Pollo: Konkurrenca ka ulur çmimet e komunikimit me celular
Ministri i Inovacionit, Genc Pollo, ka deklaruar dje në Forumin e Parë të Projektit të Monitorimit për komunikimet elektronike dhe shoqërisë së informacionit, të mbajtur në Tiranë, se në 6 vjet ky treg ka njohur përmirësime të dukshme në Shqipëri.
“Sot për herë të parë mbahet në Tiranë forumi i Cullen international. Është një organizatë e cila në emër të BE-së bën studime krahasuese në fushën e komunikimeve elektronike. Është një kënaqësi e veçantë që Shqipëria bëhet mikpritësja e këtij forumi, i cili deri tani është mbajtur në vende të tjera të BE-së. Për mua është një kënaqësi e veçantë të paraqes sfidat tona, por edhe disa nga arritjet që janë të ndjeshme për publikun e gjerë. Flas për rritjen e konkurrencës në tregun e telefonisë lëvizëse dhe për çmimet e ulëta. Nëse kujtohemi ku kemi qenë 3 apo 7 vjet më parë, të gjithë e mbajmë mend se sa paguanim për të folur 1 minutë në celular . Sot, në sajë të rregullimit të tregut, të portabilitetit të numrit, të operatorëve të rinj në treg, kemi oferta, paketa kompetitive, çmimet reale kanë rënë dhe janë bërë të krahasueshme me vendet ku konkurrenca funksionon. Ky është një nga shembujt e arritjeve të viteve të fundit, të cilat raporti i Cullen International i pasqyron.”- tha ministri Pollo. Sipas tij, në 6 vitet e fundit është kërcyer nga 4% të penetrimit të internetit në mbi 50%, në sajë të masave, të investimeve, kuadrit rregullator, legjislacionit përkatës, por edhe falë investimeve direkte të qeverisë. Ndërsa Olivier Pascal, përfaqësuesi i Komisionit Europian në Forum, tha: “Jemi shumë të gëzuar që jemi në Shqipëri, e cila mikpriti projektin e Monitorimit për komunikimet elektronike dhe shoqërisë së informacionit. Është e njohur tashmë rëndësia e Teknologjisë së Informacionit e të Komunikimit në këto kohë të vështira të ekonomisë botërore dhe ne mendojmë se për t’u rimëkëmbur TIK është thelbësore. KE ka një agjendë digjitale, e cila inkurajon përdorimin e TIK në mbështetje të qytetarëve dhe biznesit dhe ne besojmë që edhe Shqipëria është pjesë e kësaj agjende. Me anë të këtij projekti, këtij mekanizmi vlerësimi dhe monitorimi, shpresojmë që edhe Shqipëria do të arrijë të bashkohet me përpjekjet tona për të liberalizuar këtë sektor.” Projekti është një iniciativë trevjeçare që financohet nga Bashkimi Europian dhe implementohet nga kompania Cullen International. Vendeve që do të monitorohen në këtë projekt - Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Islanda, Mali i Zi, Serbia, Kosova, Maqedonia dhe Turqia, të pranishme në Forum, të cilat janë në faza të ndryshme në rrugën e tyre drejt BE-së - u është dhënë perspektiva për t'u bërë anëtarë të kësaj organizate sapo të përmbushin kushtet e nevojshme. Objektivi kryesor i projektit është që të ndihmojë Komisionin Europian dhe autoritetet në vendet kandidate dhe potencial-kandidate të BE-së në monitorimin e progresit të bërë nga secili prej tyre drejt përputhjes me rregullat e BE-së për komunikimet elektronike dhe shërbimet e shoqërisë së informacionit, si dhe të konvergjencës me tregun e brendshëm të BE. Për këtë qëllim, projekti do të hartojë katër studime të përkohshme dhe do të raportojë çdo nëntë muaj në periudhën 2011-2013.