Topi reagon për grevën e të pastrehëve në Gjirokastër: Familjarët të sistemohen sa më shpejt

Presidenti i Republikës Bamir Topi ka inkurajuar strukturat e qeverisë dhe të pushtetit vendor që të realizojnë sa më shpejt të jetë e mundur sistemimin e familjeve të dëmtuara në 9 nëntor nga shembja e pallatit 5-katësh në qytetin e Gjirokastrës. Zëdhënësja e Presidentit, Mimoza Koçiu në një deklarim zyrtar për mediat tha se "Kreu i Shtetit po ndjek me shqetësim grevën e urisë së banorëve të pallatit të shembur në Gjirokastër, që cilët janë ngujuar pasi prej kaq kohësh nuk po gjejnë zgjidhjen e plotë dhe përfundimtare që u është premtuar për sistemim dhe dëmshpërblim, si pasojë e një tragjedie, e cila nuk ndodhi për shkakun e tyre. Presidenti i Republikës inkurajon edhe një herë vazhdimin e punës së institucioneve përkatëse për zbulimin sa më shpejt të përgjegjësve të kësaj tragjedie dhe ndëshkimin e tyre ligjor", thuhet në deklaratën e zëdhënëses. Më 9 nëntor si pasojë e shembjes së pjesshme të një pallati në qytetin e Gjirokastrës humbën jetën tre persona, ndërsa u plagosën disa banorë të tjerë. Nga hetimet e deritanishme pallati u shemb për shkak të punimeve për ndërtimin e një godine të re pranë tij.
...