Politikanët rusë të përçarë për trashëgiminë e Gorbaçovit, Interfax: S’do t’i bëhet funeral shtetëror

Zyrtarët dhe ligjvënësit rusë ishin të kujdesshëm, në reagimet e tyre për vdekjen e Mikhail Gorbaçovit. Ata e lavdëruan atë për rolin e tij në përfundimin e Luftës së Ftohtë, por dënuan dështimin e tij për të shmangur rënien e Bashkimit Sovjetik.
Qëndrimi i tyre u pasqyrua nga transmetimet televizive shtetërore, të cilat i thurnin lavde Gorbaçovit si një figurë historike, por i përshkruan reformat e tij edhe si të planifikuara keq, duke e konsideruan atë përgjegjës për dështimin për të mbrojtur interesat e vendit në dialogun me Perëndimin.
Kritikat i bëjnë jehonë vlerësimeve të mëparshme të presidentit rus Vladimir Putin, i cili është ankuar në mënyrë të vazhdueshme për rënien e Bashkimit Sovjetik, duke e cilësuar si “katastrofën më të madhe gjeopolitike të shekullit të 20-të”. Në një telegram ngushëllimi të bërë nga Kremlini, Putin vlerëson Gorbaçovin si një njeri që la “një ndikim të madh në rrjedhën e historisë botërore”.
“Ai e udhëhoqi vendin gjatë ndryshimeve të vështira dhe dramatike, mes sfidave të politikës së jashtme, ekonomike dhe shoqërore në shkallë të gjerë”, tha Putin. “Ai e kuptoi thellësisht se reformat ishin të nevojshme dhe u përpoq të ofronte zgjidhjet e tij për problemet akute.” Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov e përshkroi Gorbaçovin si një burrë shteti “të jashtëzakonshëm” që “do të mbetet gjithmonë në historinë e vendit”.
“Gorbaçovi i ka dhënë shtysë përfundimit të Luftës së Ftohtë dhe ai, sinqerisht donte të besonte se ajo do të mbaronte dhe do të fillonte një periudhë e re romantike midis Bashkimit Sovjetik të rinovuar dhe Perëndimit kolektiv”, tha Peskov. “Ato pritje romantike nuk u realizuan. Natyra gjakatare e kundërshtarëve tanë ka dalë në dritë dhe është mirë që e kuptuam në kohë”.
Ndërsa shmangu kritikat eksplicite personale ndaj Gorbaçovit, Putin, në të kaluarën, e ka fajësuar vazhdimisht atë për dështimin për të siguruar angazhime të shkruara nga Perëndimi që do të përjashtonin zgjerimin e NATO-s drejt lindjes – një çështje që është bërë një ngacmues i madh në lidhjet Rusi-Perëndim për dekada dhe ka nxitur tensione, që kur udhëheqësi rus dërgoi trupa në Ukrainë më 24 shkurt.
Anëtarët e parlamentit të kontrolluar nga Kremlini kërkuan të ndiqnin një rrugë të ngjashme, duke përshëndetur rolin historik të Gorbaçovit, por duke vajtuar për rënien e Bashkimit Sovjetik.
Leonid Slutsky, kreu i komitetit të punëve të jashtme në dhomën e ulët, Duma e Shtetit, e vlerësoi Gorbaçovin si “politikanin më të shquar të kohës së tij”, por e përshkroi atë si një figurë “kontradiktore” reformat e së cilës u “luajtën në duart e atyre” të cilët po përpiqeshin të fshinin BRSS nga harta e botës”. Sergei Mironov, kreu i partisë “Rusia e drejtë”, vuri në dukje se Gorbaçovi “ishte si një frymë e freskët, duke mishëruar shpresat për ndryshime kolosale”, por shtoi se politikat e tij çuan në “humbjen e një vendi të madh”, duke u bërë një ” tragjedi për brezat e rusëve”.
Disa të tjerë ishin shumë më pak të sjellshëm. Oleg Morozov, një anëtar i partisë kryesore të Kremlinit, Rusia e Bashkuar, tha se Gorbaçovi duhet të ishte “penduar” për gabimet që dëmtuan interesat e Rusisë. “Ka një rastësi mistike në vdekjen e Gorbaçovit, në një kohë kur po zhvillohet operacioni special ushtarak në Ukrainë,” tha Morozov në fjalimin e transmetuar nga agjencia shtetërore e lajmeve RIA Novosti. “Ai ishte një bashkëautor i vullnetshëm, apo i padëshiruar, i rendit të padrejtë botëror që ushtarët tanë po luftojnë tani në fushën e betejës.”
Nikolai Kolomeitsev, nënkryetari i fraksionit komunist në Duma, shkoi edhe më tej, duke denoncuar Gorbaçovin si një “tradhtar” që “shkatërroi shtetin”. Në një krah tjetër, Grigory Yavlinsky, lideri i partisë liberale Yabloko, vlerësoi Gorbaçovin për “ofrimin e lirisë për qindra miliona në Rusi, në lagjen e saj dhe gjysmën e Evropës”.
“Është përgjegjësia jonë se si ne në Rusi e kemi përdorur atë liri, atë mundësi të madhe,” tha ai. Ndihmësit e Gorbaçovit u shkatërruan nga humbja. “Ishin iniciativat e tij për ato ndryshime që ai filloi në këtë vend, në Bashkimin Sovjetik, në Rusi, që paracaktuan pakthyeshmërinë e shumë prej këtyre ndryshimeve,” tha Pavel Palazhchenko, i cili punoi si përkthyes zyrtar i Gorbaçovit gjatë mandatit të tij. “Jo çdo gjë ishte e suksesshme, sigurisht, për keqardhjen tonë të madhe, shumë u shkelën”, tha ai për Associated Press.
“Por mendoj se ky është projekti që patjetër do të ringjallet”. Vladimir Polyakov, sekretari i shtypit i Gorbaçovit për tre dekada, e përshkroi punën përkrah tij si “vitet më të mira”. Fondacioni i Gorbaçov tha se ai do të varroset në varrezat Novodevichy të Moskës, pranë gruas së tij. Data nuk është caktuar ende. Kremlini tha se nuk është marrë asnjë vendim për organizimin e funeralit, por agjencia e lajmeve Interfax raportoi se Gorbaçovit nuk do t’i bëhet funeral shtetëror. Apnews
/rtsh.al/