Partia Socialiste, kritikon mënyrën e heqjes së TVSH për arsimin privat

Tiranë, 22 Janar NOA Partia Socialiste tha
sot se mazhoranca e Sali Berishës ka miratuar në mënyrë aspak dinjitoze heqjen
e Taksën së Vlerës së Shtuar për arsimin privat.
Deputetja socialiste Ledi Shamku duke folur në
një prononcim për shtyp sot në mesditë, kujtoi faktin sipas se në shtator të
vitit 2005, kur qeveria Berisha ndërmori rrënimin e sistemit tonë arsimor, kjo
taksë nuk ekzistonte.
Kurse shtoi se në fillim të vitit 2008 TVSh-ja
mbi arsimin privat hyri në fuqi. Kështu, në harkun kohor të vetëm dy vjetëve
qeveria shqiptare ia ka dalë me sukses të na provojë sa e çoroditur është
politika e saj kundrejt arsimit në Shqipëri, - deklaroi Shamku.
Shamku kujtoi se dy vjet më parë Partia
Socialiste kundërshtoi me forcë shfuqizimin e nenit 24/1 të ligjit 7928, çka i
jepte fund përjashtimit të furnizimit të shërbimeve arsimore nga skema e TVSH,
duke konsideruar se kjo taksë i diskriminonte 2 herë familjet shqiptare.
E para se ato e paguajnë detyrimisht
shërbimin publik edhe pse nuk e marrin, e dyta se shteti nga paaftësia i dërgon
te privati, dhe më pas edhe i taton. Më tej, në tetor të vitit 2008, Partia
Socialiste ndërmori një nismë të posaçme ligjore për përjashtimin e arsimit
privat nga skema e TVSH. Por qeveria e Berishës një kokëfortësi skandaloze i
injoroi këto qëndrime që erdhën si nga ana e opozitës ashtu edhe nga shkollat e
universitetet private:, - ishte kthimi në kohë e Shamkut.
Prandaj sot, ndonëse ndihemi të lehtësuar që
kjo nismë e Partisë Socialiste më në fund është realizuar, - shtoi Shamku, - nuk
mund të rrimë pa shprehur shqetësimin tonë për politikat konfuze që ka ndjekur
qeveria Berisha kundrejt arsimit si dhe për dhe dëmin e vonesat që këto
politika kanë shkaktuar.
Në përfundim të deklaratës, Shamku i bëri një
thirrje direkte Berishës: Hiq dorë nga ideja se mund të tallesh pafundësisht
me këtë popull. E duke qenë se ke pohuar po vetë se kjo taksë qe e gabuar, je i
detyruar ta shoqërosh këtë vendim me një ndjesë publike ndaj familjeve që e
paguan këtë taksë për kaq vite për shkak të babëzisë tënde.
e.r/NOA