E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjinushi: LSI të mbajë qëndrime në dobi të opozitës

TIRANË- Socialdemokrati Skënder Gjinushi i ka kërkuar dje Lëvizjes Socialiste për Integrim që të mbajë qëndrime në dobi të opozitës në terësi, dhe jo interesa personale. Kryetari i PSD-së, duke iu referuar ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, ka deklaruar dje se asnjë parti nuk duhet ta lidhë fatin e saj me pasjen ose jo të një anëtari në komisionet zgjedhore. Në deklaratën e djeshme për mediat, Gjinushi solli ndërmend se socialdemokratët toleruan për anëtarin e KQZ-së që mori LSI, por që në fakt, sipas tij, i takonte PSD-së. “E megjithatë, pavarësisht se ky anëtar mori mjaft vendime kundër PSD, ne nuk e paragjykuam procesin”,- tha dje Gjinushi. Deklarata e Gjinushit erdhi pas qëndrimit të vazhdueshëm të LSI-së për të bllokuar marrëveshjen PD-PS për përbërjen e re të KQZ-së. Me ndryshimet reja që pritet të ketë KQZ, do të ndryshojë jo vetëm numri dhe mandati i saj, por edhe përbërja. Nga procesii zgjedhjes së anëtarëve te KQZ-së, për herë të parë përjashtohet edhe Presidenti dhe KLD.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›