E Diel, 1 Nëntor 2026

Politologu Giovanni Sartori flet për implikimet gjeopolitike të trazirave që sollën Pranverën Arabe

24-09-2011 / Gazeta 55

Intervista “Me Islamin nuk flitet”/“Islami, pikërisht sepse është shumë i kalbur, ka një ngurtësi që e bën të vështirë të pajtohet me vlerat e demokratëve”. I fortë dhe i qartë mesazhi i Giovanni Sartorit mbi kulturën islamike, ashtu siç janë të qarta qëndrimet e tij mbi krizën ekonomike botërore, rolin e qeverisë italiane, revolucionet arabe, Islamin dhe proceset e integrimit social

Dhjetë vjet pas 11 shtatorit a mund të themi se SHBA-ja e ka humbur përfundimisht rolin e saj udhëheqës në arenën ndërkombëtare gjeopolitike?
Rolin udhëheqës jo, por ka humbur lojën ekonomike, i gjithë perëndimi i pasur është në krizë. Ky globalizim pa kritere ka krijuar e do të krijojë ende papunësi: për të njëjtën teknologji, nëse një punëtor kushton gjysmë dollari në Kinë dhe dhjetë dollarë në Shtetet e Bashkuara, puna mbaron në Kinë. Zotësinë e kanë dhe kinezët, nuk kemi më shumë mundësi për të luajtur. E vërteta është se politikanët tanë janë zënë në befasi.
Ndërkohë Al Kaeda është rikthyer duke kërcënuar botën, duke hipotekuar edhe revolucionet arabe. Është e vërtetë se ishin juntat ushtarake, por ishin pikërisht këto që e mbanin të ulur entuziazmin islamik. Tani në fakt shpërthen dhe jam kurioz të shoh nëse ka zgjedhje demokratike. Nuk është e lehtë të bësh një demokraci të funksionojë, nuk ja dalim as ne pothuajse pas një shekulli. Nuk mendohet një sistem demokratik në vendet islamike ku llogaritet vetëm vullneti i Zotit, sigurisht jo vetëm konstitucionalizmi dhe laicizmi. Unë jam mjaft i shqetësuar për këtë gjendje jo të qëndrueshme, sepse mund të fitojnë forca islamike ekstreme. Diktaturat ushtarake ishin të afta të kontrollonin islamin, tani jemi në mëshirën e ngjarjeve.
Njerëzit bërtisnin për liri dhe demokraci dhe nuk digjnin flamuj amerikanë.
Një gjë është e pamohueshme, është gjë tjetër ndjekja dhe të dish të veprosh. Unë nuk do t’i quaja as revolucione, janë revolta. Revolucioni ka një projekt dhe një park njohjesh që asnjë popull që ka jetuar me diktaturën lindore ka fituar. Kuptohet se liria e demokracia janë fjalë popullore dhe perëndimi i inkurajon, por unë mendoj se më pas konflikti do të jetë midis hierarkive ushtarake dhe Islamit. Egjipti ka më shumë shanse demokratike, sepse është infiltruar nga turizmi europian, Maroku është në rregull, sepse është Mbreti dhe Kreu i fesë. Këtu loja është komplet e hapur dhe sipas meje Islami i shpagimit ushqehet nga e gjithë kjo. Turqia po bën hapa të mëdha mbrapa.

Ju përshkruani një skenar të Samuel Huntington, një përplasje e civilizimit...
Përplasja e civilizimit ekziston, përse ta mohosh. Është e njëanshme, sepse Perëndimi është laik dhe Islami është teokratik, por nëse ekstremizohet, Islami teokratik bëhet agresiv. Tani opozita bëhet më e fortë, sepse diktaturat ushtarake që mbanin nën kontroll forcat islamike janë shkatërruar. Parimi bazë i Islamit është se gjithçka varet nga Allahu, demokracitë bazohen mbi vullnetin e popullit, mund të funksionojnë keq që të dy, por janë parime të kundërta.

Po demokracitë, nga natyra e tyre pluraliste, a nuk duhet të negociojnë vazhdimisht vlerat e tyre me ata që jetojnë këtu?
Integrimi është vetëm pranimi vlerave etike politike, jo i fesë, zakoneve apo besimit. Zakonisht kush mbërrin, integrohet më shoqëritë mikpritëse. Ndërsa Islami, pikërisht sepse është shumë i kalbur, ka marrë një ngurtësi që e bën të vështirë të pajtohet me vlerat demokratike.

Edhe krishtërimi ka qenë një fe agresive dhe pak tolerante. Nuk kemi përgjegjësinë historike për të marrë pjesë evoluimin e Islamit?
Dy fetë monoteiste (Izraeli është shumë i vogël për t’u llogaritur) ishin të njëjta si mizori, vetëm se Perëndimi pas luftërave fetare u bë laik dhe Kisha nuk e ka më fuqinë e shpatës, ne jemi bërë laikë, ndërsa Islami mbetet një civilizim teokratik. Kjo mund të rregullohet, por nuk është e lehtë.

Pra nuk ka shpresa për dialog?
Evoluimi i Islamit duhet të jetë endogjen. I vetmi instrument i dobishëm për emigrantët është shkolla: ne kemi nevojë për klasa të përziera, sepse socializmi është i rëndësishëm. Nëpërmjet këtij integrimi të të rinjve, mund të shpresojmë se do të zhvillohen breza më të sofistikuar mendërisht.

Po të ardhurit e rinj? Po Shpejtimi i procedurave të marrjes së nënshtetësisë mund të jetë i dobishëm për ta?
Nënshtetësia nuk është e rëndësishme. Unë jam rezident në Shtetet e Bashkuara, por jam nënshtetas italian. Çështja është pranimi e njohja e të drejtave, përveç atyre të zgjedhjeve politike. Përse të mos lejosh votimin? Sepse kjo praktikë rikrijon bllokun islamik, që përndryshe do tretej.

Frika juaj është krijimi i një blloku islamik në Itali?
Italianët janë të lidhur me vendin e tyre dhe duke mos u postuar kaq lehtë nuk krijojnë lagje getosh siç ndodh në Paris e në Londër. Anglezët janë larguar nga zonat e infiltrimit islamik, italianët vuajnë, por nuk largohen. Procesi i integrimit nuk funksionon në këto periferi homogjene, flukset e të ardhurve do të shpërndaheshin në të gjithë territorin; kjo vlen për çdo qytetërim monoteist.

Dy batuta lidhur me politikën e brendshme. Qeveria aktuale do të jetë në gjendje të drejtojë këtë gjendje ekonomike të vështirë?
Kriza është e fortë, do të duhej një ekspert personal, i kualifikuar dhe me prestigj ndërkombëtar. Gjermanët do të bënin një “koalicion të madh”. Një qeveri teknike tek ne, që do varej nga parlamenti, do të ishte e dëshirueshme.

Klasa jonë drejtuese nuk ju duket në lartësinë e duhur?
Berluskoni është një afarist shumë i zoti, në një epokë të kontrabandës do të kishte qenë një njeri i madh, por njeriu ka një injorancë totale. Nëse dikush do penetronte brenda formulave do të ishte e kuptueshme, por atij i mjafton të dijë atë çka di për të qëndruar ku është.

Përmend një emër për udhëheqjen e qeverisë teknike...
Mario Monti është njeriu i duhur, është miqësor, por ka një vullnet të hekurt. Forca e qeverisë teknike e udhëhequr prej tij, do të ishte dhe ajo e marrjes së vendimeve jopopullore, partitë nuk duan ta marrin atë përgjegjësi.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›