TEC-i i Vlorës nis aplikimin për tarifat
Termocentrali i Vlorës ka aplikuar pranë Entit Rregullator të Energjisë dhe Gazit për vendosjen e çmimit të energjisë elektrike. Kërkesa është pranuar nga EREG në fillim të muajit gusht dhe pritet të merret shumë shpejt vendimi. Në shtator, TEC-i do të nisë punën për prodhimin e energjisë elektrike me lëndë të parë naftën. Sasia e prodhuar do t‘i shitet Furnizuesit Publik me Shumicë (KESH-it). Për këtë arsye, TEC-i i ka kërkuar EREG-së vendosjen e çmimit për energjinë që do të shesë. Kapaciteti i TEC-it është rreth 100 megavat, ndërsa për ndërtimin e tij KESH ka shpenzuar mbi 120 milionë euro, mundësuar nga bankat. Megjithatë, nga përllogaritjet e përafërta del se kostoja e megavatit është rreth 75 euro, në varësi të çmimit të naftës.