Pollo: Shqipëria mbështet vendosjen e EULEX
Zv.kryeministri, Genc Pollo, deklaroi sot se “Shqipëria mbështet vendosjen sa më shpejt të jetë e mundur të misionit EULEX në të gjithë territorin e Kosovës, duke respektuar realitetin e krijuar pas 17 shkurtit të këtij viti”. Deklarata e numrit dy të qeverisë shqiptare u bë në Moldavi ku ai gjendej në një samit me krerë të qeverive të Europës Qendrore.
Pollo iu bëri thirrje qeverive të këtyre vendeve të njohin realitetin e ri, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, që do të ndikojë pozitivisht në stabilitetin afatgjatë të Kosovës dhe të vetë rajonit të Ballkanit. Zv.kryeministri kryesoi delegacionin shqiptar në Samitin e Kryetarëve të qeverive të vendeve anëtare të Nismës së Evropës Qendrore, që u zhvillua ne Kishinau, kryeqytetin e Moldavisë.
Nisma e Evropës Qendrore, një nga iniciativat e hershme rajonale në Evropë, vazhdon të mbetet një forum i rëndësishëm bashkëpunimi rajonal politik dhe ekonomik për vendet anëtare, njëkohësisht, edhe një instrument i fuqishëm nxitës dhe promovues i proceseve integruese, rajonale dhe evropiane.