Kriza, Berisha: Zgjidhja, reformat financiare
Kryeministri Sali Berisha apelon në Davos të Zvicrës për politika reformatore financiare si zgjidhja më e mirë për kapërcimin e krizës globale. Sipas Berishës, një Martin Luter për financat botërore në këtë rast do të ishte përgjigja e duhur. Kreu i qeverisë shqiptare, i cili po merr pjesë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, foli për potencialet që ofron Shqipëria në fusha të ndryshme. Z. Berisha është optimist për rritje të mëtejshme ekonomike, përderisa Shqipëria ka ende shumë burime për t’u shfrytëzuar dhe projekte që janë duke u realizuar. Kryeministri ishte i ftuar në debatin televiziv në CNBC, nga ku tërhoqi vëmendjen e mediave të tjera ndërkombëtare, të interesuara për Shqipërinë. Kryeministri Sali Berisha, i cili ndodhet në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, mori pjesë sot në debatin e transmetuar direkt në televizionin CNBC, një debat ky i përvitshëm në këtë forum. Debati i këtij viti, me temë “Jo kthim mbrapa”, u fokusua në sinjalet që lëshoi kriza ekonomike botërore jo vetëm për botën e financës dhe ekonomisë, por edhe atë politike. Folësit në debat diskutuan për përthithjen e këtyre sinjaleve nga ekonomia dhe politika dhe gjetjen e rrugëve të zgjidhjes së tyre. Gjatë debatit u theksua se çdo krizë ekonomike, përveç problemeve të mëdha me të cilat shoqërohet, sjell edhe mundësinë për të marrë vendime thelbësore ekonomike dhe politike, që duhet të jenë largpamëse. Debati u fokusua edhe në sfidat që solli kjo krizë për ekonominë botërore, rrugëdaljet dhe zgjedhjet që duhet të ndërmarrin fuqitë e mëdha ekonomike për t’i dhënë zgjidhje asaj. Pjesëmarrësit në debat, të pyetur nëse është e nevojshme të vendosen rregulla të reja apo të aplikohen ato ekzistueset në ekonomi, 70 për qind e tyre kanë mbështetur idenë e vendosjes së rregullave të reja. Pjesëmarrja e Kryeministrit Berisha në debatin e CNBC-së ngjalli interesin e mediave prestigjioze ndërkombëtare. Para fillimit të debatit, Kryeministri Berisha u intervistua nga televizioni “Bloomberg”, agjencia e lajmeve “Associated Press”, gazeta “Wall Street Journal” dhe radio “Swiss” në lidhje me reagimin që ka pasur e do të ketë ekonomia shqiptare kundrejt krizës ekonomike botërore, duke qenë se Shqipëria është ndër vendet e pakta që vazhdon të ketë rritje ekonomike, si dhe për politikat që duhet të ndërmarrin ekonomitë botërore. Kryeministri Berisha u shpreh se ekonomia shqiptare po ecën mjaft mirë, me një rritje ekonomike 9.9 për qind, por që, sigurisht, do të pasqyrojë krizën ekonomike në një rënie ndoshta të eksporteve, importeve dhe të të ardhurave nga emigrantët, por, duke qenë se Shqipëria ka ende shumë burime për t’u shfrytëzuar dhe shumë projekte që kanë marrë rrugën e zhvillimit, ka optimizëm për të pasur rritje ekonomike të mëtejshme. I pyetur se në një rast si ky, i krizës ekonomike botërore, a do të ishte proteksionizmi politika e duhur që duhej të ndërmerrej në tregjet financiare, Kryeministri Berisha u shpreh se nuk mendonte se proteksionizmi do të ishte rruga e duhur për të shkuar drejt zgjidhjes së krizës aktuale dhe evidentoi si përgjegjës për këtë ineficencën e rregullave ekzistuese të tregjeve financiare. "Ndonëse përfundimisht përpjekje nga vende të veçanta janë të domosdoshme dhe të dobishme, një përqasje globale ndaj krizës është e nevojshme. Kjo është një krizë e rëndë, por dalja prej saj duhet të nisë nga besimi. Paniku është absolutisht faktori më agravues i kësaj krize”, - tha z. Berisha. Kryeministri pohoi se ideja e bankave të këqija mund të ndihmojë në zgjidhjen e krizës së besimit, e cila është një faktor madhor në paqëndrueshmërinë e tregjeve financiare botërore. Sipas tij, “nëse do të funksionojë në Shtetet e Bashkuara për shkak të përmasave të mëdha të krizës, por në Suedi ajo funksionoi dhe jo vetëm në Suedi, por edhe në disa vende të tjera”. “Mendoj se Presidenti Barak Obama ka këtë ide dhe kjo mund të jetë e dobishme për të dëshmuar se jo të gjitha bankat janë të prekura nga kriza”, - tha më tej Kryeministri, duke shprehur bindjen se betimi i Presidentit Obama do të ketë një efekt të qartë pozitiv në rritjen e besimit. Kryeministri Berisha po ndjek Forumin Ekonomik Botëror në Davos (Zvicër), gjatë të cilit do të marrë pjesë në disa nga panelet e këtij forumi, si dhe do të takohet me personalitete të larta politike dhe të fushës së financës dhe ekonomisë, pjesëmarrës në forum. Forumi fokusohet në problemet e krizës ekonomike, me të cilat po përballet ekonomia botërore, në reformat ekonomike dhe ndryshimet klimaterike. Në këtë samit, kreu i qeverisë shqiptare shoqërohet nga ministri i Jashtëm, Lulzim Basha.