Pollo-Fullani: nxënësit njohuri dhe në fushat e ekonomisë
Memorandumi
Nxënësit e shkollave të mesme dhe 9-vjeçare do të kenë mundësi të informohen rreth funksionit të Bankës Qendrore, por edhe për format se si ata mund të administrojnë të ardhurat e tyre personale. Ministri i Arsimit, Genc Pollo, dhe guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, nënshkruan një Memorandum Bashkëpunimi në gjimnazin "Qemal Stafa" në Tiranë, sipas të cilit çdo vit do të organizohen seminare trajnuese për mësuesit, dhe nxënësve do t'u shpërndahen broshura edukative. Nxënësit do të kenë mundësi që të marrin të gjitha nocionet ekonomike para se të nisin studimet e larta. "Kjo nismë e jona do të japë ndihmesë për trajnimet e mësuesve, për drejtorët e shkollave, si të menaxhojnë shkollën në kuadrin e politikës sonë, për rritjen e autonomisë së shkollave", tha Pollo. Sipas tij shkollat do të kenë një llogari bankare, ku do të derdhen paratë e dhuruara nga palë të treta për shkollën dhe të cilat do menaxhohen nga bordi i shkollës i krijuar nga nxënësit, mësuesit dhe prindërit. Ndërkohë që drejtori është një person ekzekutiv, i cili zbaton vendimet e bordit që merren me një planifikim afatmesëm dhe afatgjatë. Sipas Pollos objektivi kryesor i këtij memorandumi është nxitja e bashkëpunimit reciprok në fushën e edukimit të nxënësve të shkollave bazë, të mesme, si dhe studentëve të universiteteve në fushat e ekonomisë, financës dhe bankës. "Ndërthurja e kurrikulës shkollore të shprehive të sipërmarrjes dhe tregut të lirë të informimit, dhe në rritjen e transparencës ndaj publikut në përgjithësi, dhe brezit të ri në veçanti, për arritjet në fushën ekonomike dhe financiare", tha Pollo.