E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pollo lë Arsimin, Ndoka lë Shëndetësinë

Vetëm një ditë pasi në Kuvend u konfirmua një tjetër grupim parlamentar, i përbërë nga deputetë të larguar nga Partia Socialiste, ajo Demokristiane, nën “mbikëqyrjen” e Partisë Demokratike, janë bërë të ditura dhe lëvizjet e mundshme në qeveri.

Ashtu siç pritej, postin e ministrit të Shëndetësisë do e marrë e bija e Presidentit të Nderit të Partisë Republikane, Anila Godo. Emri i saj erdhi pas vendimit të Kryesisë së kësaj partie, vendim që u shoqërua dhe me debate brenda kësaj force politike.

Republikanët prej kohësh po bënin presion për të hyrë në qeveri. Shumë prej tyre besonin se një gjë e tillë është e domosdoshme, për shkak të numrit të deputetëve që ka kjo parti.

Një gjë e tillë zgjoi dhe reagimin e të tjerëve aleatë të PD. Nënkryetari i PDR, Tritan Shehu, theksoi se numrat e republikanëve janë falsë, për shkak të manovrës së Dushkut.

Por kishte dhe nga ata republikanë që rihyrjen në qeveri e shihnin si një tribunë për të rivendosur në vend nderin e tyre pas largimit skandaloz të kryetarit, Fatmir Mediu. Për këtë arsye u bë kujdes që të përzgjidhej një emër që nuk kishte lidhje politike me këtë parti, por që doli një emër që kishte lidhje gjaku me këtë parti.

Pollo

Një tjetër aleat i Partisë Demokratike do të ndryshojë post. Ministri i Arsimit, Genc Pollo, do të lërë këtë detyrë për të marrë postin e zv/kryeministrit, një vend vakant që pas largimit të Gazmend Oketës në drejtim të Ministrisë së Mbrojtjes. Emri i Pollos ishte përfolur dhe për drejtimin e ministrisë së Oketës. Pollo lë në këtë mënyrë një post të rëndësishëm të një sektori strategjik të jetës së vendit, dhe largohet në një detyrë pa shumë rëndësi. Kryetari i PDR u gjend shpesh nën akuza për korrupsion, ndërsa sektori i arsimit vazhdoi të dergjet si një nga më të prapambeturit në vend.

Në vend të Pollos, në krye të kësaj ministrie do të shkojë nënkryetari i parlamentit, Fatos Beja. Ai pritet të lërë bosh detyrën që mban aktualisht, një post që kryeministri Berisha dhe mund ta këmbejë me ndonjë aleat.

Ndoka

I larguar do të jetë i shumëpërfoluri Nard Ndoka. Pasi ngriti një grup presioni në parlament, duke mbledhur deputetë nga të gjitha anët, Ndoka ia doli të marrë një post të rëndësishëm në qeveri. Shëndetësia ra në duart e një njeriu pa asnjë eksperiencë në këtë drejtim dhe një nga sektorët që prek direkt jetën e njerëzve ishte në mëshirë të fatit.

Përplasjet politike dhe teknike që ai ndërtoi me mjeshtëri çuan në krizën e madhe të ilaçeve në qendrën më të madhe spitalore në vend dhe në revoltën e mjekëve që kërkuan të marrin në dorë vetë reformën në shëndetësi.

Brenda partisë së Ndokës ndodhi një revolucion dhe si pasojë lindën dy PDK, duke rrudhur kështu peshën e Ndokës edhe në parlament. Megjithatë, një grup deputetësh besnikë qëndronin akoma pas tij. Shto këtu një numër të pakënaqurish nga PD për qeverinë, dhe situata mund të sillte surpriza në Kuvend, kur do të votoheshin ndryshimet qeveritare. Një gropë e tillë u mbyll falë “shpëtimtarëve” të Berishës, grupit të mbështetësve të Nanos që kanë krijuar një grup parlamentar, dhe ashtu siç deklaruan dhe kur votuan për presidentin, ata theksojnë se do votojnë nismat e rëndësishme të vendit, çka nënkupton çdo votim që nuk e çon vendin në krizë parlamentare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›