E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skedar qeveritar për opozitën, jo për kriminelët

Arben Rrozhani

-Kur bie fjala për aftësitë e kryeministrit Sali Berisha për të mbajtur pushtetin, për të qenë hazër-xhevap për çdo akuzë dhe për të intimiduar kundërshtarët politikë, të gjithë bashkohen në një pikë: ai është i mirë informuar, ai di gjithcka dhe për gjithkënd. U di çfarë bëjnë në krevate dhe në zyra, humbjet, fitimet dhe të punësuarit në biznese,  hobit, pikat e dobëta dhe veset, ku shkojnë dhe më kë rrinë. Nuk ka nevojë të lodhesh shumë për ta vrarë mendjen se si. Përpjekjet e tij titanike për të shtënë në dorë pushtetet, SHISH, Prokurori, Tatim-Taksa, Hetim Tatimor, Dogana dhe çdo qendër ku dërgohen të dhënat personale të shtetasve të Shqipërisë, janë në duar e Berishës dhe me to ai thotë se i ka të gjithë në dorë. Por ama i përdor vetëm për ata që i sheh dhe i konsideron si kundërshtarë politikë, apo siç cilësoheshin dikur në monizëm, “armiq të partisë dhe të popullit”.  

Prej shumë kohësh puna e policisë së shtetit dhe strukturave të saj parandaluese dhe zbuluese të krimit ordiner, apo atij të sofistikuar, ka qenë tema e debatit kryesor dhe më serioz. Madje duhet të jetë edhe sot, edhe në vijim. Në shumë ngjarje tragjike, me humbje jetësh të civilëve, apo njerëzve me uniformë, ka dalë një fakt tronditës: Policia e Shtetit nuk ka një database, nuk ka të dhëna për personat e inkriminuar dhe me rrezikshëmëri shoqërore të lartë, nuk ka pra as masat parandaluese, për të mos folur pastaj për aftësitë zbuluese. Qindra persona të inkriminuar, kanë grabitur, dhunuar dhe vrarë dhe më pas kanë shijuar lirinë dhe nuk figurojnë si të tillë as në defterët e policisë, por as të drejtësisë. Skedat ama figurojnë dhe janë ekskluzivisht kompetencë e strukturave qeveritare, por vetëm për opozitarët dhe njerëzit e lidhur me të, nga gjaku dhe nga marrëdhëniet ekonomike. Siç tregoi dje ndalimi i babait të deputetit të PS-së, Sajmir Tahiri. 

Dihet botërisht se në spitalet e Shqipërisë, vdes për ilaçin më të thjeshtë, serumin, apo oksigjenin. Duhet të blesh gjithçka vetë, sepse spitali nuk të ofron gjë, edhe pse nga buxheti i shtetit jepen vetëm për QSUT në një vit plot 15 milionë dollarë. Por kjo është shumë e vogël për syrin dhe skedarët e qeverisë, sepse më shumë vlerë paska patur çanta me ilaçe që paska sjellë në Tiranë, në farmacinë e tij, babai i deputetit opozitar Sajmir Tahiri. Edhe pse në këtë rast është thyer edhe Kodi Doganor i Republikës së Shqipërisë, posaçërisht neni 11, pika 8 dhe 9 ku thuhet tekstualisht se: “Në rastet kur autoritetet e tjera që veprojnë në territorin doganor të Republikës së Shqipërisë kanë dyshime, ose vihen në dijeni për shkelje të normave të këtij Kodi, të akteve nënligjore në zbatim të tij, si dhe të ligjeve të tjera, zbatimi i të cilave është detyrë e autoriteteve doganore, ato njoftojnë menjëherë zyrën doganore që mbulon territorin në fjalë. Kjo e fundit kryen të gjitha verifikimet e formalitetet e rastit, përfshirë këtu edhe njoftimin e organeve gjyqësore, sipas procedurave të parashikuara në pjesën VIII të këtij Kodi (pika 8) dhe “Kur ka dyshime të bazuara për trafik droge, armësh ose për krime të tjera me karakter ekonomik e financiar, autoritetet kompetente të policisë mund të ndalojnë automjetet që u nënshtrohen formaliteteve doganore dhe që janë të vulosura me plumbç prej autoriteteve doganore” (pika 9). 

Ndokush mund të thotë se qeveria nuk e ka ditur se babai i deputetit Tahiri paska futur ndonjë çantë me ilaçe pa i deklaruar. Por jo, e ka ditur. Në një debat televiziv të mëse një jave më parë që “Shekulli”, po e boton sot, ministra të Berishës i kujtojnë deputetit Tahiri se biznesi i familjes së tij nuk po paguante taksat.

Më herët në kohë, në gusht 2012, kur debatohej për heqjen e imunitetit të deputetëve, kryeministri

Berisha, duke iu drejtuar deputetit socialist Sajmir Tahiri, e akuzoi se është kundër heqjes së imunitetit, për të mbrojtur biznesin e ilaçeve. “Për ty e kam. Ke punë shumë me dogana e ilaçe. Thuaj se ke kompanitë e mamit”-i sulej deputetit Tahiri kryeministri i Shqipërisë.

Por...nuk ka një skedar për “të tijtë”. Dhjetëra kriminelë livadhisin të lirë, nën hundën e policisë dhe i vrasin komisarët Policisë së Shtetit. Pedofilë si Prrenjasi, shëtisin të lirë dhe kërcënojnë jetën dhe sigurinë e fëmijëve, sepse Policia e Shtetit nuk ka ende një database për ta. Policia e Shtetit ndërkohë ka punë të tjera. Mjafton të kujtojmë këtu deklaratën e pak javëve të parë, për qasjen pro-PS-së të Arben Frrokut, të dyshuar si vrasës të komisarit të ndjerë, Dritan Lamaj. Ministria e Brendshme tha se Edi Rama ishte takuar me Frrokun për ta kandiduar, pastaj deri në orën 2 të natës kishte darkuar me të Sajmir Tahiri. Po si? “Na thanë klientë që ishin në lokal”-shpjegohej Ministria. Për të treguar se ky mekanizëm qeveritar është shumë efikas dhe ka skeduar dhe do të ndëshkojë të gjithë...opozitarët.


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›