E Diel, 1 Nëntor 2026

Dosjet, Pollo: BE-ja ta monitorojë zbatimin e ligjit



Qeveria siguron se ligjin që miratoi në Kuvend për hapjen e dosjeve, do ta zbatojë me korrektësi dhe fton BE-në që ta monitorojë procesin e zbatimit të tij. Zëvendëskryeministri Genc Pollo në një takim me Trojkën Evropiane garantoi dje një zbatim korrekt e ta paanshëm të ligjit të dosjeve. Sipas tij, çdo person i prekur nga zbatimi i këtij ligji ka mundësinë e ankimimit në të tri shkallët e gjyqësorit dhe vetëm pas shprehjes së gjyqësorit këto vendime marrin formë të prerë. Z. Pollo kërkoi edhe monitorim të zbatimit të ligjit të dosjeve nga ana e BE-së. Në takim me ambasadoren e Çekisë, Marketa Fialkova, të ngarkuarën me punë të Suedisë, Elizabetë Stam, dhe shefin e delegacionit të Komisionit Evropian, Helmut Lohan, Pollo theksoi se pjesëmarrja e opozitës në autoritetin e kontrollit të figurës do të sillte më shumë besueshmëri. "Është e mirëpritur pjesëmarrja e përfaqësuesve të opozitës në autoritetin e kontrollit të figurës, përbërë nga pesë anëtarë, nga të cilët opozita përcakton tre të tillë. Kjo përfshirje që është jo vetëm detyrë ligjore, por dhe përgjegjësi publike kontribuon në besueshmërinë e procesit", - theksoi zëvendëskryeministri Genc Pollo.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›