E Shtunë, 31 Tetor 2026

RENEA vë në pranga të shumëkërkuarin Reshit Adri

Autori i Lajmit: red.
Është arrestuar i shumëkërkuari Reshit Adri. Forcat RENEA, në bashkëpunim me policinë e Korçës, kanë vënë në pranga 53-vjeçarin Reshit Adri që terrorizoi për disa orë fshatin e tij, duke lënë pas dhe një person të vdekur. Burime nga policia bëjnë të ditur se 53-vjeçari ishte në kërkim nga policia, pasi në gjendje të dehur qëlloi me “Kallashnikov” mbi kushëririn e tij, ndërsa plagosi dhe një grua. 53-vjeçari Reshit Adri, vrau kushëririn e tij Lulëzim Lazen, ndërsa plagosi dhe një tjetër. Ngjarja e rëndë ndodhi në fshatin Podgorie të komunës Vreshtas. Nga të dhënat e policisë është mësuar se 53-vjeçari, në gjendje të dehur, doli i armatosur në rrugët e fshatit dhe kishte qëlluar me kallashnikov.
Dëshmitë
Fqinjët dhe të afërmit e Reshit Adrit kanë pohuar dje se 53-vjeçari ka qenë gjithnjë tip i qetë dhe pa probleme. Por atij ia ka ndryshuar jetën një fatkeqësi e ndodhur disa kohë më parë. Djali i 52-vjeçarit është vetëvrarë në kohën që kryente shërbimin ushtarak. Kjo ngjarje jo vetëm e ka lënduar rëndë 53-vjeçarin, por duket se i ka shkaktuar dhe probleme në sjelljen e tij. Të afërmit pohuan se që prej kohës që i ka vdekur i biri, Adri po kalonte një gjendje depresioni, e cila mund ta ketë shtyrë dhe drejt ngjarjes së dy ditëve më parë.
Ngjarja
Një përplasje me armë në Podgorie të Korçës ka nisur drejt këtij fshati forca të shumta policie, ku mësohet se njëri prej banorëve ka vrarë një të afërmin e tij. Gjithçka ka ndodhur në fshatin Podgorie të Korçës rreth orës 17 e 50 minuta të pasdites së djeshme. Shkak i këtij shkëmbimi zjarri është bërë operacioni i ngritur nga ana e bluve të Korçës për kapjen e Reshit Adrit. Ky i fundit ka vrarë me armë zjarri të afërmin e tij. Viktima ishte Lulëzim Laze, 41 vjeç. Bëhet e ditur se pas vrasjes së 41-vjeçarit, në fshat kanë mbërritur forca të shumta policie, të cilat po mundohen të kapin vrasësin e Lazes.
Ky lajm është publikuar: 14/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›