndrra
Në një hapësirë të panjohur,
Me një dritë të zbehtë e fantazma,
Me vështrim të brendshëm të padurueshëm,
Që më thoshin pa pushim
"Vdekja është kudo dhe më blu se qielli."
Pas kësaj unë mendoja
Se kjo botë nuk ka as fund dhe as fillim,
Dielli lind e perëndon
Dhe unë eci mbi pluhurin tim.
A do të gjej një strehë për shpirtin?
Për të mos rënë në boshësi?
Nuk e di, por kam kuptuar,
Se ka ndodhur Thyerja e madhe.
OAZ
Ali Podrimja
Ju tregoj përse nuk mundi të lulëzonte realizmi socialist në Kosovë dhe pse lëvruam hermetizmin
Grindjen mes Qoses dhe Kadaresë po e shfrytëzojnë armiqtë tanë
“Ironia që derdh në vargjet e mia ka qëllim që njeriun tim ta shëroj”
Podrimja: Jam për vargun filigranë të kulluar
E kishim takuar për herë të parë në bankat e shkollës, pasi Ali Podrimja është pjesë e programit të detyrueshëm shkollor. Këtë herë, në një program të çlirë, përgjatë pushimit të një prej ditëve të Poetekës”, poeti kosovar na rezervoi disa rrëfime të çlirëta gjithë bujari. Pas leximit të disa poezive, ai na kërkoi mendim për to: “Hermetike vende-vende”, i themi. Atëherë, këtu ai merr shkas për të rrëfyer se si e ka fituar hermetizmin poezia e lindur në Kosovë.
-Ka momente në poezinë tuaj që duken hermetike. Juve ju pëlqen që gjërat të jenë të vështira, të mos kuptohen lehtë? Pra, jeni për hermetizmin në poezi?
Hermetizmi në Kosovë ka ekzistuar për shumë arsye, sepse regjimi i atëhershëm jugosllav ishte shumë i rëndë ndaj krijuesve shqiptarë, ndaj intelektualëve shqiptarë, ndaj shkollës dhe librit shqip. Krijuesit që dëshirojshin të komunikonin me lexuesin e vet, ata duheshin ta shfaqshin mendimin në një mënyrë krejt tjetër, hermetike, edhe sepse ishte në luftë të heshtur kundër dhunës serbe. Poetët tanë, sidomos disa prozatorë e kishin ndjekur rrugën e hermetizmit.
-Diku në një poezi flisnin për një të pushtetshëm të vdekur, të vdekshëm...Besoni se nuk do të kuptohej kjo?
Poezia “Një i vdekur i zakonshëm” është poezi e njeriut që vërititet labirintheve të jetës dhe kërkon të ekzistojë. Por si të ekzistojë? Nëse ai kërkon të hapet para lexuesit, do ta pësonte. Në vitet 70, unë me një grup shkrimtarësh, miq të mi, Antin Pashku, Mentor Haiti, alamet kritiku, i cili qe doktoruar në Paris, e pamë që realizmi socialist ishte i dëmshëm në atë kohë për Kosovën. Nuk mund ti hapej rrugë realizmit socialist në Kosovë, sepse çdo gjë do të ishte transparente. Aty ishte edhe qëllimi i policisë jugosllave, edhe i shtetit jugosllav, që shqiptarët të lexohen sa më lehtë dhe të mos e fshehin të vërtetën përmes hermetizmit të tyre. Pra, ishte i imponuar. Ndërsa shkrimtarët e tjerë kroatë apo të republikave të tjera ishin hermetikë në atë periudhë sepse ishin kundër shtetit
-Ka lënë gjurmë pozitive në krijimtarinë tuaj, ky lloj “detyrimi” për ta bërë poezinë hermetike, të fshehtë? Apo e ka dëmtuar?
