Atentat ndaj shkollave publike për fëmijët e minoritetit grek
Këmbëngulja e Tiranës se i kushtojnë shumë tekstet e nxënësve minoritarë grekë detyroi Greqinë të marrë përsipër koston financiare dhe botimin e 24 titujve, nga 34 gjithsej. Kjo “arritje” e ministrisë sonë i ngjante proverbit që thotë: “Mishi të piqet dhe helli të mos digjet”.
Le të mendojmë për një moment së prapthi. D.m.th., se jemi në Shqipëri dhe kur në këtë vend arsimi si gjëja më e shtrenjtë e një kombi po masakrohet, rasti i denoncuar nga deputeti Tavo me shifra të mara nga dokumente zyrtare, është, sipas kësaj logjike, diçka e rëndomtë. Ndokush mund t’i presë edhe ndonjë fletë lavdërimi nacionaliste Ministrisë së Arsimit se ndihmoi në mos-arsimimin në gjuhën amtare të “këtyre minoritarëve”. (!!)
Po PBDNJ dhe OMONIA në ç’vrimë do të futen?! Problemi është i rëndë dhe përpos të tjerave përbën një krim moral me vlera historike për këtë lidership. Së pari, ata kurrë nuk e vunë me shpatulla prej muri qeverinë për aktin e saj të paprecedentë brutal të mos-sigurimit të teksteve shkollore. Së dyti, janë në qeveri dhe janë njëqind herë më përgjegjës për një veprim të tillë. Së treti, ata janë bashkëpunëtorë të një akti të tillë mesjetar. Nuk e dimë, nëse fituan pará dhe sa fituan (megjithëse të bën përshtypje se autoritetet e OMONIA-s që merren me tekstet shkollore në gjuhën amtare na dolën sot me shtëpi botuese dhe me privilegje të admiruara në trajtimin nga shteti.) Për ne pra ka rëndësi fakti që ata bashkëpunuan me qeverinë për t’i mbyllur shkollat publike në gjuhën amtare në minoritetin grek. Ky është qëndrimi në shkallën ekstreme të politikës së tyre për ta kthyer minoritetin grek dhe interesat e tij në një vrimë të zezë, në një lopë që kanë të drejtë ta mjelin vetëm ata. Ky guxim i tyre ka kapërcyer çdo logjikë normale dhe njëkohësisht përbën një vërtetim se ata dhe për qëllimet e tyre i shiten pjesë-pjesë interesat e minoritetit etnik grek në Shqipëri. Është kjo arsyeja pse ata e kanë monokratizuar në duart e një klani të ngushtë PBDNJ dhe OMONIA-n, kanë asgjësuar aty çdo frymë demokratike dhe nuk i lëshojnë ato karrige, duke luftuar me thonj e me duar, me zjarr dhe me hekur. Është kjo arsyeja pse ata janë kthyer në çuna të mirë të çdo qeverie në vend, të majtë apo të djathtë, se vetëm kështu minoriteti nuk kërkon të drejta dhe mund të kthehet ai në një magje dhe brumë që të vijë sipas interesave të çdo qeverie.
Në këtë këndvështrim, ndoshta V. Dule e V. Bollano e Co nuk do ta konstatojnë kurrë, por të tjerët, minoritarë e shqiptarë, duhet të bëhen të ndërgjegjshëm se kostumet e tyre firmato, makinat luksoze, pasuritë e vëna vetëm duke ushtruar “politikën e përfaqësimit “të minoritetit etnik grek”, tani sjellin mbi vete edhe gjënë më të paimagjinuar. Vulën e vuajtjeve dhe të sakrificave të këtyre fëmijëve që me duart që iu dridheshin nga të ftohtit në kushtet mizerabël të shkollave të tyre, detyroheshin, si në Mesjetë, të merrnin mësimet me shënime. Kanë vulën e vragës së rëndë të këtyre fëmijëve, të cilët që në bankat e shkollës krijuan përshtypjen se janë të braktisur nga të gjithë, se nuk ka asnjë vlerë të mësosh gjuhën amtare, të duash atdheun, të duash dijen.
