E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pollo kundërshton ndërhyrjen e trojkës evropiane për ligjin e dosjeve

>Qeveria Berisha nuk tërhiqet as para presioneve të BE
Përfaqësues të trojkës evropiane, ambasadorja e Çekisë, vendi i së cilës ka presidencën e radhës, përfaqësuesja e Suedisë vendi i cili do të pasojë kryesimin e BE-së dhe kreu i delegacionit të Komisionit Evropian u takuan me zëvendëskryeministrin Genc Pollo për të shprehur shqetësim mbi ligjin e dosjeve, i cili sipas tyre ngre probleme jo vetëm në procedura por edhe përmbajtje. Por megjithë insistimin e trojkës evropiane,  qeveria shqiptare  ka mbajtur të njëjtin qëndrim duke premtuar vetëm një zbatim të paanshëm të ligjit.  As përpjekja e trojkës evropiane nuk ka bërë që qeveria shqiptare të lëvizë nga pozicioni i saj për ligjin e pastërtisë së figurave të miratuar dhjetorin e kaluar vetëm me votat e shumicës. Qëndrimi kritik i vendeve të Bashkimit Evropian pasonte deklaratat e forta të Shteteve të Bashkuara, OSBE-së dhe Këshillit të Evropës, në të cilat ngriheshin pikëpyetje serioze mbi këtë ligj.
Duke garantuar zbatimin korrekt nga ana e qeverisë të këtij ligji, Pollo ka deklaruar se kjo është e vetmja rrugë për tu shkëputur njëherë e mirë nga e kaluara e dhimbshme e shqiptarëve dhe nevojë emergjente për proceset që na presin. Duke dhënë besimin e plotë për korrektësi para Trojkës Evropiane, Pollo deklaroi se gjithkujt që preket nga ky ligj do ti garantohet e drejta e ankimimit. Atyre që e mendojnë veten të prekur dhe të paragjykuar nga ligji i lustracionit, nga ana e qeverisë tonë do tu mundësohet mbrojtje në të tre shkallët e gjyqësorit, madje deri në Strasburg, është zotuar Pollo duke garantuar edhe njëherë ndërkombëtarët për transparencë në zbatimin e këtij ligji të shumëpërfolur. Ndërkohë ka thënë se mirëpret që BE të caktojë dikë për monitorimin e zbatimit të  tij. Pollo i ka bërë thirrje edhe opozitës që të bëhet pjesë e zbatimit të këtij ligji dhe ti lërë ndasitë politike në funksion të një fryme të re marrëdhëniesh konstruktive. Ai ka thënë gjithashtu se opozita ka përgjegjësi direkte, ligjore dhe publike, për përfshirjen e saj në këtë proces të rëndësishëm. Për këtë ai u kërkoi socialistëve që të përfaqësohen me tre anëtarë në bordin mbikëqyrës të zbatimit të tij.  Sipas Pollos, zbatimi i këtij ligji është nevoja më emergjente për të dalë njëherë e mirë nga errësira e sistemit të kaluar, dhe për këtë ka kërkuar që në autoritetin e kontrollit dhe të monitorimit, opozita të japë pjesën e vet të ndihmës. Më tej shtoi se është menduar që ligji i lustracionit të ketë një afat veprimi 5 vjeçar, nga i cili do të bëhet i  mundur filtrimi i figurave të institucioneve të vendit të cilët kanë qenë pjesë e vendimeve famëkeqe në sistemin monist.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›