E Diel, 1 Nëntor 2026

"Raporti i dytë nxjerr ‘fajtorin‘"

Raporti i detajuar se cili ishte faji i vdekjes së 17-vjeçares Matilda Petriti nuk ka dalë as dje, ashtu siç u "premtua" nga drejtuesit e QSUT-së. Por jo vetëm kaq, aludimet e bëra në spital për zhvarrosjen e vajzës për ekspertizë të mëtejshme, nuk janë të vërteta. Nuk do të ketë zhvarrim të trupit të vajzës 17-vjeçare nga Korça që vdiq një muaj pasi operoi bajamet. Për këtë nuk ka kërkesë as nga ekspertët e Institutit të Mjekësisë Ligjore e as nga stafi i mjekëve të ORL-së. Këtë e ka pohuar dje për gazetën si shefi i Mjekësisë Ligjore, ashtu edhe mjeku më i përfolur i QSUT-së, Xhevahir Hoxhallari. "Nuk kemi kërkuar absolutisht zhvarrimin e vajzës, nuk kemi raportuar as të dhëna për sa i takon fajtorit. Mjekësia Ligjore merret me ekspertizën dhe jo me fajtorin. Përfundimet e raportit të parë të ekspertizës kanë evidentuar se vdekja e vajzës ka ardhur si pasojë e një shoku hemorragjie", sqaroi drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Besim Hymaj. Sipas tij, në vazhdim të punës, një raport i dytë do të japë të dhëna se cili ka qenë shkaku i vdekjes së vajzës, një plagë e rënduar e cila është trajtuar herë pas here, mjekim i gabuar, neglizhencë nga ana e stafit mjekësor apo probleme të tjera. E gjithë çështja do të zbardhet pasi të jetë përfunduar ekspertiza e dytë. "Do të presim dokumentacionin për shqyrtimin e të gjitha të dhënave, duke përfshirë trajtimin, mjekimet e marra, duke analizuar të gjithë dokumentacionin. Nuk ka përfunduar ende ekspertiza e për këtë nuk mund të japim përfundime", sqaroi Hymaj. Ai sqaroi se as stafi i mjekëve nuk duhet të arrijnë në konkluzione të përshpejtuara pa pasur ende në dorë përfundimet e Mjekësisë Ligjore. Nga ana tjetër, mjeku i ORL-së, Xhevahir Hoxhallari, ka sqaruar edhe një herë që stafi i ORL-së ka kërkuar një analizë të hollësishme për shkakun e vdekjes së vajzës, por nuk e ka kundërshtuar raportin paraprak të ekspertizës.

"Nuk e kemi kërkuar zhvarrimin e vajzës, nuk e kemi kundërshtuar raportin e Mjekësisë Ligjore, pasi ai nuk është ende i përfunduar, por kemi kërkuar një ekspertizë të kompletuar për shkakun e vdekjes së 17-vjeçares", sqaroi Hoxhallari. Çështja e shkakut të vdekjes së Matilda Petritit ka ngjallur debate të shumta, jo vetëm mes mjekëve e Mjekësisë Ligjore, por edhe në radhët e qytetarëve. Aludimet e punonjësve të shëndetësisë, spekulimet e mediave, komentet e personave pa dije mjekësore, kanë çuar në acarimin e gjendjes në ambientet spitalore. Pacientët, nga njëra anë, kanë krijuar psikozë negative, duke futur në një kallëp të gjitha bluzat e bardha. Ndërsa mjekët po diskutojnë mes tyre se të gjitha këto diskutime, psikoza dhe probleme, do të çojnë në "hermetizmin" e bluzave të bardha. Kjo do të thotë që në të ardhmen rastet e pacientëve me sëmundje të vështira të mos merren për trajtim nga ana e shëndetësisë. Sakaq, çështja e Matilda Petritit, e fryrë nga spekulimet e pabaza, ka futur në një debat të "heshtur" mjekët e ORL-së dhe ekspertët e Mjekësisë Ligjore.

Ndërsa ekspertiza nuk ka përfunduar, QSUT-ja ka deklaruar se dje do të dilnin rezultatet përfundimtare. Masat e saj do të ishin pezullim nga puna për mjekun, në rast fajësie. Duke u nisur nga kjo, para se të jepej një rezultat i qartë, mjekët e ORL-së kërkuan detaje dhe specifika për mënyrën e vdekjes së vajzës. Sakaq, sipas Mjekësisë Ligjore, deklaratat e mjekëve ishin të parakohshme dhe përfundime të sakta do të jepen vetëm pas nxjerrjes së raportit të dytë ku do të shqyrtohet pista: "mjekim i gabuar apo jo".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›