E Diel, 1 Nëntor 2026

OSBE-ODIHR denoncojnë përdorimin e administratës dhe fëmijëve në fushatë

Publikohet raporti i tretë për monitorimin e zgjedhjeve
OSBE-ODIHR ka publikuar raportin e tretë për monitorimin e zgjedhjeve të 28 qershorit në Shqipëri. Sipas këtij raporti, ndër të tjera është konstatuar se gjatë fushatës zgjedhore ka pasur rritje të tensioneve në disa zona të vendit, madje deri aty saqë kanë humbur jetën disa qytetarë. Gjithashtu raporti konstaton se janë përdorur zyrtarë për qëllime të fushatës dhe në disa raste janë përdorur edhe nxënësit për të marrë pjesë në veprimtari të tilla. Më tej, raport theksohet se Partia Socialiste ka kontestuar se në listat e votuesve ka gabime të ndryshme dhe se fushata për të siguruar çdo qytetari, pa pasaportë të vlefshme me një kartë identiteti vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes publike. OSBE / ODIHR në monitorimin e mediave tregon se dy nga pesë televizione transmetojnë në mënyrë të balancuar. Ndërkohë, ashtu si dhe herë të tjera, raporti nge sërish problemi i pajisjes së qytetareve me karta identiteti po evidentohet qarte jo vetëm nga opozita, por edhe nga ndërkombëtarët. Madje, duke iu referuar të dhënave zyrtare që ofron Ministria e Brendshme, raporti evidenton shqetësimin që përcjell pikërisht opozita lidhur me pamundësinë e pajisjes se qytetareve pa pasaporte me karta identiteti për të marrë pjesë në zgjedhjet e qershorit. Për rrjedhojë, shtrohet pyetja, se sa është numri zyrtar i  pjesës së mbetur e qytetarëve pa pasaporte që tani nuk kanë më mundësi më për të aplikuar për kartën e identitetit. Misioni i Vëzhguesve raporton gjithashtu se disa parti kanë pretenduar se aplikimi në disa komuna dhe bashki të vendit është proceduar në mënyrë selektive, në disavantazh të mbështetësve të tyre. Pra forca në pushte, ka përdorur administratën e saj vendore, duke pajisur elektoratin e vet me karta e identitetit dhe duke penguar kundërshtarët politik të aplikojnë apo të pajisen me letërnjoftimet e reja. Nga ana tjetër, raporti cilëson se diskutimet mes dy partive kryesore mbi çështjen e kartave të identitetit kanë hedhur pjesërisht hije mbi fushatën elektorale. Raporti shprehet se ka pasur një rritje të tensionit mes mbështetësve të forcave politike konkurrente në këto zgjedhje për probleme të natyrës logjistike, si ngritja e tendave apo çadrave elektorale, apo debatet mbi vendosjen e posterave elektoralë. Sipas tij, rasti i vrasjes në Durrës u komentua për prapavijë politike në media. Raporti vlerëson punën e KQZ, kur vëren se ky institucion ka miratuar pothuaj gjithë paketën e akteve nënligjore për sigurimin e zhvillimit të një procesi normal zgjedhor votimi dhe numërimi të votave. Raporti, po ashtu, vëren se jo të gjitha KZAZ, të nivelit të dytë, po e zhvillojnë normalisht aktivitetin e tyre, duke përmendur ndonjë rast kur ndonjë KZAZ nuk ka arritur të zhvillojë mbledhjet e saj, apo vonesat në caktimin e anëtarëve të KQV. Raporti evidenton faktin se listat përfundimtare të zgjedhësve nuk është përfunduar për shkak vështirësish logjistike, ku përmend disa raste në zonat e Peshkopisë, Elbasanit, Fierit, Beratit etj. Në raport përmenden pretendimet e PS për parregullsi në listat e zgjedhësve për raste votuesish të regjistruar nga dy herë, votuesish me moshë më të madhe se 110 vjeç, apo personash të cilët kanë hequr dorë nga shtetësia shqiptare. Raporti cilëson se ka pasur aludime për raste kur administratës shtetërore i është kërkuar të angazhohet në mbështetje të aktiviteteve elektorale të forcave politike. Raporti gjithashtu thekson se Komisioni i Monitorimit të Mediave po vazhdon të ndjekë mënyrën e pasqyrimit të fushatës nga mediat elektronike, duke vërejtur se mes anëtarëve të këtij komisioni ka debate lidhur mënyrën e vlerësimit të aktiviteteve të drejtuesve të dy partive të mëdha, për rastet kur këto aktivitete janë pjesë e veprimtarisë së tyre institucionale, apo pjesë e fushatës elektorale. Raporti thotë se vërehen edhe anësi në mënyrën e raportimit të aktiviteteve elektorale në media të caktuara. Po ashtu, raporti cilëson se, në ato raste kur ka pasur mosmarrëveshje mes forcave politike dhe KQZ-së, këto i janë adresuar Kolegjit Elektoral për Gjykim, i cili ka marrë vendimet përkatëse, duke vërejtur se ky i fundit duhet të respektojë afatet kohore në zbardhjen e vendimeve të marra prej tij. Raporti gjithashtu thekson se është rritur numri i organizatave vendase që janë regjistruar apo kanë kërkuar të kryejnë vëzhgimin e këtyre zgjedhjeve, si dhe vazhdimin normal të punës së vetë Misionit në këtë proces elektoral.

********************************************************************
BE, apel politikës të për të siguruar zgjedhje paqësore
Presidenca çeke e Bashkimit Evropian i bëri dje qeverisë shqiptare dhe partive politike të punojnë së bashku për të siguruar se zgjedhjet do të mbahen në mënyrë paqësore dhe se të gjithë ata që dëshirojnë të votojnë më 28 qershor kanë mundësi ta bëjnë këtë. Në një deklaratë të shpërndarë në Tiranë thuhet se BE po e ndjek nga afër procesin dhe se është në interesin e Shqipërisë, që këto zgjedhje të jenë paqësore dhe që ato të vlerësohen në përmbushje me standardet ndërkombëtare. Deklarata ripërsërit se zgjedhjet e 28 qershorit do të jenë një test i rëndësishëm i pjekurisë demokratike dhe i vullnetit për të ecur përpara drejt integrimit të ngushtë me BE. Presidenca e Bashkimit Evropian i bën thirrje qytetarëve që dëshirojnë të votojnë të sigurohen se kanë dokumentet e nevojshëm të identitetit për të votuar. Gjithashtu, në këtë deklaratë të Bashkimit Evropian në lidhje me procesin zgjedhor të 28 qershorit, BE u bëri apel forcave partiake që të tregohen të matua dhe të ulin tension që ka përfshirë zgjedhjet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›