Alarmi për hipertensionin, vuan çereku i popullsisë
Sëmundjet e zemrës janë shkaku kryesor i vdekjeve në vendin tonë, një ndër të cilat është edhe ajo e hipertensionit, që nuk po kursen as moshat e reja. Shifrat zyrtare flasin se në Shqipëri një në pesë femra (20%) dhe 28% e meshkujve janë të klasifikuar me hipertension. Ndërsa sipas grupmoshave, konstatohet se nga 15-40 vjeç shpeshtësia e kësaj patologjie është 1 në 4 persona; kurse nga 40 vjeç e sipër, 1 në 2. Në Ditën Botërore të Hipertensionit, mjekët apelojnë për ndërgjegjësimin e popullatës për matjen dhe mbajtjen nën kontroll të tij, pasi kjo sëmundje kronike po përhapet shumë. Sipas drejtorit të Shëndetit Publik në Ministrinë e Shëndetësisë, Gazmend Bejtja, hipertensioni arterial, apo tensioni i lartë i gjakut është një gjendje patologjike, sëmundje kronike e përhapur në Shqipëri, varësisht nga mosha, por kryesisht haset në moshat e avancuara. Sipas tij, kjo është e lidhur ngushtësisht edhe me shkallën e vdekshmërisë. “Shkaku kryesor i vdekjeve në Shqipëri është grupi i sëmundjeve që lidhen me grupin e qarkullimit të gjakut, që prekin zemrën, si miokardi etj., apo që prekin dhe enët e gjakut të trurit etj., që janë të lidhura dhe me presionin e lartë të gjakut”, - nënvizoi Bejtja, duke shtuar se është një gjendje për t’u shqetësuar. Ai shpjegon se ka disa faktorë që të çojnë te dyshimi që ke vlera të shtuara apo jo të presionit arterial. Obezët, konsumuesit e duhanit, personat me dietë të çekuilibruar, të pasur me yndyra, personat që bëjnë jetë sedentare kanë më shumë gjasa të kenë tendencë për presion të lartë të hipertensionit arterial. Çdo vit, në Shqipëri vdesin nga infarkti 300 në 100 mijë persona, ndërkohë që gjysma e të gjitha vdekjeve në vendin tonë ndodhin nga sëmundjet e zemrës. Sipas specialistëve të Institutit të Shëndetit Publik, sëmundjet kardiovaskulare zënë vendin e tretë në sëmundshmëritë e vendit tonë dhe vendin e parë në vdekshmëri me 52% të gjithë vdekjeve. Ndërkaq, shkaktarët madhorë të sëmundjeve të zemrës lidhen me mënyrën apo stilin e jetesës si duhanpirja, mbiushqyerja, inaktiviteti fizik dhe alkoolpirja. Por, ndër më shqetësuesit midis gamës së gjerë të faktorëve të vdekjeve nga sëmundjet e zemrës mbeten rritja e duhanpirësve si dhe obeziteti, ky i fundit në Shqipëri po kthehet në epidemi. Ndërkohë që të dhënat e studimit më të fundit të Institutit të Shëndetit Publik raportojnë se sëmundjet kardiovaskulare rrezikojnë moshat mbi 50 vjeç. Dje, në Ditën Botërore të Hipertensionit, Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Publik organizuan aktivitete sensibilizuese për ndërgjegjësimin e popullatës për matjen dhe mbajtjen nën kontroll të tij.