Pollo: Janë skandaloze, duhet të ulen

Çmimet e përdoruesit të telefonit celular në Shqipëri duhet që të ulen në mënyrë sa më të ndjeshme. Ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit Genc Pollo është shprehur se këto 10 vite shqiptarët kanë paguar për celularët e tyre çmime, te cilat të krahasuara me koston, kudo në botë do të ishin quajtur skandaloze. Megjithëse këto 2-3 vitet e fundit, çmimet e kompanive celulare kanë pësur ulje në krahasim me tarifat në Ballkan dhe në Europë, por ato përsëri mbeten shumë herë më të larta. Sipas Pollos nga një analizë e ndërrmarrë prej rregullatorit AKEP fitimet e kompanive celulare janë jonormale dhe joetike sidomos kur mbështetet në superçmime për qytetarët e një vendi ku ka ende varfëri. Bazuar në këtë studim tregu, AKEP ka hapur një konsultim publik për një reduktim të tarifave të terminimit të operatorëve mobile që shoqërohet me ulje domethënëse të çmimit të përdoruesit. Kërkesa për uljen e tarifave të telefonisë celulare është bërë edhe prej kryeministrit Sali Berisha sipas të cilit biznesi në Shqipëri është i lirë por jo në kurriz të qytetarëve.