E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fushata, KQZ gjobit mediat e njëanshme

Pas publikimit të raportit të dytë nga Bordit i Monitorimit të Mediave në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, disa TV duhet të kompensojnë fushatën e atyre partive që kanë dhënë më pak në edicionet informative. Vetëm pasi ka kaluar një e treta e fushatës zgjedhore, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që të marrë masa për rregullimin e transmetimit të saj në ekranet e operatorëve televiziv. KQZ ka mundur që të gjejë një zgjidhje, edhe pse jo e gjitha konsensuale, për të kompensuar partitë politike me kohën televizive. Kështu, ky komision ka marrë masat për të penalizuar një pjesë të mirë të operatorëve televizivë, duke i detyruar ata që të kompensojnë ato forca politike, fushatën e të cilave deri më tani e kanë transmetuar më pak dhe në kundërshtim me detyrimin ligjor. Zgjidhja është gjetur vetëm pasi PD ka pranuar që disa nga aktivitetet përuruese të Kryeministrit Berisha të njihen si kohë televizive e partisë dhe jo e qeverisë, ndërsa një pjesë e mirë e tyre si dhe replikat që Ministria e Brendshme ka bërë me PS për kartat të njihet si kohë e ekzekutivit. Duke rillogaritur kohët e vëna në dispozicion nga Bordi i Monitorimit, KQZ vendosi që TVSH të kompensojë PS me 43.3 minuta kohë televizive në edicionet informative dhe 52 minuta në edicionet speciale. Gjithashtu Klan është urdhëruar nga ky komision që të kompensojë PS me 116 minuta kohë televizive në edicionet e lajmeve dhe 243 minuta në edicionet speciale, ndërsa Top Channel të kompensojë PD me 77.4 minuta kohë televizive në emisionet informative. Vizion Plusit duhet t'i kompensojë PD me 55.3 minuta kohë televizive në emisionet informative, dhe një të ftuar në emisionin Zonë e Lirë. Vendimi përcakton gjithashtu që Shijak TV të kompensojë PS-në me 47 minuta kohë televizive në edicionet informative, UFO të kompensojë PS-në me 43 minuta kohë televizive në edicionet informative dhe 17 minuta në edicionet speciale, Neës 24 të kompensojë PD-në me 87 minuta në edicionet informative dhe 123 minuta në emisionin 5 pyetje nga Babaramo, Ora Neës të kompensojë PD me 34 minuta në edicionet informative dhe PS-në me 100 minuta në edicionet speciale, Nesër Tv të kompensojë PS-në me 47 minuta në edicionet informative dhe 771 minuta në edicionet speciale. Nga të paktët televizione, që nuk kanë marrë gjobë ka qenë Alsat.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›