Për ne pra ka rëndësi fakti që ata bashkëpunuan për t’i mbyllur shkollat publike në gjuhën amtare në minoritetin grek. Dhe jo pa dashje, por me ndërgjegje të plotë. Për më se 10 apo 12 vjet ata si minj ndërmorën aksionin për shkërmoqjen e ngadalshme të shkollave publike në gjuhën amtare në minoritetin etnik grek. Kundërshtuan me forcë bashkimin e disa shkollave me pak nxënës në qendra të zgjeruara shkollore, duke preferuar mbylljen e tyre të natyrshme. Për vite me radhë u bënë ortakë me neglizhencën e shtetit për mossigurimin e teksteve shkollore në gjuhën amtare, duke i detyruar nxënësit e vegjël të merrnin mësimet me shënime dhe sipas mundësive përkthyese nga shqipja të mësuesve të tyre. Lanë pa përkrahje dhe me keq akoma, sulmuan dhe denigruan politikisht mësuesit minoritarë grekë, duke i akuzuar si të shitur dhe të paaftë. Morën përsipër përkthimin e atyre teksteve të historisë dhe gjeografisë së Shqipërisë që tregojnë se kufijtë e saj shtrihen deri në Prevezë dhe Ambraki, me qëllimin e mbrapshtë për t’u treguar qarqeve të interesuara greke se shkollat publike nuk i shërbejnë edukimit patriotik grek të nxënësve minoritarë. Penguan çdo përpjekje dhe iniciativë për hartimin e programeve mësimore në përshtatje të reformës në arsimin e detyrueshëm nga tetë në nëntëvjeçar. Lanë në kushte mjerane shkollat publike ekzistuese në minoritetin etnik grek, lanë të shkatërrohet e vetmja shkollë e mesme në gjuhën greke, sulmuan madje edhe Departamentin e Gjuhës, Letërsisë e Qytetërimit Grek në universitetin “E. Çabej “ në Gjirokastër.
Në ditën e parë të hapjes së shkollave sivjet, asnjë nga liderët e PBDNJ dhe OMONIA-s nuk asistuan në shkollat publike në gjuhën amtare. Përkundrazi, iu bënë karshillëk atyre duke asistuar në shkollat private të hapura nga ata vetë. Më e rëndë situata është në Gjirokastër, ku këta asistuan në hapjen e një shkolle të re të palicencuar nga shteti pranë Mitropolisë së Shenjtë të Kishës Autoqefale shqiptare në këtë qytet. Hapja e saj çoi në mbylljen e shkollave publike në gjuhën amtare në zonën e Dropullit. Ditët që pasuan u shoqëruan me sulmin e Drejtorisë Arsimore mbi shkollën publike në gjuhën greke në qytetin e Gjirokastrës. Në bazë të një rregulli të dalë në vitet ‘95, periudhë e “Luftës së Ftohtë” në marrëdhëniet Shqipëri-Greqi dhe që zbatohet sipas orekseve apo kur shikohet se duhet frenuar kjo shkollë, u hoqën nga bankat e saj të gjithë ata nxënës që nuk janë 100% minoritarë grekë. (!!) Ndërsa të tjerë nxënës, edhe pse 100 % grekë, nuk u lejuan të regjistrohen atje. (Me këtë frymë instrumentet qeveritare do të çojnë Shqipërinë në Evropë). Qëllimi u diktua shpejt. Këta fëmijë të hequr, sidomos nga klasa e parë, të regjistroheshin në shkollën private të sapohapur, të cilën shteti duhet ta mbyllë. Të gjitha këto pra me qëllimin e mbrapshtë të zëvendësimit të këtyre shkollave publike me shkolla private. Interesi i tyre i vetëm, përfitimi ekonomik dhe krijimi i shtresës elektorale mbështetëse të tyre në minoritet. Në këtë qëllim të mbrapshtë bën aleate kishën Ortodokse Autoqefale shqiptare, e cila, për shkak të ndjeshmërive të njohura, u krijon atyre një mbështetje në Greqi. Ata harrojnë se me këto veprime, për të cilat nuk ka asnjë vendim politik kolegjial, përkundrazi, harrojnë pra se po i japin një goditje të rëndë arsimimit në gjuhën amtare dhe integritetit si njësi etnike e minoritetit grek në Shqipëri, ndaj të cilit ka detyrime kushtetuese shteti shqiptar dhe nëpërmjet kësaj hallke, shkollës publike, ky minoritet krijon më shumë mundësi integrimi me shtetin dhe shoqërinë shqiptare. Gjithashtu, kujtuan se përfaqësimi i minoritetit grek me mënyra teokratike, me metoda që të kujtojnë intrigat bizantine, do të mund të fshihnin prapësitë e tyre kundër interesave themelore të ekzistencës së njësisë etnike të këtij minoriteti. Skandale të tjera pritet t’u shpërthejnë në të ardhmen e afërt. Fjala është për trojet dhe pasuritë në Himarë, për kullotat dhe livadhet në pjesët e tjera të minoritetit, për lejimin antikushtetues të prishjes së ekuilibrave demografikë në zonat me popullsi kompakte minoritare.