Skadon afati i kartave, mbi 90 mijë shtetas mbeten pa votuar
Dje ka skaduar afati i ri zyrtar i parashikuar nga qeveria shqiptare për procesin e aplikimit mbi pajisjen e shtetasve me karta identiteti. Afati u përfitua pas shtyrjes me tre ditë për në qarqet e mëdha të vendit, në mënyrë që tu jepej një shans qytetarëve pa pasaporta, të cilët nuk kanë aplikuar për karta identiteti gjatë kësaj periudhe dhe kjo rezultoi shuam pozitive në disa qarqe. Ndërkohë, ata shtetas që nuk kanë aplikuar për tu pajisur me karta e që nuk kanë as pasaporta për jashtë shtetit, humbasin të drejtën për të hedhur votën e tyre në 28 qershor.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme, zyrat e gjendjeve civile kanë qenë hapur dje deri në orën 22:00 dhe të gjithë ata persona që do zbatojnë këtë afat do të kenë mundësi për tu pajisur me karta edhe për të votuar ne 28 qershor. Këto të dhëna tregojnë se janë 1 milionë e 354 mijë shtetas të cilët kanë aplikuar për letërnjoftimin elektronik, ndërkohë që janë prodhuar 1 milion e 253 mije të tillë, prej të cilave 932 mijë e 500 të tërhequra nga qytetarët shqiptarë. Në totalin e personave që i kanë tërhequr kartat, rreth 500 mijë mendohet se janë qytetarë me pasaportë. Ndërsa numri i persona pa pasaportë në të gjithë vendin arrin në 750 mijë. Pra shumë shtetas pa pasaportë do të mbeten pa votuar në zgjedhjet e qershorit për shkak të mospajisjes më kartën e identitetit. Megjithatë, ajo që mbetet shqetësuese është që Ministria e Brendshme nuk ka publikuar zyrtarisht numrin e shtetasve pa pasaportë që nuk kanë aplikuar, të cilët tani e kanë humbur të drejtën për të votuar në zgjedhjet e 28 qershorit. Kjo kategori, sipas logjikës së shifrave dhe kohës për të aplikuar, e kalon numrin e 100 mijë personave që nuk do ta marrin kartën. Përmes një deklarate për mediat, zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Fatmir Konja informoi se janë publikuar në faqen zyrtare të ministrisë së Brendshme emrat e të gjithë qytetarëve të cilëve u janë prodhuar letërnjoftimet elektronike. Sipas zëdhënësit Konja, konçesionari i firmës prodhuese të dokumenteve elektronike ALEAT, ka afishuar pranë çdo zyre aplikimi emrat e shtetasve të cilëve tashmë u është prodhuar dokumenti i tyre elektronik. Për çdo paqartësi apo ankesë, qytetarët të konsultohen në numrin e telefonit falas 0800 21 21, i cili publikohet çdo ditë në shtypin e shkruar, përfundoi deklaratën zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme. Ndërkaq, pushteti vendor është ankuar se shume qytetare kane mbetur pa aplikuar. Kryetari i bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika doli në një konferencë për shtyp, ku u shpreh se deri më tani janë shpërndarë karta vetëm për gjysmën e aplikuesve, shifra këto të ulëta, po të krahasohen me një proces normal. Gjika ka bërë me dije se ka kallëzuar penalisht firmën që lidhet direkt me këtë proces. Ai tha se procesi i aplikimit dhe shpërndarjes së letërnjoftimeve elektronike, proces ky i menaxhuar nga qeveria dhe kompania ALEAT është një proces tërësisht i dështuar dhe selektiv në favor të Partisë Demokratike.