E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Politikë e mangët për shërbimin diplomatik”

Autori i Lajmit: Migena Topciu
Mungesa e një ambasadori shqiptar në Prishtinë, në një kohë kur Kosova po kërkon njohje të saj në të gjithë botën duket se është një nga çështjet më të nxehta të politikës në vend. Rreth emërimit të ambasadorit shqiptar në Kosovë, Islam Lauka, por dhe me mungesat e ambasadorëve shqiptarë në 13 vende të botës flet në një intervistë për gazetën “Ballkan” Edmond Haxhinasto, kryetar i Komitetit Drejtues Kombëtar të LSI-së dhe ish-diplomat.
Ai e konsideron kohëzgjatjen e vendimit për emërimin në Kosovë, si papërgjegjshmëri dhe paaftësi të qeverisë. Ndonëse, Lauka ka experiencë dhe vlera në diplomaci, Haxhinato thekson lënien mënjanë të detyrimeve shtetërore. Kriteret ligjore për shërbimin e jashtëm pothuajse janë harruar pa pasur përgjegjës. Kjo duket qartë edhe në mungesën e ambasadorëve në 13 vende të tjera.
Ndonëse Kosova shpallet shtet i pavarur në shkurt të vitit 2008 dhe njihet jo me pak se 50 shtete, përse vendimi për ambasadorin shqiptar në Prishtinë mbërrin shumë vonë?
Mendoj se kjo ështëë një papërgjegjshmëri e plotë e kësaj qeverie, e papjekurisë dhe paaftësise së saj për të lënë mënjanë problemet e veta të brendshme dhe për të realizuar detyrimet shtetërore që kemi, në mënyrë të veçantë ndaj shtetit të ri të Kosovës. Imazhi i vendit nuk është ndonjë çështje abstrakte. Ai është shumë konkret, ndreqet ose prishet nga këto ç veprime të përditshme, që bëjnë politikanët shqiptarë.
Ishte thjesht neglizhenca e qeverisë dhe ra në sy mungesa e ambasadorit në shtetin më të ri të botës, apo duhet të ndiqen një sërë procedurash për emërimin e këtij të fundit?
Sigurisht që procesi i emërimit të një ambasadori ka procedurën e vet, e cila, në asnjë mënyrë nuk mund të justifikojë këtë tejzgjatje në mungesën e ambasadorit tonë në Kosovë.
Emri Islam Lauka, ç përfaqëson në njohjen tuaj?
Në njohjen time personale Lauka është një diplomat me eksperiencë. Por, çështja nuk është tek emrat e përveçëm të ambasadorëve, apo tek cilësitë e tyre. Problemi është shumë më i gjerë se kaq. Kjo është një çështje që ka të bëje me vizionin dhe konceptin e kësaj mazhorance për detyrimet shtetërore që ne kemi, dhe për respektin që ajo ka ndaj instrumentave dhe institucioneve të tjera të shtetit, siç është diplomacia dhe roli i saj në përgjithësi.
Lauka ish-punonjës i Ministrisë së Punëve të Jashtme, ka kryesuar në vitet 90-të misionin diplomatik në Moskë. Sipas jush është i duhuri për këtë mision, do t i shërbejë Shqipërisë?
Problemi është se ky konceptim i diplomacisë ka edhe pasoja, të cilat janë evidente. Cilësia e aktivitetit tonë diplomatik në përgjithësi dhe veçanërisht për të ndihmuar shtetin e ri të Kosovës lë shumë për të dëshiruar. Impakti ynë diplomatik për të zgjeruar njohjen e pavarësisë së Kosovës është thuajse inekzistent.
Por, nuk mungonte vetëm ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, janë ende 13 vende, ku ne nuk kemi ambasadorë?
Mendoj se gjithë politika e ndjekur për shërbimin diplomatik është e mangët. Kriteret ligjore për shërbimin e jashtëm janë shkelur me të dyja këmbët. Kuotat e emërimeve politike për ambasadorët janë tejkaluar disafish. Shërbimi diplomatik është cenuar rëndë, është përdorur për të bërë ndere militantësh për mazhorancën e sotme, ndërkohë që në sistemin e shërbimit diplomatik duhen respektuar një sërë kriteresh, cilësish dhe hierarkish të diplomatëve, pasi respektimi i tyre përcakton në fund të fundit cilësinë e vetë shërbimit.

Ky lajm është publikuar: 14/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›