Pollo: Kryeprokurori i ri të mos përdoret nga politika
“Prokuroria dhe gjyqësori shpesh janë akuzuar për përdorim partiak, do të ishte e detyrueshme që procesi i seleksionit të kandidaturave nga Presidenti i Republikës të ishte sa më i gjerë dhe të çonte drejt një konsensusi sa më të gjerë të mundshëm dhe kjo në përputhje me një kriter, me kushtet që duhet të plotësojë figura kandidate që do të jetë Prokurori i Përgjithshëm, që të jetë i vendosur për një luftë të pakompromis me shkeljet penale, me kriminalitetin, me krimin e organizuar dhe çdo gjë tjetër që është në kundërshtim me ligjin, por dhe të japë besimin që nuk do të përdoret dhe nuk do përdori pushtetin e tij për qëllime të pastra politike”, tha sot në Kuvend ministri i Arsimit dhe Shkencës, Genc Pollo. Në fjalën e tij, gjatë debatit parlamentar për shkarkimin e Kryeprokurorit Sollaku, duke e konsideruar si të domosdoshëm procesin, zoti Pollo tha se “para një viti, Presidenti i Republikës, për arsyet e veta, refuzoi kërkesën e Kuvendit, shumicës së tij, për të shkarkuar Prokurorin e Përgjithshëm”. Duke i cilësuar marrëdhëniet në këtë kohë midis organit të akuzës dhe Ministrisë së Brendshme, si dhe ato midis organit të akuzës dhe Ministrisë së Drejtësisë, si disfunksionale, ministri Pollo shtoi se “pas kësaj deri në ditën e sotme, ato janë dhe më shumë disfunksionale, duke sjellë probleme për rendin publik, drejtësinë, jetën e qytetarëve dhe deri në imazhin e vendit tonë në botë”. Sipas tij, kjo do të ishte e mjaftueshme për të bërë një bilanc dhe për të parë atë që duhet bërë. “Do të ishte më elegante një tërheqje, dorëheqje, dhe hapjen e një procesi kushtetues për zëvendësimin e shefit të organit të akuzës”, tha zoti Pollo, sipas të cilit, rruga tjetër u ndërmor sepse “kemi ardhur në një moment që nuk mund të bashkëpunohet nga dy organe qendrore, ekzekutivit dhe organit të akuzës”.