E Diel, 1 Nëntor 2026

Pollo: Opozita duhet të ndahet politikisht nga ngjarja e Gjirokastrës

Zv/kryeministri Genc Pollo deklaroi sot në Kuvend se opozita duhet të kishte marrë përgjegjësinë politike duke kërkuar dorëheqjen e kryetarit të Bashkisë së Gjirokastrës, lidhur me ngjarjen tragjike të 9 nëntorit në këtë qytet, ku si pasojë e shembjes së një pallati gjetën vdekjen 3 banorë dhe u plagosën disa të tjerë.   Gjatë debatit të lirë parlamentar sot në Kuvend, deputeti i PS-së në Gjirokastër, Vangjel Tavo, tërhoqi vëmendjen e qeverisë për situatën e rëndë në të cilën ndodhen familjet e pallatit të shembur një muaj më parë. Në reagim të kësaj deklarate, zv/kryeministri Pollo tha se "Këshilli i Ministrave iu përgjigj kësaj fatkeqësie me një shpejtësi maksimale, duke miratuar vendimin për zhdëmtimin e të dëmtuarve me shpërblimin përkatës, si dhe duke kërkuar daljen e përgjegjësisë nga njerëzit realisht përgjegjës".     "Por është amorale nga opozita që të flasë për viktimat e shembjes së pallatit, duke e kërkuar përgjegjësinë tek qeveria. Më parë opozita ta kërkojë përgjegjësinë tek kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës, i cili kishte dhënë një leje të paligjshme për ndërtimin e një objekti, që u bë shkak për shembjen e pallatit të banimit, dhe që sërish vazhdon të jetë në krye të detyrës. PS nuk është shprehur asnjëherë për dorëheqje të kryebashkiakut Bime, me përjashtim të deputetit të Mallakastrës, Kastriot Islami, që e ka kërkuar këtë", u shpreh z. Pollo. Sipas tij, Kryetari i PS-së, Edi Rama, duhet të kishte bërë detyrën, duke marrë përgjegjësinë politike për ngjarjen, përmes dorëheqjes së kreut të bashkisë së Gjiorkastrës. Por, PS nuk është ndarë politikisht dhe moralisht nga krimi në Gjirokastër, tha Pollo sot në Kuvend.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›