E Diel, 1 Nëntor 2026

Politizimi i marrëveshjes me Greqinë, ikje nga argumenti teknik

Mentor Beqja * 

Debati mbi përcaktimin e kufirit detar ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë ka tejkaluar tashmë nga diskutimi teknik i çështjes në një diskutim politik, i cili po krijon  mjegullnajë mbi atë që ka ndodhur në të vërtetë me marrëveshjen e nënshkruar nga ministritë e jashtme, përkatëse më 27 mars të këtij viti. Opinioni publik ndjehet nën trysninë e përzierjes së argumenteve teknike me ato politike, duke e ndërlikuar diferencimin e të vërtetës nga ajo që është e rreme. Meqenëse debati teknik mbaroi pa ndonjë sukses nga ana e iniciatorëve, opozita shqiptare po e politizon atë për të krijuar sa më shumë konfuzion. Askush nuk paragjykon të drejtën e saj për t’u ankuar në Gjykatën Kushtetuese, por disa momente të këtij debati të harlisur e bëjnë të pabesueshëm qëndrimin e tanishëm të opozitës mbi këtë çështje. Së pari heshtja e gjatë e opozitës në raport me marrëveshjen nuk ka ndonjë shpjegim tjetër përpos se pranimit në heshtje të saj. Marrëveshja për përcaktimin e kufirit detar ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë është nënshkruar nga Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, dhe Ministrja e Punëve të Jashtme e Greqisë, Dora Bakojanis, më 27 Mars të këtij viti. Reagimi i parë i Kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, mbi këtë çështje daton në muajin tetor, pra rreth 6 muaj më pas, megjithëse shtypi ka publikuar kundërshtime mbi përcaktimin e kufirit vetëm pak ditë pas nënshkrimit të Marrëveshjes. Përgjatë harkut kohor 6-mujor, opozita nuk i është drejtuar Qeverisë, Ministrisë së Jashtme apo Ministrisë së Mbrojtjes, për t’u pajisur me informacionin e duhur. Pra, pretendimi se qeveria shqiptare nuk ka bërë transparencën e duhur mbi marrëveshjen, nuk mund të qëndrojë pasi nuk ekziston as edhe një kërkesë e dokumentuar, ku opozita, mediat apo operatorë të tjerë të shoqërisë civile, të kenë kërkuar informacion mbi marrëveshjen, dhe ky informacion të mos i jetë vënë në dispozicion nga ana e institucioneve përkatëse. Në këtë kontekst, reagimi i fundit i opozitës ndaj marrëveshjes ishte thjesht deklarativ dhe i pambështetur në argumente të qenësishëm, të cilët provonin se marrëveshja shkon në kundërshtim me interesat kombëtare. Nëse ky pretendim do të ishte i vërtetë, atëherë opozita do të ishte bashkëfajtore, pasi parimi “heshtja është miratim” e vendos edhe atë në një pozitë jo komode përballë opinionit publik.  
Së dyti, duke qenë se mbi këtë marrëveshje nuk ka ndonjë kundërshtim të nivelit politik, siç mund të ishte të qenit kundër marrëveshjes në parim, por të gjithë bien dakord me faktin që kufiri detar duhet përcaktuar, atëherë Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami dhe Ministri i Jashtëm, Ilir Meta, u deklaruan publikisht, njëri pas tjetrit, të hapur për të pritur një ekip ekspertësh nga opozita, të cilët të mund të njiheshin në detaje me marrëveshjen. Kjo do të ishte mënyra më e mirë edhe për kryetarin e Partisë Socialiste, pasi debati real mbi marrëveshjen është teknik, dhe nuk është e udhës të mbash qëndrim politik, pa pasur dijeni teknike mbi çështjen. Pra, premisa nga është nisur debati nuk është politike, por teknike, dhe si e tillë, përpunimi i informacionit nga ana e ekspertëve të opozitës, do të ofronte një panoramë më të qartë të çështjes. Nëse opozita do të ngarkonte ekipin e saj të ekspertëve të merrej me këtë çështje, së bashku me ekspertët që e kanë hartuar marrëveshjen, atëherë ajo jo vetëm do të dilte me një vendim të menduar më mirë, por do të demonstronte publikisht edhe vullnetin e saj në mbrojtje të interesave kombëtare. Së treti, mosinteresimi konkret mbi marrëveshjen ka bërë që opozita të mos ketë një objekt të qartë kundërshtimi. Ajo i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese, ndërkohë që ajo nuk e di se çfarë kërkon nga kjo Gjykatë. Qytetarët shqiptarë nuk e dinë se cilat janë objeksionet e opozitës mbi marrëveshjen e përcaktimit të kufirit detar. Opozita nuk ka publikuar objektin e ankimimit në Gjykatën Kushtetuese, sepse nuk e di se çfarë duhet të interpretojë Gjykata në këtë rast. Nëse marrëveshja nuk ka probleme ligjore, siç thonë edhe në Partinë Socialiste, atëherë çfarë do të bëjë Gjykata Kushtetuese; interpretime hartografike dhe detare!? Nisma është e paqartë, sepse opozita në vetvete është e paqartë.
Thënë të gjitha këto, opozita në dukje ka vetëm një interes, instrumentalizimin e një çështje me ndjeshmëri të lartë publike, për përdorim momental politik. Ikja e opozitës nga argumenti teknik, nukse tregon gjë tjetër përpos se përdorimit politik të një fabule të prodhuar nga fantazitë e njerëzve që kuptojnë pakgjë nga kjo çështje.
* Këshilltar i Ministrit të Mbrojtjes

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›