Në realitet, hermetizmi, një poezi apo prozë e tillë nën frymën e modernizmit evropian dhe të shkrimtarëve më të njohur të Jugosllavisë, si Daniel Llokiçit etj. ishte i dobishëm, sepse ne u mësuam me shtresëzimet e tekstit. Por të vërtetën nuk mund ta themi hapur. Tani shkruhet një poezi e tillë. Teksti duhet të jetë maksimalisht i përsosur, filigranë.
-Për ju, tekst filigranë quhet një tekst që është i qartë, i kuptueshëm apo hermetik?
Kur është i përsosur teksti, pastaj varet prej ngritjes së lexuesit se sa e kupton atë..
-Poezia kosovare, ku është në raport me poezine e vendeve të tjera që kanë qenë nën ish-Jugosllavinë?
Poezia shqipe që është krijuar në Jugosllavi ka qenë ndër poezitë tepër interesante edhe për vetë Jugosllavinë. Ne, krijuesit ishin më të guximshëm, ishim dhe luftëtarë të çështjes kombëtare, bënim një punë sizifiane në ndërtimin e vetë poezisë. Dhe mandej mesazhet që jepnim...”macja e zezë” lexuesin e bënin të mendonte: “Çfarë është kjo macja e zezë? Mos është Serbia?”. Ne ishim të vetëdijshëm se çka na pret, nëse na zbulojnë. Kështu u krijua në Kosovë një letërsi supermoderne.
-Në rrafshin e poezisë ballkanike, ku qëndron poezia që kanë krijuar poetët kosovarë dhe brenda shtetit amë?
Duhet ta shikojmë poezinë kombëtare pa marrë parasysh se ku krijohet. Ne nuk mund të ngrejmë mure mes letërsisë shqipe, jo kjo është kosovare, jo kjo është arbëreshe, jo kjo është krijuar në Maqedoni. Kjo është e turpshme. Ne duhet të pranojmë që ajo është frut i shpirtit shqiptar. Mua më vjen turp, kur fillojmë të bëjmë ndasi. Poezia jonë në kornizat kombëtare është e nivelit të lartë dhe është çmuar lart edhe nga të tjerët.
-Ky fryt shqiptar, është i ndryshëm nga fryti i një kombi tjetër? A nuk është universale poezia? Ka kufij? Ka atdhe?
Ajo është universale, por megjithatë, duhet ta ketë një bazament nga ka fillu. Poezia jonë njihet qoftë përmes imazheve, qoftë përmes mesazheve, qoftë edhe përmes artikulimit. Është një poezi që nuk mund të shkëputet nga jeta shqiptare. Po qe se shkëputet, ajo humbet.
-Ju jeni më shumë për poezinë që lexohet (me mendje) apo për një poezi që artikulohet?
Unë jam për një poezi të pastër shqiptare, jam për një filigranizëm të tekstit letrar, të poezisë. Të mos jetë një grumbull fjalësh, por të jetë kulluese që në vetvete ngërthen edhe mesazhin, edhe artin. Se ne mund të bëjmë poezi të ngarkuar me mesazhe, por nuk duhet ta kthejmë në thes e ta ngufasim me fjalë. Mirëpo poezia duhet ta ketë elitizmin e vet. Jam për poezinë që me pak të thotë shumë, jo shumë e përlumë, si thotë populli.
-Çështë elitizmi, çfarë do të thotë eliptike në poezi?
Eliptike në poezi do të thotë një gdhendje e skajshme, një fshehje e çuditshme brenda tekstit e mesazhit e cila nuk duhet të ketë një vargëzim të rëndomtë, por një përkujdesje të vargut. Eliptizmin e kam mësuar më shumë nga fjalët e urta shqiptare. Aty është filozofia e tërë e popullit tonë. Nëse i di dhe i zbaton, ke arritur të krijosh një poezi të madhe.
-Z. Ali. Poezia në përgjithësi, ka mbetur një art i huaj për publikun e gjerë. Pse kështu?
Ky lajm është publikuar: 27/09/2009