Tiranë, sot mblidhen ministrat e Jashtëm të BEDZ-it
Takimi i 19-të i Këshillit të Ministrave të Punëve të Jashtme të Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi (BEDZ) do të zhvillohet sot në Tiranë, në kryesimin e ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha. Sipas zyrës së shtypit pranë MPJ-së, në takim do të marrin pjesë kryetarët e delegacioneve të vendeve anëtare të BEDZ-it, përfaqësues të vendeve me status vëzhguesi, si dhe përfaqësues të vendeve me statusin e Partnerëve të Dialogut Sektorial. Një nga dokumentet kryesore të takimit, do të jetë diskutimi dhe miratimi i "Deklaratës së Tiranës", që do të pasqyrojë qëndrimet e përbashkëta të vendeve anëtare lidhur me bashkëpunimin në kuadër të BEDZ-it dhe të aktiviteteve të tij, si dhe për prioritetet dhe vizionin e tyre për rolin dhe funksionimin e organizatës. Një pikë e rëndësishme e takimit do të jetë diskutimi rreth rritjes së efektivitetit të punës së organizatës, e lidhur kjo me forcimin e mëtejshëm strukturor e organizativ të BEDZ-it. Në këtë kontekst, pritet të miratohet dokumenti "Udhërrëfyesi për rritjen e efektivitetit të BEDZ-it". Gjithashtu, gjatë takimit pritet edhe nënshkrimi i "Marrëveshjes për lehtësimin e procedurave të vizave për biznesmenët" dhe "Projekt-marrëveshjes për lehtësimin e vizave të shoferëve profesionit (TIR)" të vendeve anëtare të BEDZ-it. Në përfundim do të zhvillohet ceremonia e kalimit të kryesisë së radhës nga Shqipëria te Armenia. Republika e Armenisë do ta fillojë zyrtarisht ushtrimin e kryesisë më 1 nëntor 2008 për një periudhë gjashtëmujore, deri më 30 prill 2009.
E iniciuar si një nismë rajonale në samitin e Stambollit më 25 qershor 1992, BEDZ-i, zyrtarisht u transformua në një Organizatë të Bashkëpunimit Ekonomik Rajonal, pas miratimit të dokumenteve statutore, përfshirë kartën e tij në Jaltë, në vitin 1998.
E iniciuar si një nismë rajonale në samitin e Stambollit më 25 qershor 1992, BEDZ-i, zyrtarisht u transformua në një Organizatë të Bashkëpunimit Ekonomik Rajonal, pas miratimit të dokumenteve statutore, përfshirë kartën e tij në Jaltë, në vitin 1998.